Suplementi Pena Shqiptare/ Shefik Arifi: Mamija

Shefik Arifi

NOA

MAMIJA

E para, ajo e mbajti të sapolindurën, në dorë.

Dhe sytë iu çelën si lulet te pranvera që buisin.

Ky do të ishte lajmi më i shumëpritur në atë orë

dhe në njëmijë lajme po të ishin.

Për maminë dhe për nënën që në jetë fëmijën solli.

Telefonat me urime vazhduan deri vonë.

Të gjitha buzëqeshjet që ajo natë mblodhi

u bënë dritë tek ajo dhomë.

SI NJË BUZËQESHJE

Ti erdhe në jetën time

si një buzëqeshje që triumfon mbi halle.

Siç vjen Hëna dhe bëhet një

me dritën e dhomës, në dritare.

Të vije, e dashur, si një lule prilli

se unë doja të të njihja vetë.

Edhe po të ishe e vogël sa një pikë floriri!

Edhe po të ishe e madhe sa një kontinent!

Në Sytë E Tu

Në sytë e tu lexoj ndjenjat e shpirtit;

Aty shikoj të madhin oqean.

Stinët më të bukura të vitit,

aty brenda, gjithw bukuritw janë.

 

Shikimi yt më merr me vete,

Dhe fluturoj si zogu i pyllit.

Të vij tek ty si valë në dete,

Të rri tek ty në cep të syrit.

Dashuria Për Ty Kurrë S`ka Vdekur

I qëndrojmë njëri-tjetrit pranë,

dhe emocionet pak nga pak qasen.

Për ne dashuria është ende gjallë,

se s’jemi dallgë që të përplasen.

 

Unë kam ftohtë, i mbuluar me ethe,

dhe nata në terr s’më mbyt dot.

Dashuria jonë s’ka rënë si gjethe,

e mbajmë në shpirt që të na ngroh.

 

Në zemrat tona dashuria ka mbetur!

Ka mbetur tek unë, ka mbetur tek ti.

Se një njeri quhet i vdekur,

kur s’ka më brenda dashuri.