Kryebashkiaku Veliaj me kampionin e botës në gjimnastikën artistike, Matvei Petrov: Na ndero, edhe në Lojërat Olimpike!

205
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pasi u shpall kampion bote në Gjimnastikën Artistike për ngjyrat kuqezi, objektivi i radhës i gjimnastit rus, Matvei Petrov, tashmë është medalja e parë në historinë e Shqipërisë në Lojërat Olimpike. Së bashku me trajnerin Alon Hasa, sportisti rus, i cili përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, patën një takim virtual me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e uroi Matvein për medaljen e arit në Kupën e Botës në Osijek të Kroacisë, ndërsa i ka uruar të njëjtin sukses edhe në Olimpiadën e Japonisë.

“Je zyrtarisht numri një në botë! Le të sigurohemi që kjo të zgjasë për një kohë të gjatë,” –  u shpreh kryebashkiaku Veliaj, i cili nga ana tjetër siguroi se në Tokio, gjithçka është gati për stërvitjen e kampionit. “Kam lajme të mira: Sot do t’ju kalojmë sponsorët që të keni fonde për përgatitjet në Japoni. Do kesh mundësi të shfrytëzosh palestrën në periferi të Tokios, që kur të transferohesh te fshati olimpik, të jesh super në formë,” – tha kryebashkiaku i Tiranës, teksa tha se akrobacitë e tyre i kujtuan sportin e quajtur ‘kaluç’. Kryebashkiaku Veliaj tha se suksesi i gjimnastëve që krenojnë Shqipërinë në kompeticione ndërkombëtare, duhet të na shërbejë edhe si frymëzim për formimin e një brezi të ri sportistësh të motivuar.

Kjo falë edhe mundësisë që ka krijuar Tirana me shkollat e reja, ku një standard të ri kanë krijuar edhe ambientet sportive. “Shpresoj që shembulli yt të shihet si mundësi për të ndërtuar bashkë një program, me anë të të cilit të inkurajojmë fëmijët e vegjël. Jemi në proces të përfundimit të disa shkollave të reja dhe kemi rënë dakord nga hera e kaluar, që një nga palestrat, të jetë e specializuar për gjimnastët,” – deklaroi kryebashkiaku Erion Veliaj.