NOT/ Mbyllet viti 2025 me Kupën “Perspektiva-Klavio Meça”, Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Cilësinë e garimit e treguan pjesëmarrja dhe numri i rekordeve

 Te Stela fituese absolute, garuan 7 ekipe me 142 notarë.

Agron KAJA

NOA

Me 142 notarë nga shtatë ekipe, në ambientet e pishinës 25 m të AN “Te Stela” u mbyllën garat e Kupës “Perspektiva-Klavio Meça”, për moshën deri në 14 vjeç, me 87 meshkuj e 55 femra. Këtë numur e dominonte “zonja e shtëpisë” AN “Te Stela” me 63 notarë, 25 femra dhe 38 meshkuj. Në këtë veprimtari kombëtare të fundit për vitin 2025 u thyen edhe 6 rekorde kombëtare, që edhe këtu notarët e AN “Te Stela” ishin protagonistë. Por “pushtetin” e fituesve të AN “Te Stela” e thyu shkodrania 14 vjeçare Viki Tafrruku e Vllaznisë, e cila së bashku me Eljo Skënderin e AN “Te Stela” u shpallën notarët më të mirë të kësaj Kupe. Dhe qershia mbi tortë erdhi në mbyllje të Kupës, ku notarja e Tiranës, kampionia e rekordmenia Kaltra Meça, motra e të ndjerit Klavio Meça, përshëndeti e falenderoi organizatorë dhe notarët garues. Ndërkohë që për Presidentin e FSHN-së Agim Çiraku, kjo ishte një Kupë të cilën Klavio Meça e ka merituar.

Kupa “Perspektiva-Klavio Meça” e mbylli vitin 2025, si u zhvilluan garat?

Kupa “Perspektiva-Klavio Meça” u zhvillua me një organizim shumë të mirë nga FSHN-ja, me një mikpritje shembullore nga AN “Te Stela”. Por mbi të gjitha me gara të bukura, me rivalitet dhe me rekorde kombëtare.

Ju me thyerjen e rekordeve sikur jeni i “dashuruar”, këtë herë jeni i kënaqur me 6 të tillë?

Cilësinë e garimit nuk e tregon vetëm numuri i rekordeve kombëtare që thyen në një veprimtari. Unë mendoj se edhe këto gjashtë që u thyen në këtë Kupë, treguan se garat kishin rivalitet. Madje dy fituesit nuk ishin rekordmenë.

AN “Te Stela” e dominoi këtë Kupë me pjesëmarrje, me kampionë e rekordmenë, ta quajmë “padrone”?

Sportivisht e quajmë një “padrone” të vërtetë, sepse vetë pishina foli për këtë. Kjo tregon se në këtë Akademi të notit në Shqipëri punohet shumë mirë, kryesisht me moshat e reja. Dhe kjo fitore nuk është e rastësishme, është një vazhdimësi e mirë.

Po pjesëmarrja me 142 notarë, çfarë tregoi në këtë veprmtari të fundvitit 2025?

Pjesëmarrja në këtë Kupë ka qënë e lartë. Këtu peshën më të madhe e kanë mbajtur notarët e AN “Te Stela”, si në numrin e pjesëmarrjes ashtu edhe me fituesit meshkuj e femra. Kam falenderime edhe për gjashtë ekipet e tjera.

Po ekipet e tjera, çfarë treguan më shumë në garimet e tyre në Kupën “Perspektiva-Klavio Meça”?

Së pari i falenderoj të gjitha ekipet, sepse kanë sfiduar gjithçka në këtë stinë të ftohtë. Kanë bërë përgatitje periodike me notarët e tyre dhe në Kupë prezantuan më të mirën e tyre. Ata janë gjithmonë gjeografia e notit shqiptar.

Por garat brënda një dite e në pishinë 25 m kanë edhe vështirësi, e keni menduar ndonjë tjetër pishinë?

