26 milionë euro, fatura fiktive me TVSH e skrapit

852
Katër muaj pas denoncimit të “Telegraf”, drejtësia nis “Veting”-un për këtë dosje me kupolë drejtuese firmën “Kurum”
Drejtësia, “Veting” për dosjen 26 milionë euro të TVSH fiktive të skrapit që përfundoi si… “skrap” 
Arjan ZADRIMA
Firmat dhe individët që përbënin bandën e kësaj super-vjedhjeje, pasi u “çukitën” nga drejtësia me ndonjë gjobë sa 1 milionë lekë, u lanë të lirë dhe po vazhdojnë aktivitetin, ndërkohë që ekspertja kontabël H. Muçollari që bëri bilancet fiktive të këtij krimi financiar me viktimë shtetin (taksat e shqiptarëve) jo vetëm ka hedhur “havada” drejtësinë duke dalë “e pastër”, por po vazhdon e qetë profesionin në raportet e aktivitetit me shtetin
Vetëm 4 muaj pas denoncimit në “Telegraf”, të mbylljes kriminale të dosjes për krimin e vjedhjes 26 milionë euro të rimbursimit fiktiv të TVSH-së së skrapit, bërë prej “bandës së skrapit” në bashkëveprim me firmën turke “Kurum”ku vetëm me letra false bëhej sikur skrapi blihej, shitej e çohej në firmën “Kurum”me letra dhe bilance fiktive, dje ka ardhur sinjali nga Ministria e Drejtësisë,sipas të cilës konfirmohet se kjo dosje është rikthyer për t’u trajtuar me zbardhje të të plotë, duke qenë pjesë e “Veting”-ut, për ata zyrtarë drejtësie që e mbyllën sikur të ishte vjedhur “1 dorë kumbulla” e jo 26 milionë dollarë dhe për ata zyrtarë tatimesh, ekspertësh kontabël e pronarë firmash, të cilët u arrestuan e u liruan për këtë super-vjedhje 26 milionë euro të cilat janë taksa të shqiptarëve, por që përfunduan pasuri të mafies që organizoi, shfrytëzoi dhe mbylli këtë krim të madh financiar! Nëpërmjet provave që disponon shërbimi tatimor në Tiranë e Elbasan, si dhe sektori hetimor fillestar i anti-krimit ekonomik-financiar, por edhe nga burime brenda kompanisë së falimentuar “Kurum”, flitet se gjithë letrat e gjoja grumbullim, shitje, blerje e transportim të skrapit janë bërë me fatura e bilance kontabël fiktiv, duke mos shitur as :1 bisht luge skrap” dhe duke vjedhur 26 milionë euro rimbursim të taksës 20% TVSH! Banda e strukturuar e skrapit përbëhej nga 60  persona, 15 prej të cilëve u arrestuan, disa të mbajtur në burg e disa të lënë në “arrest shtëpie, ekspertja kontabël H. Muçollari e nxjerr “e pastër” nga drejtësia dhe “e sëmurë” nga mjekësia, por edhe arrestimi i 45 të tjerëve, të pa përmendur as si emra. Çdo anëtar drejtues i “Bandës së TVSH-Skrapit”, kishte detyrën e vet në këtë krim me vlerë të vjedhur 26 milionë euro. Prej tyre bliheshin blloqe tatimore, bëheshin shitje-blerje me TVSH, liheshin adresa fiktive biznesi skrapi, firmoseshin e vuloseshin letra transporti false, bëheshin bilance fiktive blerje-shitje biznesi skrapi, bëheshin miratime po fiktive në tatime, bëheshin likuidime me letra fiktive në banka dhe kështu vazhdoi kjo super-vjedhje me skrapin me stacion fundor falsiteti firmën mafioze turke “Kurum”, deri ditën që “ndryshku” i biznes-krimit fiktiv të skrapit u zbulua dhe vepruan prangat, të cilat u hoqën shpejt duke u konvertuar në gjoba e në ca dënime “xhepistësh” adoleshentë që kapen nëpër autobusë! 
