140 dosjet e para që presin shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese

229
Sigal

Përparim Kalo është anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, që u zyrtarizua në detyrë pasi bëri betimin në Presidencë duke bërë kështu funksionale këtë gjykatë pas gati 3 vitesh. Nga dita e hënë ai merr zyrtarisht detyrën, ku pritet të nisë një punë voluminoze. Sipas burimeve deri tani janë 140 dosje që presin të shqyrtohen nga 6 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ndër çështjet kryesore janë edhe ato më të debatuara të politikës, si ajo e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, që opozita i cilësoi si antikushtetuese.

Për këtë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka paraqitur një kërkesë në Kushtetuese, Korrikun e kaluar, ku kërkonte anulimin e tyre si dhe verifikimin e regjistrimit në këto zgjedhje të partisë së re, Bindja Demokratike.

Një tjetër çështje e nxehtë është edhe prishja e Teatrit Kombëtar. Në Maj të 2019-s, Presidenti Ilir Meta depozitoi një kërkesë duke ankimuar ligjin për “Shembjen e Teatrit”. Të njëjtën kërkesë Meta e depozitoi edhe në Maj të këtij viti, pasi qeveria vendosi të kalojë në pronësi të bashkisë godinën e teatrit që më pas solli edhe shembjen e tij. Këtë vendim Meta e cilësoi antikushtetutes duke i kërkuar gjykatës në atë kohë të dalë me një vendim për ligjshmërinë e këtyre hapave të ndërmarrë nga qeveria.

Dosjet e tjera kanë të bëjnë me çështje që lidhen me pronat, por edhe përplasjet mes institucioneve, ndërsa nuk mungojnë edhe individë të caktuar që kërkojnë zgjidhje në këtë gjykatë.