Kjo veprimtari e tillë është konceptuar, brenda një dite garohet. Por ka edhe një të veçantë, sepse kemi të bëjmë me fëmijë, të cilët për moshën që kanë, veç garimit sjellin edhe gumëzhimin, që në pishinë bashkohen në një ritëm të bukur.

Tashmë do merrni edhe ju si FSHN pushimet dimërore, apo puna juaj ka ritmikën pa pushime?

Natyrisht që puna jonë në drejtimin e federatës nuk ndalet asnjëherë. Edhe ne “notojmë” me analizën se çfarë bëra gjatë vitit, çfarë nuk kemi bërë dhe çfarë mund ta përmirësojmë më mirë. Kjo është koha e punës intensive pa pushime.

Për vitin 2026, çfarë do t’i sygjeroni trajnerëve dhe notarëve, të cilët kanë qënë pjesëmarrës në vitin që mbyllëm?

Unë i falenderova zyrtarisht si President i FSHN-së, por si një ish-notar i këshilloj që të mos ndalen në përgatitjet e tyre. Sepse pas dy muajve vjen veprimtaria e parë e vitit, dhe atje nuk garohet pa përgatitje sistematike.

Fituesit Kupa “Klavio Meça”

FEMRA

Viki Tafruku   Vllaznia

Me 1451 Pikë FINA

MESHKUJ

Eljo Skënderi  Te Stela

Me 931 Pikë FINA

 

REKORDET KOMBËTARE

#Leon Hoxha (Te Stela)

50 m Shpinë-Kateg.B 12 vjeç

Koha 31.37, ishte 31.38

#Leon Hoxha (Te Stela)

100 m Shpinë-Kateg.B 12 vjeç

Koha 1’07”68, ishte 1’08”22

#Pablo Peri (Te Stela)

50 m Flutur-Kateg. B 12 vjeç

Koha 30.12, ishte 30.41

#Stafetë 4X50 m St. Lirë

Fituese Te Stela

Meshkuj Kateg. B 11-12 vjeç

Koha 2’05”91, ishte 2’09”91

#Pablo Peri (Te Stela)

200 m Flutur-Kateg. B 12 vjeç

Koha 2’27”19, ishte 2’32”19

#Stafetë 4X50 m Miks

Fituese Te Stela

Femra Kateg. B 11-12 vjeç

Koha 2’20”63, ishte 2’31”72

 

Viki Tafrruku, shkodrania që “trazoi” hegjemoninë e Te Stela

Një vajzë e imët, por sportivisht me konstrukt që në pishinë garoi si një e rritur dhe me përvojë. Shkodrania Viki Tafrruku, me meritë fitoi Kupën “Perspektiva-Klavio Meça”, si notarja femër më e mirë e kësaj veprimtarie. Ajo e mbylli këtu me moshën e Para të rejave, dhe për kalimin tek të Rejat e të Rriturat, Viki premton rezultate më të larta. “Ishte një garë me emocion, jo vetëm se fitova si notarja më e mirë, por edhe pse ky aktivitet është i fundit për mua në këtë moshë. Nga viti 2026 do garoj me të Rejat e të Rriturat, dhe në garat 200 m, 800 m dhe 150 m stil i Lirë do thyej të tjera rekorde kombëtare”, .

Luna Djarmati, kampione absolute e Shpinës, edhe pa rekord

Buzëqeshja e Luna Djarmatit nuk ishte vetëm për një foto, por ajo këtë buzëqeshje e kishte edhe kur notonte, madje edhe kur i fitoi të gjitha garat e saj, ku në stilin Shpinë ishte kampionia absolute e Kupës “Perspektiva-Klavio Meça”. “”Më vjen keq se isha larg thyerjes së rekordeve kombëtare në këto gara, por i fitova të gjitha duke dalë kampione. Në stilin e Shpinës kisha më shumë siguri, edhe pse rivaliteti në këtë garë u nis dhe përfundoi me mua në krye. Këto gara për mua janë të veçanta, sepse do kaloj me të Rejat dhe të Rriturat e AN “Te Stela”. Vitin tjetër do përgatitem për rezultate më të larta, pse jo edhe me rekorde”.

