Prof. Asoc. Ilia larti: Mendimi kritik, problemet e rinisë, pedagogjia dhe zgjidhja e problemeve

– Studimet kanë treguar se ndërsa mjetet dixhitale mund të mbështesin të menduarit, ato gjithashtu mund të kontribuojnë në një rënie të të menduarit kritik.

– Në Dubai, u gjet se studentët kërkonin më shumë përgjigje për pyetjet e tyre akademike nga komunitetet online se sa në librat e ofruar

NOA

Ndikimi i informacionit lehtësisht të aksesueshëm në aftësitë e të menduarit kritik paraqet një sfidë për studentët në epokën dixhitale. Nga njëra anë, interneti ofron një grumbullim të gjerë njohurish që mund të përmirësojë të mësuarit dhe të zgjerojë perspektivat. Nga ana tjetër, masa e madhe e informacionit të disponueshëm mund të çojë në përpunim sipërfaqësor dhe të zvogëlojë nxitjen për t’u përfshirë në të menduarit e thellë dhe analitik. Studentët mund të mbështeten në kërkime të shpejta dhe përgjigje të menjëhershme në vend që të zhvillojnë aftësitë për të vlerësuar në mënyrë kritike burimet dhe për të analizuar informacionin në mënyrë të pavarur. Studimet kanë treguar se ndërsa mjetet dixhitale mund të mbështesin të menduarit, ato gjithashtu mund të kontribuojnë në një rënie të të menduarit kritik dhe aftësive të zgjidhjes së problemeve nëse nuk përdoren me mend. Teknologjitë e reja, si ato artificiale, që përfshijnë ChatGPT, janë bërë një pjesë e rëndësishme të jetës së studentëve. Ky program përdoret nga çdokush për të gjeneruar tekste të ndryshme, të cilat shoqëronë njerëzit jo vetëm në jetën e përditshme, por dhe në studime. Pavarësisht se ChatGPT po pengon studentët të mendojnë kritikisht dhe të zgjidhin probleme, ai mund të asistojë studentët për drejtimin që ata duhet të marrin për të filluar diçka. Por, përdorimi i shpeshtë mund të çojë në krijimin e varësisë dhe mbështetjes tek përgjigjet e inteligjencës artificiale, gjë që mund të çojë më tej në humbjen e besimit tek aftësitë dhe opinionet vetjake. Mendimi kritik është ai çka na diferencon nga makineritë dhe inteligjenca artificale, aftësia për të analizuar dhe gjykuar informacionin që na vendoset përpara. Ky lloj mendimi është një aftësi e cila mund të mësohet dhe të zhvillohet me disa zakone, të cilat përfshijnë: menaxhimin e kohës, përqëndrimi në një detyrë në kohë dhe jo në disa detyra njëkohësisht, ekzaminimi i gjykimeve, të cilat mund të jenë të pavetëdijshme, dhe gjithashtu përmirësimi i aftësive për të shkruar, e cila ndihmon të qartësojë mendimet dhe të reflektojë sjelljen.

NDËRVEPRIMET SOCIALE DHE MARRËDHËNIET SHOQËRORE

Njerëzit brendësisht janë qenie sociale, qenie, të cilat kanë nevojë të shoqërizohen me njerëz të tjerë dhe të qëndrojnë në komunitet. Komunikimi është një nga shtyllat më të rëndësishme në socializimin midis njerëzve, por dekadat e fundit kanë sjellë ndryshime të reja në këtë pjesë. Tashmë, komunikimi mund të bëhet nëpërmjet internetit dhe distanca nuk përbën më problem. Edhe pse interneti ka hapur një derë të madh për mundësimin e komunikimit, ka disa ndryshime rrënjësore midis komunikimit online dhe ballë për ballë, çka ndikojnë në kualitetin e jetës. Ato përfshijnë: socializimi online merr kohë nga socializimi ballë për ballë, çka mund të çojë në degjenerimin e aftësive sociale për t’u përfshirë në ndërveprime me të tjerët; ndërveprimet online mund të promovojnë angazhimin pasiv, ku platformat e mediave sociale shpërqëndrojnë individin nga ndërveprimet sociale me përmbajtjet e tyre; temat e bisedave mund të jenë më sipërfaqësore, të drejtojnë drejt përgjigjeve të shkurtra dhe pa substancë; shenjat joverbale janë më të vështira për t’u dalluar, të cilat mund të çojnë në mosmarrëveshje dhe keqkuptime; dhe shumë të tjera. Në një studim të kryer mbi studentët e një universiteti në Malajzi, u kërkua të konfirmohej nëse përdorimi i mediave sociale ndikonte mbi aftësitë e komunikimit të tyre. Me ndihmën e një pyetësori, 93 studentë u pyetën mbi orët që kalonin në media sociale dhe aftësitë e tyre komunikative, dhe u pa që sa më shumë të rritej koha e kaluar në internet, aq më shumë uleshin aftësitë për të komunikuar. (Rahman, 2014, fq. 213-219). Kjo përbën shqetësim për brezin e ri, që është i rrethuar nga platforma të ndryshme mediash, të cilët në të ardhmen do të jenë në pozicione të veshtira në ambiente profesionale por dhe personale.

