1500 besimtarë i kërkojnë Komunitetit Mysliman të hapë xhamitë

389
Sigal

Besimtarët myslimanë i janë drejtuar sërish Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me një kërkesë për të hapur xhamitë.

Në një peticion të nisur sot online dhe të nënshkruar nga mbi 1500 vetë, ata i kujtojnë KMSh-së se jeta ekonomike e shoqërore po i rikthehet gradualisht normalitetit dhe pas 18 majit nuk do të ketë asnjë aktivitet të mbyllur përveç shkollave.

Për këtë arsye, shprehen ata në këtë peticion, është detyrë e KMSh që të bëjë çdo përpjekje për të nisur hapjen e xhamive duke respektuar normat e distancimit social dhe higjienës në këto mjedise.

Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me vendimin e datës 22 prill 2020, refuzoi kërkesat e mëparshme të mijëra besimtarëve për të hapur xhamitë e Tiranës në mënyrë graduale dhe në zbatim të distancimit social.

Forumi më i lartë i KMSh-së vendosi t’i mbyllë xhamitë me gjithë fillimin e muajit të Ramazanit dhe pavarësisht se vendi po i rikthehet normalitetit dita-ditës.

Nënshkruesit kanë shprehur habinë se si rrezikohet përhapja e infeksionit nga frekuentimi i xhamive duke normat e OBSh për distancimin social kur autoritetet kanë vendosur hapjen e bar-kafeve dhe restoranteve. Madje ata kanë vënë në pikëpyetje bazën mbi të cilën u mor vendimi i datës 22 prill për mbylljen e xhamive.

“Bazuar në cilin opinion, të detajuar dhe të zgjeruar, të cilëve ekspertë, që pasi kanë studiuar dhe njohin më së miri veprimtarinë ditore të një besimtari në xhami, mundësinë për modifikimin e saj duke iu përshtatur kushteve që dikton situata aktuale e pandemisë, kanë vendosur gjithsesi se është e pamundur dhe me rrezik maksimal çelja e dyerve të xhamive?!” – shprehen nënshkruesit.

Në kërkesën e tyre të fundit besimtarët i kanë kujtuar KMSh-së se institucioni që përfaqëson myslimanët shqiptarë është shumë pas edhe shoqatave myslimane në vende si Gjermani, të cilat kanë arritur të fitojnë të drejtën për hapjen e xhamive përmes një padie të suksesshme në Gjykatën Kushtetuese të Saksonisë së Ulët. Siç dihet, Gjermania planifikon të nisë hapjen e xhamive, kishave dhe sinagogave me datë 9 maj.