 

Fjalë zemra nga Kaltra: E respektuat Kampionin tonë, Klavion

Motra e të ndjerit Klavio Meça, kampionia dhe rekordmenia e notit Kaltra Meça, garave të Kupës “Perspektiva-Klavio Meça”, i ka bërë një mbyllje sa emocionuese, aq edhe profesionale. E shoqëruar nga babai i saj Besniku, me pak fjalë, por qartësisht, ajo i falenderoi të gjithë garuesit e drejtuesit e tyre, njëherësh premtoi se familja e saj këtë Kupë do ta ketë si një nga kujtimet më të bukura. “Klavio e dashuronte notin, pishina ishte si shtëpia e dytë e tij. Ai sot ishte me ne të gjithë, dhe ky është një nder për familjen tonë. Uroj që të tilla veprimtari të zhvillohen në notin shqiptar vit pas viti, sepse veç kujtimeve tona për Klavion, e mbajmë historinë të gjallë”. Ndërsa babai i Klavios e Kaltrës, Besniku, nuk foli zyrtarisht, por me qetësinë e tij, me kërshërinë që tregoi në ndjekjen e garave, me takim të notarëve e trajnerëve, ai foli shumë në këtë veprimtari me emrin e djalit të tij të ndjerrë. Për dy fituesit, familja “Meça” shpërndau edhe donacione financiare.

TRAJNERI/ Mjeshtri i Madh Sadik Mema tregon vlerësimin e Akademisë së Notit  “Te Stela”

 Kupa “Perspektiva-Klavio Meça”, me meritë u fitua nga notarët tanë

Kupa “Perspektiva-Klavio Meça” u organizua për të pestën herë me këtë emër, si një veprimtari që iu kushtua ish-notarit të ekipit “Te Stela”, Klavio Meça, i cili u nda nga jeta në moshë fare të re. Kjo veprimtari që nisi 14 vite më parë, më vonë mori statusin e një veprimtarie kombëtare, duke hyrë në kalendarin vjetor dhe drejtohet nga FSHN-ja. Kështu ndodhi edhe të shtunën e 20 dhjetorit 2025, ku trajneri Sadik Mema, Mjeshtër i Madh, për gazetën “Telegraf” u shpreh se kjo veprimtari tashmë po bëhet “pronë” e AN “Te Stela”, pasi edhe këtë herë është fituar nga notarët e akademisë.  “Nga viti 2012 e deri më sot, kjo Kupë është organizuar, vlerësuar e fituar nga notarët e AN “Te Stela”. Janë shumë emra që në këtë veprimtari kanë treguar formën e tyre më të mirë në pishinën dimërore 25 m. Por kjo e 20 dhjetorit 2025 do mbetet edhe më e veçanta, sepse jo vetëm që fituesit e Akademisë e dominuan podiumin, por edhe për respektin që familjarët e Klavio Meçës i bënë kësaj Kupe”, kështu e nisi dje bisedën Mjeshtri i Madh Sadik Mema, i cili për këtë rrugë fituesish ka edhe falenderime për të gjithë. “Së pari, duke qënë se në këtë veprimtari marrin pjesë notarë dhe notare të grupmoshave deri në 14 vjeç, unë falenderoj punën bashkëpunuese me gjithë trajnerët e Akademisë “Te Stela”, trajnerin Eduart Cane, me të cilin përgatitja dhe përzgjedhja është bërë profesionale. Për seriozitetin që notarët e akademisë tonë treguan gjatë garave të kësaj Kupe, unë si trajner kam edhe falenderime, të cilat në ditë të tjera do kenë edhe kritika për përmirësim”. Në Kupën “Perspektiva-Klavio Meça” u thyenë edhe 6 rekorde kombëtare, të gjithë nga notarët dhe notaret e AN “Te Stela”, por këtë Sadik Mema e quan një tregues që mund të ishte edhe më i lartë, në numrin e rekordeve dhe në vëndet e nderit. “Mendoj se notarët tanë të të gjitha grupmoshave, treguan nivel të mirë garimi, edhe pse ka vënd për përmirësim. Vlerësimi i tyre e mbajti të “ndezur pishtarin” e fitoreve në këtë Kupë, e këtu fjalët më të mira janë për të gjithë notarët”, ky është vlerësimi i Mjeshtrit të Madh, Sadik Mema, për Kupën “Perspektiva-Klavio Meça”.

