Fotovoltaik / Gati grabitja e  850 ha në Kaninë të Vlorës 

 Një kullotë sa një qytet, kush përfiton dhe kush humbet nga një Park Fotovoltaik ? Në malin e Kaninës po projektohet dhënia me qira e një sipërfaqeje prej rreth 850 hektarësh për 30 vjet, një territor që për nga përmasat krahasohet me sipërfaqen urbane të qytetit të Vlorës.Ku përfitues do jenë një grup oligarkësh, të cilët përfitojnë tarifa të garantuara dhe kontrata afatgjata energjie. 

 

Sigal

Një kullotë sa një qytet, kush përfiton dhe kush humbet nga një Park Fotovoltaik mbi 850 hektarë në Kaninë të Vlorës ?

Në malin e Kaninës po projektohet dhënia me qira e një sipërfaqeje prej rreth 850 hektarësh për 30 vjet, një territor që për nga përmasat krahasohet me sipërfaqen urbane të qytetit të Vlorës.Ku përfitues do jenë një grup oligarkësh, të cilët përfitojnë tarifa të garantuara dhe kontrata afatgjata energjie.

Në malin e Kaninës po projektohet dhënia me qira e një sipërfaqeje prej rreth 850 hektarësh, një territor që për nga përmasat krahasohet me sipërfaqen urbane të qytetit të Vlorës. Në letër, projekti paraqitet si investim strategjik në energjinë e rinovueshme. Në praktikë, megjithatë, shumë banorë të zonës dhe aktorë lokalë ngrenë dyshime serioze se pas kësaj nisme mund të fshihen interesa të fuqishme ekonomike të lidhura me pushtetin, të cilat synojnë përvetësimin afatgjatë të një pasurie publike me vlerë të jashtëzakonshme.

Ky shkrim nuk ka për qëllim të paragjykojë askënd. Por kur një territor i tërë kullosor, që prej dekadash përdoret nga komuniteti, rrezikon të kalojë në duar private për 30 apo më shumë vite, pyetjet janë të domosdoshme. Dhe kur përfliten lidhje oligarkike dhe ndikime politike, hetimi bëhet detyrim publik.

Zona në fjalë nuk është një hapësirë e zbrazët në hartë. Ajo është burim jetese për dhjetëra familje blegtorale, ndaj transparenca duhet të jetë totale , duhet indentifikimi i pronarëve përfitues realë të kompanive që kanë për qëllim këtë projekt dhe këta të fundit duhet të prezantohen me studime të pavarura mjedisore dhe mos të anashkalohet ndikimi ekonomik për komunitetin .

Goditja ndaj pronarëve dhe përdoruesve faktikë.

Zona në fjalë nuk është një hapësirë e zbrazët në hartë. Ajo është burim jetese për dhjetëra familje blegtorale, që prej brezash kanë ushtruar aktivitetin e tyre në këto kullota. Për ta, kjo nuk është thjesht tokë publike, por është kapital ekonomik, garanci për mbijetesë dhe pjesë e identitetit të tyre qindra vjeçar.

Nëse 850 hektarë rrethohen dhe mbulohen me panele fotovoltaike si fillim do të reduktojë ndjeshëm sipërfaqen e kullotjes, do të rrisë kostot për blegtorët, të cilët do të detyrohen të kërkojnë toka alternative ose të blejnë ushqim për bagëtinë si dhe do të ulë prodhimin vendas të qumështit dhe mishit duke sjellë si pasojë zhdukjen graduale të ekonomisë tradicionale rurale. Për shumë familje, kjo do të thotë emigrim i detyruar ose braktisje e aktivitetit. Një park energjetik mund të krijojë disa vende pune të përkohshme gjatë ndërtimit, por ai nuk zëvendëson një ekonomi të qëndrueshme, që ekziston prej dekadash në malin e Kaninës.

Ekonomia rurale përballë kapitalit të madh

Në diskursin publik shpesh thuhet se “investimi sjell zhvillim”. Por zhvillim për kë? Nëse projekti kontrollohet nga një grup i vogël biznesmenësh me kapital të përqendruar, të cilët përfitojnë tarifa të garantuara apo kontrata afatgjata energjie, përfitimi financiar do të përqendrohet tek një elitë shumë e ngushtë. Ndërsa komuniteti lokal përballet me humbje të aksesit në tokë, zhvlerësim të pronave përreth, ndryshim të ekuilibrave mjedisorë si dhe mungesë të përfitimeve reale direkte. Në raste të ngjashme në Shqipëri, projektet e mëdha energjetike kanë treguar se kapitali i madh konsolidohet, ndërsa komuniteti mbetet spektator dhe aq më tepër kur flasim për një komunitet që atë sipërfaqe kullosore e ka pronën e tij të ligjshme.

Dyshimet për ndikim oligarkik

Termi “oligarki” nuk përdoret lehtë. Ai nënkupton një strukturë ku pushteti ekonomik dhe ai politik ndërthuren, duke krijuar avantazhe të padrejta për pak individë. Nëse është e vërtetë që pas këtij projekti qëndrojnë aktorë të lidhur ngushtë me pushtetin qendror apo me rrjete influente ekonomike, atëherë kemi të bëjmë me një çështje që tejkalon nivelin lokal. Kemi të bëjmë me një model zhvillimi ku pasuritë publike kalojnë në kontroll privat për dekada dhe proçeset konsultative bëhen formale ne një kohë që interesi i komunitetit do të relativizohet përballë “interesit strategjik”.

Një sipërfaqe sa një qytet nuk është thjesht investim, por është një kontroll territorial, ekonomik dhe strategjik me pasoja afatgjata. Nëse një sipërfaqe kaq e madhe kalon në përdorim ekskluziv privat për 30–40 vite komuniteti humbet fleksibilitetin e zhvillimit alternativ të pronës stërgjyshore në një kohë që gjeneratat e ardhshme nuk do të kenë më akses në atë pasuri dhe çdo konflikt social do të jetë i zgjatur dhe i kushtueshëm për komunitetin vendas. Duhet kujtuar se toka private është aset privat dhe nuk administrohet nga asnjë pushtet i radhës.

Transparenca si provë e pastërtisë

Nëse projekti është i pastër dhe në interes publik, transparenca duhet të jetë totale atëherë duhet identifikimi i pronarëve përfitues realë të kompanive, që kanë për qëllim këtë projekt dhe këta të fundit duhet të prezantohen me studime të pavarura mjedisore dhe mos të anashkalohet ndikimi ekonomik për komunitetin dhe pronarët e ligjshëm pasi çdo hezitim për transparencë vetëm sa ushqen dyshimet.

Pyetja thelbësore në këto raste është, nëse po ndërtohet një park diellor për të prodhuar energji, apo një mekanizëm për të përqendruar pasuri publike në duart e një pakice të lidhur me pushtetin? Në një vend ku historia e privatizimeve të diskutueshme është e gjatë, çdo projekt i përmasave të tilla duhet të trajtohet me vigjilencë maksimale.

Gazeta “Telegraf” do të thellojë hetimet mbi këtë çështje, do të analizohen dokumentet, pronësitë e vjetra, lidhjet e mundshme ekonomike dhe politike të oligarkisë që ka interesa të errëta në malin e Kaninës si dhe çdo element që mund të ndihmojë komunitetin lokal të Kaninës të kuptojë nëse kemi të bëjmë me një investim strategjik të ligjshëm apo me një mega-aferë të mundshme korruptive. Sepse kur bëhet fjalë për 850 hektarë tokë publike, sa një qytet i tërë, heshtja nuk është neutralitet, por bashkëfajësi.