Speciale nga Gëzim Tushi- “Mjeshtër i Madh” /Ka kohë që në emër të lirisë së individit, shoqëria jonë po përballet me praninë e individëve eksentrikë me pushtet dhe anarkistë social. Jeta politike e qytarëve zhvillohet në korsinë e ngushtë të interesave personale të pushtetarëve dhe oligarkisë duke lënë mënjanë hallet dhe problemet e shoqërisë. Liria nuk është vetëm atribut i jetës private, ndaj realiteti ynë kërkon që të bëjmë diçka për të mos e lënë të keqen e sjelljes së shthurur të bëhet sunduese në jetën tonë.
Jeta politike e shqiptarëve zhvillohet në korsinë e ngushtë të interesave të ngushta personale duke lënë mënjanë hallet dhe problemet e shoqërisë
Ka kohë që në emër të lirisë së individit, shoqëria jonë po përballet me praninë e individëve eksentrikë me pushtet, anarkistë social
-Liri individuale apo kaos shoqëror? Liria nuk është vetëm atribut i jetës private
-Realiteti ynë kërkon që të bëjmë diçka për të mos e lënë të keqen e sjelljes së shthurur të bëhet sunduese në jetën tonë.
-Të forcosh lirinë individuale apo të prishësh rregullat sociale çfarë i intereson shoqërisë shqiptare?
Gëzim Tushi- “Mjeshtër i Madh”
Ka kohë që në emër të lirisë së individit, shoqëria jonë po përballet me praninë e individëve eksentrikë, anarkistë social, apo deri në kufijtë e sjelljeve sociopatike. Problemi është me dimension kompleks, filozofik, sociologjik, moral dhe ideologjik. Madje duke arsyetuar mbi bazën e dukurive sociale nuk është deri në fund e qartë, nëse vetëm liria e çakorduar dhe individualizmi pa limit të jenë i vetmi kusht për ndërtimin e shoqërisë moderne, apo që shoqëria moderne ka si produkt integral dhe tipik individualizimin e jetës dhe sjelljes së njeriut. Ka një tendencë të dukshme, të nihilimit të trashëgimisë kulturore dhe morale, një lulëzim të shfrenuar gati të mbivlerësimit mekanicist të etikës individualiste.

Shëmbja e idoleve të dikurshme, morale dhe ekzistenciale të shoqërisë së vjetër, kanë krijuar një “rrëmujë sociale”, vlerash, besimesh dhe simbolesh, që pengojnë njeriun tonë të orientohet, si kusht për të dalluar, atë që është e trashëguar dhe që vlen, nga ajo që duhet flakur si e padobishme. Liria dhe mënyra individualiste e të jetuarit, në shoqërinë tonë edhe pse me vonesë duhen vlerësuar në esencën e tyre si “vlerë e shtuar” e modernitetit, “kusht i panegociueshëm” për suksesin, karrierën dhe prosperitetin individual të njeriut të lirë. Sepse sot suksesi individual nuk arrihet në “turmë”. Kjo është “ana e ndritur” e lirisë. Gjithnjë njerëzit diskutojnë dhe janë të shqetësuar me disa realitete superindividualiste, që kanë sjellë zbehjen e lidhjeve intime të gjakut, fisit, fqinjësisë që janë lidhje të dukshme, intensive, dominante për shoqërinë tradicionale të së kaluarës. Ato mund të ndryshojnë formën dhe intensitetin e tyre, por nuk duhen zhdukur mekanikisht, por duhen zëvendësuar me “lidhje të reja” më moderne. Por në shoqërinë tonë kjo gjë është e shoqëruar me shumë probleme të konceptimit personal dhe social. Konceptimi i lirisë individuale, si relacion tërësisht personal, si ndjenjë asociale, ka sjellë njeriun e “izoluar dhe impotent”, i shkëputur nga shoqëria dhe traditat e saj, njeriun që përpiqet, i “stabilizon dhe i plotëson vet, nevojat e tij”.

