Xhelal Mziu: Po fshiheni pas SPAK duke bllokuar interpelancën për fondet e IPARD!

Xhelal Mziu

Ligjvënësi demokrat Xhelal Mziu reagoi ashpër pas refuzimit të një kërkese të deputetëve të opozitës për interpelancë urgjente me ministren e Bujqësisë, për abuzimin me fondet e programit IPARD.Deputeti demokrat Mziu, në emër të grupit të deputetëve kërkues, akuzoi drejtuesin e seancës se po anulon në mënyrë të padrejtë interpelancën, duke u fshehur pas një preteksti. Sipas tij, kërkesa për të debatuar mbi “situatën kaotike që po kalon bujqësia”, u bllokua me arsyetimin se përmendja e fondeve IPARD bie ndesh me kompetencat e SPAK.

Xhelal Mziu, Deputet i PD: Unë dhe një grup deputetësh kishim kërkuar ka javë një interpelancë me ministrin e bujqësisë për shkak të situatës kaotike që po kalon bujqësia dhe në mënyrë të papritur, ju zoti kryetar, bëni anulimin e kësaj interpelance me pretekstin se ne futemi në kompetencën e SPAK-ut, sepse në interpelancë midis problemeve të shumta që ka sot bujqësia, ka të bëjë dhe me fondet e munguara të IPARD-it për bujqësinë. Dhe ju me pa të drejtë, meqenëse përmenden fondet e IPARD-it, thoni që bien ndesh me SPAK. Është absolutisht e paimagjinueshme. Nuk ka asnjë lloj konflikti. Parlamenti dhe SPAK-u janë dy institucione të ndryshme. Nëse SPAK-u apo prokuroria merret me individët të cilët bëjnë korrupsion, deputetët janë persona të cilët marrin qeverinë në pyetje apo në interpelancë për problematikat e sektorit, siç është bujqësia. Kështu që është e padrejtë, e pavend dhe duhet që të më jepet e drejta e interpelancës.

NOA