Vjedhja me TVSH e skrapit, sa 2 buxhete të Bashkisë së Tiranës
Nuk e dimë, se si janë ndarë brenda e grupit dhe me shefat  e zyrave të tatimeve ato 26 milionë euro që faktikisht janë sa 2 buxhete vjetore të Bashkisë së Tiranës, por dimë faktin që këto taksa shqiptarësh nuk i janë kthyer buxhetit të shtetit. Përkundrazi, banda e falsifikatorëve gëzon lirshëm, jo vetëm pasuritë që ka vënë edhe nëpërmjet këtij krimi e aktiviteteve të tjera të paligjshme, duke vazhduar partneritetin me shtetin edhe me tendera të fuqishëm të skrapit dhe të bilanceve kontabël, deri me konkurrim të KQZ për të bërë bilancet financiare të partive politike dhe të kandidatëve për kryebashkiakë e deputetë! Çfarë ka ndodhur? Janë miliona euro që i janë zhvatur shtetit dhe drejtësia i ka mbyllur si “gabime llogarie kamerierësh”, apo si “gabim njerëzor”, me disa dënime “disiplinore”! Po cilët janë njerëzit që kanë bërë këto “gabime njerëzore”? A janë kthyer milionat e vjedhura në arkën e shtetit? A u hetua, se ku përfunduan 26 milionë euro, të vjedhur nëpërmjet letrave false të rimbursimit të skrapit që nuk ka ekzistuar fare?! A u hap dosja e pasurive të anëtarëve të bandës së skrapit, zbuluar prej anti-krimit në datën 28 shtator 2015? Cilat “duar” e çuan “për skrap”, dosjen 26 milionë euro të TVSH së skrapit? 
Ja skema e vjedhjes së TVSH së skrapit, sipas versionit zyrtar
Nga hetimet rezultoi, se subjektet tregtare të mësipërme, të konsideruara të Nivelit II, sasitë e skrapit i sigurojnë duke e blerë nga persona të ndryshëm, nga fitimi i tenderëve të ndryshëm për blerje hekuri, kryesisht nga demontimi i ish-fabrikave të ndryshme apo subjekte të tjerë, të cilët janë të regjistruar në QKR dhe në Sistemin Informatik të Tatimeve, me aktivitet grumbullim e shitje skrapi. Por në fakt, shumica e subjekteve, që janë hequr si të Nivelit III, janë regjistruar në mënyrë fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSH-je në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve. Me këto blloqe lëshonin më pas fatura shitjeje me TVSH fiktive për shitje skrapi tek subjekte të Nivelit II. Por kjo faturë quhej fiktive, pasi në fakt nuk kryhej shitje e mallit në të vërtetë, pra nuk dërgohej sasi skrapi. Dhe për të realizuar skemën, përdornin persona me vështirësi ekonomike ose të panjohur, të cilët i paguanin, duke i konsideruar si blerës të këtij malli. Duke mos njohur procedurat, këta punonjës përdoreshin në skemën e mashtrimit, kurse përfitimin e rimbursimit e tërhiqnin kompanitë fantazmë.
Personat e prangosur, për 26 milionë euro të TVSH fiktive të skrapit
  1. Agim Xhika, hetuar me masën arrest në burg
  2. Josif Kadriaj, hetuar me arrest në burg
  3. Maltin Lleshi, hetuar me arrest në burg
  4. Ramiz Veizaj, hetuar me arrest në burg
  5. Kadri Rama, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  6. Avni Hoxha, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  7. Robert Hoxha, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
  8. Gjergji Lami, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi detyrim paraqitjeje)
  9. Ilir Allmeta, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
10. Flamur Gjinaj, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
11. Juxhin Zeqaj, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
12. Përparim Zeqaj, hetuar me arrest në burg (më pas, gjykata vendosi arrest në shtëpi)
13. Durim Musa, hetuar me arrest në burg (në mungesë)
15. Krenar Mukaj, hetuar me arrest në burg (në mungesë), më pas detyrim paraqitje
15. Hava Muçollari, ekonomiste-kontabiliste, “arrest shtëpie” 
Firmat që bën shit-blerjen fiktive të skrapit
1. “Aleksi&Ajsi” shpk,
2. “Ajsi” shpk
3. “Alsima” shpk
4. “Hoxha” sh.pk
5. “Xhois-grup” shpk
6. “Prokat” shpk
7. “Silealb” shpk
8. “Musa” shpk
9. “Gold plus” shpk,
“Kurum”që firmosi 26 milionë euro fatura fiktive të TVSH së skrapit, u hoq nga dosja e krimit!