Në korsinë e ngushtë të interesave të ngushta
E gjithë kjo është e determinuar me faktin që jetojmë në kushtet kur jeta e njerëzve tanë zhvillohet në korsinë e ngushtë të të interesave të ngushta personale dhe në shtratin e individualizmit narcistik dhe egocentrik, por pa kohezionin e duhur social. Padyshim është patologji e zgjeruar fakti që shoqëria shqiptare po përballet me konceptin e deformuar, subjektiv dhe pse jo edhe anarchist të lirisë individuale. Madje përmasat e një çorroditjeje sociale janë të tilla që sjelljet anormale e qëndrimet sociopatike të individëve anarkistë, që sillen pa orientim e busull sociale janë në kufijtë e paimagjinueshëm të një lloji të veçantë të “gangrenës sociale”, e cila nganjëherë të fut dozat e pesimizmit si një sëmundje e pashërueshme me përdorimin e medikamenteve social. Realiteti ynë kërkon që të bëjmë diçka për të mos e lënë të keqen e sociopatisë së sjelljes së shthurur të bëhet sunduese në jetën tonë të përditshme. Sepse jemi në një realitet të përgjithësuar social, që ka sjellë dhe vazhdon të zgjerojë anomalitë patologjike shumë të agravuara dhe komportimeve jo humaniste në shoqërinë sotme shqiptare. Diagnostikimi i kësaj situate tregon qartë praninë e shumë arsyeve që duhen marrë në konsideratë për ta shpjeguar sociologjikisht, konceptuar në kontekst të gjërë teorik, apo për të vlerësuar efektet dhe kundërefektet që ndihen realisht në jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare. Disa janë historike, të lidhura me të kaluarën tonë ballkanike dhe unike, me kulturën tonë tradicionale dhe shumë patriarkale e paternaliste, me ndikimet shformuese e toksike të epokës së socializmit, si dhe veçorive dhe pasojave sui generis të këtij modeli të tranzicionit të zgjatur, efektet destruktive, që janë të shfaqura në performancën sociale dhe marrëdhënieve difektoze midis individit dhe shoqërisë. Por nëse bëjmë një rankim të faktorëve patologjikë e me ndikim në këtë struturë fraxhile, antinomike e pse jo edhe kaotike të situatës së përgjthshme të shoqërisë, fare kollaj mund të evidentojmë se në substancën ontologjike të shkaqeve që determinojmë këtë gjëndje, është evolucioni i ngadaltë i ndryshimit dhe adoptimit social të individit me kërkesat e kësaj struktre të re, krejt të ndryshme të koncepteve, vlerave e paradigmave të jetës së sotme. Kapërximi i menjëhershëm nga një tipologji e jetës sociale në kërkesat krejt të ndryshme të një shoqërie të re, nuk ka qënë e shoqëruar me të njëjtin ritëm në procesin e kalimit nga sjellja uniforme, standarte morale dhe ideologjikisht unike e “njeriut i bindur” të shoqërisë totalitare, tek njeriu që lirinë individuale të epokës demokratike, e ka konvertuar në mënyrë masive në konceptime superliberale, në një anomi të intensifikuar si shfaqje tipike të sjelljes së “njeriut pa përgjegjësi” sociale apo me përgjegjësi të kufizuar dhe dimension voluntarist.
“Epoka e hipermodernitetit”
Të gjitha këto sjellje individuale, dukuri sociale e pamje të përditshme të jetës urbane, i kanë detyruar sociologët të flasin për ekzistencën e “epokën e hipermodernitetit” e cila në shumë aspekte po shfaqet e shëmtuar”, me të cilën pjesa e shëndoshë e shoqërisë po përballet në mënyrën më të ashpër të mundshme me pjesën e njerëzve që shpërdorojnë lirinë sociale dhe në mënyrë të njëanshme e kanë ulur në kuota kritike duke e reduktuar, madje asgjësuar përgjegjësinë personale si qytetarë. Kjo situatë sociale herë e paqartë dhe shpesh e shoqëruar me kriza komplekse e të shumëfishta, e cila për ta kuptuar thelbësisht dhe për të gjetur ilaçet e duhura, kërkon diskutim të gjërë e pakufizuar politik, sociologjik dhe etik. Sepse shumë herë problemet sociale dhe realitetet kontroversale nuk shihen dhe as vlerësohen drejt, në kompleksitetin e tyre, me objektivitet sociologjik. Shumë herë në media apo në institucionet fondamentale të edukimit (familje, shkollë, komunitet) shfaqen tendenca të vlerësimit të njëanshëm semplist dhe empiri të thelbit dhe përmbajtjes së lirisë individuale, por pa e shoqëruar atë edhe me anën tjetër të medaljes, përgjegjësinë sociale. Kur në të vërtetë, ato duke qënë komplekse e të ndërlikuara, duhen intepretuar jo me slogane e parafabrikate, por me “mishin” e vërtetë social dhe sa më pranë të vërtetave të terrenit sociologjik, që ekziston në realitetin tonë. Është e vërtetë që ka tre dekada e gjysëm që gjërat kanë ndryshuar. Raportet dhe marrëdhëniet individ- shoqëri janë përmbysur, në krahasim me modelin e determinuar supersocial e totalitarist të marrëdhënieve midis shoqërisë imponuese dhe individit të imponuar tërësisht, nga faktorë që përgjithësisht ekzistonin jashtë interesave të tij. Filozofi francez Alain Badiou në veprën “Republika”, vendos në gojën e Sokratit sintagmën e tij sipas të cilës “..çdo individ ka për me zgjedhë modelin e jetës që i pëlqen dhe me u përpjekë me e përputhë me të ekzistencën e tij”. A. Badiou, Republika, f 394.

