32 vite nga përmbysja e shtatores së Enver Hoxhës, Berisha: Guximi masiv dominoi mbi frikën. Ky mesazh është aktual, Rama kërkon të asgjësojë opozitën

85
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë nga selia blu ka përkujtuar 32-vjetorin e përmbysjes së shtatores së ish diktatorit Enver Hoxha.

Berisha u shpreh se studentët u derdhën në Tiranë drejt sheshit Skënderbej duke përmbysur shtatoren e njeriut që kishte zhytur vendin në izolim dhe varfëri.

Ai u shpreh se sot ky mesazh është më aktual se kurrë dhe theksoi se Edi Rama po kërkon të asgjësojë opozitën shqiptare duke ndjekur shembullin e etërve të tij.

“Jam sot në rastin e 32-vjetorit të përmbysjes së shtatores së diktatorit më të egër, më stalinist, më barbar që shqiptarët kanë njohur në të gjithë historinë e tyre, të përmbysjes së diktatorit Enver Hoxha të cilin në konventën e partive të qendrës së djathtë në Europë, deklaratën e tyre në Paris në prill të vitit 1991 do ta quanin Hitleri shqiptar i pasluftës. Europa kishte njohur shumë diktatorë komunistë por ajo që ngjiste si siamez me Hitlerin ishte Enver Hoxha.

Në qëndrimin e tij ndaj opozitës, mendimet ndryshe, në qëndrimin e tij nda besimeve fetare, ndaj pronës dhe interesit kombëtar ai paraqitet si figura më e zezë, më negative e kombit shqiptar në të gjithë historinë e tij.

Studentët e Universiteteve të Tiranës në një veprim epik të organizuar nga PD dhe shoqata e tyre nisen me 17 Shkurt të vitit 1991 grevën e urisë më masivja që ka njohur ndonjëherë Shqipëria.

Më masivet në historinë e grevave të vetëflijimit në botë. Qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë vërshuan nga të katër anët dhe mbushën si kurrë më parë Qytetin Studenti në çdo rrugicë dhe shesh të tij. Nga ky qytet të ftuar nga artistja e mirënjohur Raimonda Bulku në thirrjen “Te Sheshi, te sheshi”, masa e qytetarëve u derdh drejt qytetit të Tiranës dhe sheshit Skënderbej.

Përmbysi shtatoren e njeriut që kishte zhytur vendin në izolim dhe varfëri. Kjo datë ishte data në të cilën PD, u shndërrua në parti të vërtetë opozitare. Ishte data në të cilën guximi masiv dominoi mbi frikën dhe terrorin masiv. Ngjarja kulmore e revolucionit në vitin 1991 bëri të mundur triumfin e këtij revolucioni. Nuk do kishte përmbysje me votë të lirë të sistemit komunist.

Mesazhi i 20 Shkurtit është sot më aktual se kurrë pas 32 vitesh Edi Rama, nipi i xhelatit që 32 vite më parë kërkonte të fuste tanke te studentët, i biri i një xhelati tjetër firmoste varjen në litar në një akt hakmarrje primitive. Kërkon të asgjësojë opozitën shqiptare”, deklaroi Berisha.