Identiteti dhe perceptimi i vetes

Mediat sociale nuk ndikojnë vetëm në aftësitë komunikative, por gjithashtu dhe në mënyrën se si perceptohet vetvetja dhe imazhi i trupit. Platformat e mediave sociale promovojnë një perfekte të përdoruesve të tyre, me ndihmën e mjeteve filtruese të cilat krijojnë një iluzion për konsumatorët e tyre. Këto mjete filtruese ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin vetjak të individit, çka sjell dëmtim të imazhit dhe identitetit të formuar për veten. Disa efekte negative përfshijnë: krahasimi konstant mes vetes dhe të tjerëve, standarde të bukurisë të paarritshme natyralisht, dhe bullizmi virtual ose cyberbullying nëse vlerësohesh ndryshe nga standardi. Formimi i identitetit online dhe presioni për tu përshtatur janë çështje të rëndësishme më të cilat brezi i ri përballet, përfshirë studentët. Ndërkohë që studentët angazhohen me platformat e mediave sociale, ata shpesh formojnë personalitete, ose “online persona”, në mënyë që tu përshtaten normave dhe pritshmërive sociale. Një studim ka zbuluar se nevoja për të mbajtur një identitet tërheqës në internet mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin mendor, duke çuar në probleme të tilla si vetëvlerësim i ulët dhe rritja e vulnerabilitetit ndaj presionit të të tjerëve. Dëshira për pranim në internet mund t’i shtyjë personat të portretizojnë veten në mënyra që të mbledhin ndjekës dhe komente, ndonjëherë duke shpërfillur identitetin e tyre të vërtetë. Shpesh, në platforma online që kanë si qëllim bisedimin me të tjerët, njerëzit mund të krijojnë një identitet tjetër duke përfituar nga anonimiteti, që ofron platforma. Për shembull, një person, i cili është më introvert në jetën e tij të përditshme, mund të marrë përsipër një identitet ekstroverti kur është online. Këto mospërputhje midis çka tregohet në internet dhe çka tregohet jashtë tij mund të krijojë konfuzion mbi personalitetin vetjak. Shumë studime kanë treguar se individet të cilët janë të varur ndaj lojërave në internet e vlerësojnë veten më negativisht se bashkëmoshatarët e tyre.

Komuniteti dhe përkatësia

Siç u përmend më parë, njerëzit brendësisht janë qenie sociale, të cilët kërkojnë komunitete për aspekte të ndryshme të ekzistencës së tyre. Në këtë epokë dixhitale, studentët, të cilët kërkojnë një komunitet tjetër nga ai familjar, i kthehen internetit për të gjetur atë që dëshirojnë. Në shumë mënyra, gjetja e grupeve me të njëjtat interesa online është diçka e thjeshtë dhe e shpejtë, që tregon arsyen pse studentët preferojnë këtë mënyrë. Në një studim të tërë në Dubai, u gjet se studentët kërkonin më shumë përgjigje për pyetjet e tyre akademike nga komunitetet online se sa në librat e ofruar të bibliotekave të shkollave. Ata vëzhguan se si studentët kërkonin një zgjidhje të shpejtë të problemeve të tyre dhe në të njëjtën kohë mësonin nga eksperiencat e anëtarëve të tjerë në komunitetet që merrnin pjesë. Por, ndjenja e përkatësisë në komunitetet virtuale kundrejt atyre fizike mund të ndryshojë shumë, duke ndikuar në mirëqenien sociale dhe emocionale të studentëve. Në komunitetet online, studentët mund të lidhen me bashkëmoshatarët e tyre, që kanë interesa dhe eksperienca të ngjashme, duke kapërcyer kufijtë gjeografikë. Megjithatë, këtyre lidhjeve mund t’u mungojë thellësia dhe autenciteti i ndërveprimeve ballë për ballë. Komunitetet fizike, si mjediset shkollore ose klubet e ndryshme studentore, ofrojnë më shumë mundësi për komunikim spontan, shenja joverbale, dhe lidhje më të thella emocionale. Prania fizike në një hapësirë të përbashkët shpesh nxit një ndjenjë më të fortë përkatësie dhe mbështetje të komunitetit.