Fenomenologjia e raporteve midis lirisë individuale e përgjegjësisë sociale
Por kur diskutojmë për fenomenologjinë e raporteve midis lirisë individuale e përgjegjësisë sociale, duhen vlerësuar ndryshimet e ndodhura në realitetin tonë social. Kjo do të thotë që përtej përcaktimeve teorike dhe definicioneve ontologjikisht klasike apo doktrinare, duhet të marrim në konsideratë faktin, që tashmë jetojmë në një shoqëri moderne, me strukturë dhe funksione të ndryshuara lidhur me këtë ekuacion ekzistencial “liri individuale-përgjëgjësi sociale”, sepse në qëndër të shoqërisë me “amortizatorë social” të zbutur nga tensioni i pandalur i individualizmit dhe natyra e paqëndrueshme, “likuide”, do të thoshtë sociologu Zygmunt Bauman, është vendosur njeriu egocentric utilitarist, njëdimensional e asocial, që në qëndër të jetës ka vënë “universin e vetes” dhe që lufton vetëm për vete, lirinë e pakufizuar dhe dobinë personale pa limit. Padyshim disa nga këto vlera dhe patologji të sinkretizuara në sjelljen e njeriut dhe ndërtimin e raporteve të tij me përgjegjësinë sociale, janë të natyrshme të ekzistojnë, nga që jetojmë në një shoqëri liberale, pragmatiste e individualiste, e cila ka vendosur në qëndër të saj jo aq shumë “peshën e vetes” sesa individin si qënie njëherësh universale dhe individuale. Megjithëse kanë kaluar tre dekada e gjysëm, të mjaftueshme për “axhustimin social” të marrëdhënieve dhe interesave midis shoqërisë dhe lirisë së individit, përsëri është shqetësuese distanca ekzistuese në hapësirën e jetës sonë sociale si raport midis lirisë dhe përgjegjësisë qytetare. Për fat të keq edhe pse ky është një problem social evident dhe shqetësues, që shoqëria e ka “nëpër këmbët” e veta, përsëri nuk ka interferime teorike, sociologjike e logjike për këtë ekuacion të madh ekzistencial, të cilit akoma nuk i kemi kushtuar vëmendjen e duhur, për t’i gjetur zgjidhjet normale. Sidomos kur bëjmë fjalë për nevojën e implementimit të ekulibruar në jetën e përditshme të marrëdhieve midis individit, raporteve të tij me shoqërinë dhe ndikimet e forta në ndërtimin e structurës së sjelljes dhe tipologjinë e veprimtarisë personale. Padyshim, në kohën e sotme çdo individ është plotësisht i veçantë, i lirë për zgjedhjet që bën në jetë. Sepse në thelb liria nuk është gjë tjerër veçse mënyra si “njeriu ndërton vetveten. Në këtë kontekst duhet pranuar e vërteta që prirja individualiste e jetës, është një konstante e pakthyeshme e shoqërisë tonë, është tipar esencial, kuintesencë e shoqërisë së sotme shqiptare tërësisht moderne. Por nga ana tjetër, thellimi në përmasa anarkike i individualizmit, konceptimi i lirisë së sjelljes deri në përmasat e anomisë sociale e individuale, është një nga shkaqet që shoqëria jonë është në këtë gjëndje anormale.