 

Numur i lartë garuesish, 142 notarë

Në garat e Kupës “Perspektiva-Klavio Meça” morrën pjesë 7 ekipe të notit nga e gjithë Shqipëria, të cilët u përfaqësuan me 142 notarë, 50 Femra dhe 92 Meshkuj. Ekipit të AN”Te Stela”, ishte kampion edhe në pjesëmarrje me 63 notarë, 25 Femra dhe 38 Meshkuj. Nga viti 2012, kjo ishte fitorja e 13-të e këtij trofeu nga AN “Te Stela”.

EKIPET PJESËMARRËSE

Te Stela                       63 notarë

Femra 25, Meshkuj 38

Partizani                      22 notarë

Femra 9, Meshkuj 13

Vllaznia                       14 notarë

Femra 7, Meshkuj 7

Skampis                      12 notarë

Femra 4, Meshkuj 8

SH.S.U                        12 notarë

Femra 6, Meshkuj 6

Teuta                           10 notarë

Femra 3, Meshkuj 7

Flamurtari                   8 notarë

Femra 1, Meshkuj 7

Tirana             1 notar

TOTALI 142 NOTARË

Femra 55, Meshkuj 87

 

Leon Hoxha, notari me dopietë rekordesh në Shpinë

Leon Hoxhën e pishinës nuk e kisha parë shpesh të garonte, por në garat e Kupës “Perspektiva-Klavio Meça” nuk ishte e vështirë ta dalloje. Sepse në stilin Shpinë, ai i fitoi të dyja garat e 50 m dhe 100 m, madje edhe me 2 rekorde kombëtare të thyera. “Unë isha përgatitur mirë që, jo vetëm të dilja kampion në garat e stilit Shpinë, por edhe për thyerjen e rekordeve kombëtare në këto gara. Të dyja i arrita, dhe them se kjo erdhi pas përgatitjeve që kemi bërë me trajnerët tanë, ku Profesor Pupi (Sadik Mema) më ka motivuar më shumë për mundësitë e mia. Notova shumë lirshëm, e ndjeja se kisha më shumë mundësi në 100 m, ndërsa në garën 50 m gara ishte edhe më e fortë”.

Pablo Peri, delfinisti kampion i traditës te AN “Te Stela”

Notari Pablo Peri i AN “Te Stela” u shpall kampion dhe rekordmen në garat e Kupës “Perspektiva-Klavio Meça”, në 50 m stil Delfin ku edhe thyeu rekordin kombëtar. Duke u përgatitur nga delfinisti i notit shqiptar Sadik Mema (Pupi), kështu Pablo po bëhet vazhdimësia e traditës fituese në këtë stil. “E them me çiltërsi se e kisha menduar thyerjen e këtij rekordi kombëtar. Që në start dhe deri në përfundimin e garës, unë krijova një shkëputje nga dy rivalët e tjerë, dhe besoj se, po të kishte më shumë rivalitet prej tyre, koha e rekordit do ishte edhe më e mirë. Në vitin 2026, në çdo veprimtari besoj se në garat e stilit Delfin rezultatet do t’i kemi shumë më të larta”.