26 kilogramë kanabis në bagazhin e automjetit, arrestohet 42-vjeçari

64
Sigal

Një 42 vjeçar është vënë në pranga nga Policia në Durrës, pasi dyshohet se transportonte sasi të konsiderueshme lënde narkotike, të llojit kanabis sativa.

Në automjetin e tij, tip “Benz” u zbuluan 5 thasë me kanabis në peshën e 26 kilogramëve.

Sipas uniformave blu, 42-vjeçari ishte banues në Fushë Krujë, dhe u arrestua për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Sinjalizimi”, si rezultat i informacioneve të siguruara nga Policia, se një shtetas po transportonte sasi të konsiderueshme cannabisi.

Sekuestrohen 5 thasë me lëndë narkotike cannabis sativa, me peshë totale 26 kilogramë.

Vihet në pranga 42-vjeçari të cilit iu gjetën thasët me cannabis, në bagazhin e automjetit tip “Benz” që drejtonte.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për një shtetas që po transportonte cannabis, si dhe në vijim të goditjeve të Policisë, ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, është finalizuar operacioni policor i koduar “Sinjalizimi”.

Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Durrës, në fshatin Ishëm, kanë ndaluar për kontrolle automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin M. K. Gjatë kontrolleve, në bagazhin e këtij automjeti, u gjetën 5 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 26 kilogramë, sasi e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin M. K., 42 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.