26 drejtues të lartë të nxirë nga bloza e përgjimeve. Anulohet shpallja e vendimeve të Vettingut për 34 drejtues policie

124
Sigal

Bllokohet përsëri Vettingu i drejtuesve të policisë. Shkaku i vërtetë është: 26 nga 34 drejtues të hetuar, kanë dalë me pasuri të shumta e të paligjshme, kanë dalë edhe në përgjime për lidhje me eksponentë krimi e korrupsion.

Procesi i Vettingut në policinë e shtetit, megjithëse ka hyrë në fuqi e nisur që në mars 2018, ka ngecur pas verifikimit të 12 drejtuesve të lartë, duke e zvarritur qëllimisht me ndryshime ligjore çdo 6 muaj, deri sa në muajin nëntor 2022 e lanë në kompetencë të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. Më 10 prill 2023, ish- Drejtori i AMP, Ardi Veliu, njoftoi me listë emërore, se kishte nisur procesi i Vettingut për 380 drejtuesit e lartë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në drejtoritë e qarqeve, komisariate, gardë, akademi e strukturat speciale. Ndërsa më 15 tetor 2023, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Policisë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, njoftuan se brenda tetorit 2023, do publikohej lista emërore, me rezultatet e Vettingut për 34 drejtues të policisë që do qëndronin, ose do përjashtoheshin nga policia. Por edhe këtë herë, sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, procesi i Vettingut është bllokuar ditën e mërkurë më 25 tetor 2023, pas propozimit nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore, me pranim nga drejtori Muhamet Rrumbullaku e miratim të Ministrit të Brendshëm. Pra, rezultati i Vettingut për 34 drejtuesit e parë e të lartë të policisë, nuk do publikohet brenda muajit tetor, duke përdorur si shkak dorëheqjen e “papritur” të Drejtorit të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliu. Kjo është alibia e përdorur këtë herë, për ta bllokuar përsëri Vettingun drejtuesve të policisë; sepse shkaku i vërtetë është ky: 26 nga 34 drejtues të hetuar, kanë dalë me pasuri të shumta e të paligjshme, kanë dalë edhe në përgjime për lidhje me eksponentë krimi, të përfshirë direkt vetë në veprimtari kriminale dhe me shumë denoncime të rënda nga qytetarët. Për të fshehur përfshirjen e kupolës së policisë në korrupsion dhe në lidhje me krimin e me pasuri të përfituara prej këtyre lidhjeve, u vendos të mos publikohen emrat, mbasi do jetë një goditje e fortë për organizatën policore në sy të shqiptarëve e partnerëve ndërkombëtar.

Realisht, ministri Taulant Balla e ka filluar vetëpastrimin me pezullime, shkarkime, përjashtime e arrestime efektivësh dhe drejtuesish; por ende të nivelit të ulët, pa u ngjitur akoma te “ujqërit” e përjetshëm të kupolës drejtuese, ndërkohë që mundësia për largimin të kapurve prej krimit është Vettingu i nisur, por i bllokuar përsëri.
Është e kuptueshme, që drejtuesit e lartë të kupolës policore nga qendra, në strukturat speciale, në rrethe e prefektura, i ka emëruar kupola e qeverisë, politikës e oligarkëve; e për rrjedhojë, janë krijuar lidhje interesash e shërbimesh klienteliste reciproke mes tyre.

Një nga këto interesa, është dhe mos largimi i të inkriminuarve, duke mos i kaluar në Vetting, ose bllokimi i Vettingut për ta, kur nga hetimet u dalin zullumet. Siç po veprohet me vendimet për 34 drejtuesit e listës së parë të Vettingut, që u vendos të mos publikohen brenda muajit tetor, duke i lënë në detyrë, paçka se duhen shporrur nga policia e duhen çuar para drejtësisë.

Të kapur me rrjetën e aplikacioneve të krimit

Dorëheqjet prej ushtarëve besnikë të Rilindjes në polici, ngrenë dyshime të forta se si kapen në përgjimet SKY apo Encrochat zyrtarë nga radhët e policisë, ku dyshohet se dalin në pah pazare dhe korrupsion. Aplikacione që kryesisht u përdorën për të kapur eksponentë të krimit, por në rrjetë duken se kanë rënë dhe zyrtarë police. Prej muajsh, policia e shtetit është në ankth për shkak të dosjes “Metamorfoza 2” dhe për të zbuluar policët e inkriminuar.