15% e fëmijëve në Shqipëri janë mbipeshë dhe me zhvillim të munguar

504
Sigal

Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme rrezikojnë të minojnë progresin dhe zhvillimin e tyre nga një fenomen i cili vlerësohet si një thikë me dy presa: barra e dyfishtë e kequshqyerjes, thotë një studim i publikuar këtë të hënë nga një prej revistave më prestigjioze mjekësore në botë, “The Lancet”, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ky fenomen, pra obeziteti dhe nën-ushqyerja, është rrjedhojë e mungesës së aksesit në ushqimin e shëndetshëm. Më e keqja, thotë studimi, shihet edhe brenda të njëjtës shtëpi, pra një mama mbipeshë dhe një fëmijë i nën-ushqyer, e që jetojnë nën të njëjtën çati.

Madje, ndonjëherë, DBM-ja, pra barra e dyfishtë e kequshqyerjes vihet re edhe te i njëjti individ, pra një fëmijë i cili është edhe mbipeshë edhe ka mungesë zhvillimi, për shkak të mungesës së elementëve kryesor të ushqyerjes. Shqipëria rezulton si vendi më problematik në këtë drejtim, duke pasur një rekord botëror, mes rreth 130 shteteve të analizuara.

Kjo normë në vendin tonë është më shumë se 15%, çka do të thotë se thuajse 1 në 6 fëmijë i ka të dyja: edhe obezitetin edhe zhvillimin e penguar. Me zhvillim të penguar, organizata botërore e shëndetësisë i referohet të gjithë fëmijëve të cilët kanë një gjatësi nën nivelin prag të paracaktuar në raport me moshën.

Nëpër botë janë rreth 160 milionë fëmijë të tillë, pjesa më e madhe e të cilëve në Afrikë.

Në Shqipëri ndërkohë, rezulton se më shumë se 15% e fëmijëve i kanë të dyja rastet. Të dyja këto forma kequshqyerje lidhen me probleme shëndetësore dhe vdekje të parakohshme, ç`ka peshon rëndë edhe në sistemin shëndetësor dhe produktivitetin në punë të një vendi, thotë studimi. Ndër të tjera, në raport thuhet se mbipesha dhe zhvillimi i penguar janë kryesisht fenomene që shihen gjerësisht në vendet e varfra dhe ato në zhvillim.