11 Janar 1946 – Republika që triumfoi mbi monarkinë!

2475
Muharrem Xhafa

Shqiptarët përkujtojnë nesër 11 Janarin 1946 – Ditën e Republikës Popullore të Shqipërisë, 72 vjetorin e shpalljes së saj. Republika Popullore e Shqipërisë është emri i shtetit të ri demokratik shqiptar, që u vendos fill pas fitores së LANÇ-it mbi pushtuesit nazifashiste dhe vendosjes së pushtetit popullor. Ky emërtim u ruajt deri kur, më 28 dhjetor 1976, shteti shqiptar me vendim të Kuvendit Popullor u emërtua Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. Ndryshimi i emrit të shtetit nuk preku aspak formën e regjimit politik të vendit, po pasqyronte më të plotë e më saktë përmbajtjen e shtetit shqiptar socialist, përparimet e bëra dhe ndryshimet e thella të gjithanëshme, që vendi ynë kishte realizuar në tri dekada të ndërtimit të socializmit. Sot, në veçanti për brezin e ri, ka shumë rëndësi të kujtohet, se data 11 Janar 1946 shënon edhe ditën e saktë të triumfit zyrtarisht të popullit shqiptar mbi monarkinë, mbi ballistët, mbi zogistët e mbi bajraktarët. 11 Janari ishte në vitet e pushtetit popullor ditë festë zyrtare dhe, siç ajo meritonte, përkujtohej me të gjitha nderimet përkatëse edhe nga shteti, edhe nga populli. Që prej vendosjes së kapitalizmit, 27 vjet më parë, festa e Republikës së Shqipërisë, as festohet e as nuk nderohet më nga politika e shteti i borgjezisë. Jo vetëm kaq! 11 Janari është hequr si emër nga të gjitha objektet e institucionet e vendit, për shkaqe krejt politike! Sepse Republika Popullore e Shqipërisë përbën një fitore historike dhe një ngjarje të madhe të shquar mbarëshqiptare, cila i ka rrënjët e saj në LANÇ-in që udhëhoqi Enver Hoxha në krye të PK të Shqipërisë dhe u bë realitet në socializëm, fill pas çlirimit të vendit! Çdo shqiptar patriot i vendit të tij duhet të dijë se Shqipëria nuk u emërtua e as u shpall Republikë Popullore rastēsisht e subjektivisht, po doli nga vullneti i popullit, i cili u shpreh lirisht në zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1945 dhe u sanksionua juridikisht nga Asamblea Kushtetuese e dalë nga këto zgjedhje, me 11 janar 1946. Në thelb, pushteti borgjez në Shqipëri, është pozicionuar kundër Republikës për Monarkinë, tjetër se, kur ia do interesi, hedh ndonjë shashkë për Republikën. Për këtë flasin e dëshmojnë gjithë nderimet e temenarat, që i bëhen Ahmet Zogut dhe regjimit monarkik të tij! Ne do të uronim që të mos ndodhte kështu tani që është PS-ja në pushtet! Por kjo nuk po ndodh! Përse nuk nderohet e nuk përkujtohet 11 Janari, siç thanë, kjo dihet? Po është “e habitshme” që, në këto 27 vjet kapitalizëm, nuk kemi dëgjuar të flitet as për ndonjë datë tjetër të Republikës së Shqiperisë nga shteti shqiptar! Pa dyshim, kjo merret me mend, sepse nuk ka për çfarë Republike të flitet, veçse për Republikën e Ahmet Zogut, e cila i shërbeu atij për nja 3 vjet si një urë kalimi për në Monarki, pa pasur vendi asnjë traditë monarkije! Shqipëria është Republikë parlamentare dhe duhet të ketë një ditë të saj. Shteti shqiptar nëse pranon si ditë të Republikës ditën e Republikës së shpallur nga monarku Ahmet Zogu, ai edhe këtë duhet t’ia thotë popullit! Për shqiptarët, 11 Janari 1946 është e do të mbetet Dita e Shpalljes së Republikes së Shqipërise, Dita e Republikës! Rroftë 11 Janari 1946!
Sigal