LSI kundër Ramës për reformën në arsim

514
Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas akuzave të tij në Divjakë, se ata që nuk e duan reformën në arsim, duan ta çojnë Shqipërinë drejt dembelizmit. Deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, e ka cilësuar arrogant kreun e qeverisë, duke theksuar se, nuk ka jurist që mund të zbërthejë katrahurën që është bërë me ligjin për arsimin e lartë. Sipas Mehmetajt, LSI ka qenë që prej fillimit kundër kësaj reforme, por e votoi atë pas shumë lutjeve dhe premtimeve të bëra nga kryeministri dhe ish-ministrja Nikolla, se kjo reformë do të përmirësohej rrugës. “Në vend që t’u kërkojë falje atyre qindra maturantëve, të cilëve u shkatërroi ëndrrat, me arrogancë flet për një reformë, e cila ka qenë e dështuar që në krye të herës. Aq e dështuar, sa ende nuk kanë dalë aktet nënligjore, sepse nuk ka jurist që mund ta zbërthejë atë katrahurë që ngatërruan me një qëllim të vetëm: si e si të çonin sa më shumë maturantë nëpër universitete private. Nëse ka një epitet që mund t’i vendosim reformës për arsimin e lartë, ajo është: Reforma e Klientelizmit”, tha Mehmetaj. Ajo shtoi se “qëndrimet e LSI mbi arsimin i di tashmë e gjithë Shqipëria, por ajo që nuk dinë është lutjet e kryeministrit dhe ministres së arsimit për t’i mbështetur me premtimin, që do i rregullonin të gjitha, pasi e kuptonin që kishin gabuar”.
Sigal