Deformimi i konceptit të lirisë individuale
Deformimi i konceptit të lirisë individuale, shfaqjet e bujshme të sjelljeve të njeriut asocial, egoist, antihuman e kriminal, që jo vetëm të bën pesimist për mënyrën e funksionimit të ekuacionit “liri personale-përgjegjësi sociale”, por duket se kjo situatë ekzistenciale është shumë shqetësuese dhe tejet e vështirë, të “mirë rregullohet” sipas normave morale e standarteve të qytetërimit modern. Ndaj koha kërkon një mobilizim të gjithë faktorëve politikë dhe aktorëve socialë, institucioneve themelore të edukimit dhe influencën dominante të medias, por edhe të shoqërisë civile (aq sa e ka ajo autoritetin në opinionin publik), në mënyrë që të realizojmë këtë sfidë të madhe të emancipimit të individit dhe vendosjen e natyrshme të raporteve normale me shoqërinë. Është sfidë e madhe, që duhet të fillojë nga ajo që është kryesore, duke rregulluar “ekulibret sociale” në marrëdhëniet midis lirisë së individit, duke qënë nga njëra anë plotësisht i veçantë, i lirë për të bërë zgjedhjet në jetë, apo edhe si liri për të “ndërtuar vetveten”, dhe nga ana tjetër, është respektimi me çdo kusht i një sasie të domosdoshme të vlerave morale normative dhe koncepteve të përbashkëta të shoqërisë, duke vendosur një unitet të natyrshëm dialektik, midis tendencës në zgjerim të lirisë individualiste dhe nevojës për ndjenja sociale e vlera të përbashkëta komunitare, si bazë për harmonizimin e interesave reciproke midis lirisë së njeriut dhe përgjegjësisë sociale të tij. Nuk është normale që në emër të lirisë të alambikuar me treguesit e famës, suksesit, karrierës, fitimit, imazhit, protagonizmit, dukjes, që janë ndjenja kuintesenciale të njeriut modern, të prishen radikalisht balancat sociale, të deformohen raportet e lirisë së njeriut me familjen, komunitetin, grupet e strukturuara sociale, dhe marrëdhëniet me shoqërinë në tërësi. Shoqëri moderne nuk është ajo që ka vënë në qëndër të saj njeriun e lirë, egoist, egocentrik, narcizist e ziliqar, që lirinë personale e redukton në mënyrë metafizike deri në kufirin e ngushtë të menduarit vetëm për vete. Një model i tillë egoist, asocial dhe eksentrik, e ka shndërruar lirinë në një paradigmë ultra individualiste, që nga njëra anë e nxit njeriun të ecë në “rrugën e tij”, por nga ana tjetër kjo ndjenjë e ekzagjeruar e hipertrofizuar e kufijve të lirisë individuale, e bën indiferent për të “tjerët”. Të gjithë e ndjejmë se nuk është mbivlerësimi subjektiv i kufirit të lirisë personale, mënyra e duhur për të jetuar si qënie humane në një shoqëri e “rregulluar mirë”, nëse ajo punon që t’i mbajë njerëzit të lirë por edhe të ndarë, të veçuar, pa lidhje sociale me njëri tjetrin. Ca më tepër, duke e perceptuar “jetën private” tepër ngushtë, duke e “detyruar” njeriun që të jetojë i “mbyllur brenda vetes”, pa patur lidhje dhe relacione të domosdoshme sociale.
Nuk është e vërtetë që shoqëria e sotme shqiptare nuk ka “pikëmbështetje” për të rregulluar këtë raport, për të shmangur keqkuptimet e njëanshme e subjektiviste, konfliktet e panatyrshme e artificial që ndikojnë në shpërbërjen e nevojshme të lidhjes sociale individ-shoqëri. Kjo nevojë për të qënë njëherësh “vetja” dhe në të njëjtën kohë, edhe i lidhur me të “tjerët” ka ndryshuar shumë, sepse duket qartë se prirjet individualiste dhe moderniteti social e kanë organike prirjen e kufizimit të lidhjeve me “shoqërinë e madhe”. Në këtë kontekst, sipas logjikës së kohës moderne, si shoqëri kemi filluar të ndjejmë humbjet, që janë “kosto” nga reduktimi evident i marrëdhënieve sociale. Sipas mendimit tim, është e vërtetë që lidhjet sociale kanë ndryshuar në “sasi”, por ato duhet të bëhen më cilësore, të vërteta. Sepse në thelb në shoqërinë shqiptare janë shtuar mundësitë, janë zgjeruar nevojat, impertaivat e “padukshëm” që njeriu të krijojë, të mbajë marrëdhënie sociale dobiprurëse me të “tjerët”, nëpërmet antarësive sociale, lidhjeve të shumta dhe të shumëfishta interpersonale.




















