Policia e Shtetit ka bërë me dije se janë konstatuar faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të institucionit, të krijuara nga autorë të paidentifikuar me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.
Këto faqe shpërndahen përmes mesazheve SMS dhe adresave emaili të maskuara, duke u paraqitur si njoftime për gjoba të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.
Policia sqaron se mesazhet nuk janë dërguar nga institucionet shtetërore dhe se autorët përdorin teknika të sofistikuara për të mashtruar qytetarët, duke i orientuar drejt faqeve të rreme ku u kërkohet vendosja e të dhënave bankare.
Qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave bankare dhe përvetësimi i fondeve nga llogaritë e qytetarëve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS apo platformave të tjera.

Njoftimi i Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit bën me dije qytetarët se është konstatuar një skemë mashtrimi online, ku autorë të paidentifikuar kanë krijuar faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.
Këto faqe shpërndahen përmes mesazheve SMS, dhe adresa emaili të maskuara, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si njoftime të dërguara nga autoritete shtetërore, lidhur me pagesën e gjobave për shkelje të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.
Sqarojmë se këto mesazhe NUK janë dërguar nga institucionet shtetërore. Autorët kanë përdorur teknika të sofistikuara për të mashtruar qytetarët dhe për t’i orientuar drejt faqeve të rreme, ku u kërkohet vendosja e të dhënave bankare.
Qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave bankare dhe më pas përvetësimi i fondeve nga llogaritë e qytetarëve.
Policia e Shtetit bën thirrje për kujdes maksimal:
* Mos klikoni në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS apo platformave të tjera.
* Mos vendosni asnjëherë të dhënat tuaja bankare në faqe të pa verifikuara.
* Verifikoni çdo gjobë vetëm në kanalet zyrtare.
Qytetarët mund të kontrollojnë gjobat:
* në portalin zyrtar e-Albania: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=879
Në rast se keni vendosur të dhënat bankare në faqe të dyshimta:
* Kontaktoni menjëherë bankën tuaj për të bllokuar kartën/llogarinë dhe për të marrë masat përkatëse si dhe denonconi rastet pranë Policisë së Shtetit.
Strukturat ligjzbatuese janë duke punuar për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve.





















