Në 22 Qershor 2026, përkujtohet me respekt dhe përulje 82 vjetori i rënies së Dëshmores së Atdheut, Hamide Dalipi (Isufi). Hamideja, është Dëshmore e Atdheut. Rënia e Hamidesë, ashtu si të gjitha ngjarjet e hidhura të luftërave e sidomos të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, ka brenda saj një dhimbje dhe një tragjedi të rëndë, sa vetë malet ku lindi e u rrit. Hamideja u lind në vitin 1915, në familjen Isufi të fshatit Rexhin, të Kurveleshit. Ajo u martua me Fejzo Dalipin, i cili rridhte nja një familje patriotike, në breza dhe lindën tre vajza. Hamideja, që në vegjëli, ishte e mbrujtur me ndjenja të larta patriotike. Ajo në përkrahje të familjes së saj, por sidomos në mbështetje të bashkëshortit, luftëtarit dhe veteranit të nderuar, u bë aktiviste e luftës Na-Çl, qysh nga fillimi i saj e deri në rënien Dëshmore e Atdheut. Shtëpia e saj u bë baza kryesore e luftës në fshatin Rexhin. Në shtëpinë e Fejzo Dalipit, bëheshin të gjitha takimet mbledhjet, organizimet, formimi i celulave e njësive, për fshatin dhe për krahinën. Bashkëshorti i saj, doli partizan që në orët e para e deri në çlirimin e vendit. Hamideja, qëndroi e fortë, duke i doli zot shtëpisë dhe tre vajzave të vogla dhe njëkohësisht, ajo ishte aktiviste në ndihmë të luftës, si anëtare e Çetës territoriale dhe kryetare e organizatës së gruas, për fshatin. Muaji Qershor i vitit 1944 ishte një muaj i zi për gjithë zonën e jugut të Shqipërisë. Atë muaj gjermanët ndërmorën “Operacionin e Qershorit”, i cili njihet nga historia, si operacioni më famëkeq i Luftës së II-të Botërore, në Shqipëri. Fshati Rexhin është një fshat i vogël, me tradita të thella patriotike. Të gjitha familiet ishin të lidhura me Luftën NaÇL, prandaj në fshat kishin mbetur vetëm burrat e moshuar dhe gratë e fëmijët me vegjël, të tjerët kishin dalë partizanë. Hamideja, me disa aktivistë dhe aktiviste, morën barrën e rëndë të kryenin lëvizjen e popullsisë për të shpëtuar nga raprezaliet e armikut.

Banorët e fshatit Rexhin, ashtu si banorët e gjithë fshatrave të tjerë të krahinës, u organizuan për t’u fshehur në mal. Hamideja, me vajzat e saj, shtrënguar pas vetes, lëvizte nga grupi në grup dhe nga fillimi në fund të kolonës së fshatarëve, për t’i ndihmuar që të pozicionoheshin sa më mirë dhe të mbroheshin nga predhat e artilerisë e nga bombardimet. Kur arritën në vendin e quajtur Qafa e Xhimoravës, banorët ndaluan për të pushuar, të fshehur mes pemëve. Hamideja karakterizohej nga një natyre e qetë dhe e ëmbël. Ajo kishte një dashuri të madhe për fëmijët dhe kujdesej shumë për ta. Hamideja, me kujdes e vetëmohim, mori një grup prej fëmijëve, i fshehu mes pemëve, duke i mbuluar me trupin e saj. Papritur një predhë e hedhur në drejtim të banorëve ra mbi Hamidenë, duke i marrë asaj jetën. Ajo ra duke mbajtur shtrënguar me njërën dorë vajzën e vogël 6 muajshe, që kërkonte të pinte në gjirin e nënës, ndërsa dorën tjetër të hapur, për të mbrojtur jetën e fëmijëve të pafajshëm. Sakrifica e nënës heroinë, e cila mdrojti heroikisht, me jetën e saj, fëmijët e vegjël, nuk arritii t’i shpëtonte jetët e dy vajzave të saj, të vogla. Një vit më pas, në një ditë Qershori të vitit 1945, nga plagët dhe sëmundjet e luftës, në mungesë të dashurisë dhe kujdesit të nënës, dy vajzat e vogla të Hamidesë u n danë nga jeta. Për veprimtarinë dhe sakrificën, Hamide Dalipi, është shpallur Dëshmore e Atdheut. Në nder dhe respekt të saj rruga tek xhamia në Sauk, Tiranë mban emrin: Rruga “Hamide Dalipi”. Në atë të ditë të zezë të qershorit 1944 së bashku me Hamidenë, dhanë jetën e tyre edhe dëshmorët e fshatit Rexhin, Velo Emini, Xhemo Feini, Lale Pashaj dhe dy fëmijë 6 vjeçar, Çobo Isufi e Lika Feini. Ata kujtohen dhe do te kujtohen me respekt e dashuri, brez pas brezi.



