 
Firma “Kurum” ka shpëtuar nga “furra” e akuzës për krimin zbuluar në 12 dhjetor 2015, bërë me faturat false të blerjes dhe rimbursimit fiktiv të TVSH për skrapin, me vlerë abuzimi 26 milionë euro, për të cilin edhe pse “Kurum” nuk merrte asnjë gram skrap, lëshonte fatura rimbursimi shit-blerjeje skrapi për disa firma grumbullimi e tregtimi me të cilat bashkëpunonte në këtë krim! “Kurum”nuk është më pjesë e hetimit për skandalin e skrapit, edhe pse është pjesë e këtij krimi, edhe pse “linja” e mashtrimit me TVSH e skrapit funksiononte kështu: subjektet fantazma, ishin të regjistruar fiktivisht sa për të krijuar mundësinë e sigurimit të blloqeve me fatura tatimore dhe i lëshonin këto fatura po fiktivisht, për efekt rimbursimi fals të vlerës 20% TVSH, duke mos grumbulluar, duke mos blerë e shitur asnjë gram skrap! Por rimbursimi 20% i TVSH-së, zhvatej rregullisht prej 15 vitesh, nga të gjithë palët e kësaj loje, duke e çuar vjedhjen në 26 milionë euro. Për këtë vjedhje, sipas organit të akuzës janë proceduar 15 individë dhe 9 subjekte, si dhe 60 individë të tjerë. Rezulton se “Kurum”,nuk figuron as në dosjen tatimore të “TVSH së skrapit”!
“Kurum” i falimentuar me ligj, furnizohet çdo ditë me 350 ton skrap
 
Në datën 10 prill 2015, shteti i vendosi “kyçin” portës së kompanisë “Kurum”, për të mos ushtruar asnjë aktivitet deri në plotësim të detyrimeve mjedisore, me afat datën 20 maj 2015. Përditë, në portën e “Kurum”futen 15-20 makina ngarkuara me skrap, pa llogaritur qindra kamionçina e karroca, të cilat shkarkojnë skrap në “malet” e skrapit brenda mjediseve të “Kurum”, ku si vend depozite përdoret ana e lumit Shkumbin, që përshkon gjatësinë territorit të firmës “Kurum”. Sipas vendimit të bllokimit, kjo firmë nuk duhet të ushtroj asnjë lloj aktiviteti që ka lidhje me hekurin, madje as grumbullim skrapi. Një fakt: në datën 9 mars 2015, pas kontrollit të ushtruar, rezulton se “Kurum”nxjerr si mbetje skrapi (materiale kancerogjene) afro 50 mijë tonë skorje skrapi në vit, si dhe shpërndan çdo vit mbi 100 mijë m3 shtëllunga  tymrash helmues nga shkrirja e metaleve dhe pluhura me përbërje të oksidit të zinkut e plumbit nga përpunimi i skrapit, pa llogaritur afro 600 tonë mbetje plastike në vit, të cilat gjatë shirave rrëmbehen nga rrjedha e lumit Shkumbin e përfundojnë në degëzime lumenjsh të tjerë e deri në det. Saktësojmë, që mali i mbetjeve të skorjeve të skrapit buzë lumit Shkumbin në kufirin me “Kurum”është 230 metër gjerësi dhe 24 metër lartësi, ose sa një pallat me 10 kate! 
Sigal