Agim Canaj: Skuadrat tona ti studiojnë kundërshtarët jo në nivel shteti

35
Agim Canaj
Sigal

INTERVISTA/ Specialisti i futbollit Agim Canaj, orienton mënyrat përgatitore për ndeshjet në Europë

Agron KAJA

Agron Kaja

Mendoni se, pas shortit të Europës fokusi i lajmit mbetet te skuadrat tona që do luajnë në takimet e para?

Është normale, sepse në çdo fillim sezoni aty mbetet fokusi. Skuadrat kanë edhe  problematika, që nisin nga largimet dhe afrimet e lojtarëve, por edhe ndonjë trajner. Në këtë periudhë, skuadrat riformatohen, pasi në Europë duhet organizim më i plotë.

Të katër skuadrat kanë bërë lëvizjet e tyre pasi i mësuan kundërshtarët në Europë, si i vlerësoni përgatitjet e tyre?

Kundërshtarët janë në nivele jo të larta në raport me skuadrat tona, por ata janë në aktivitet. Si islandezët që do luajnë me Egnatian, letonezët që do ndeshen me Vllazninë, ashtu edhe Kalju e Estonisë me Partizanin. Ndaj ju duhet përqëndrim.

Ndërsa Dinamo ishte me fat, pasi kaloi direkt në turin e dytë, si ndikon për vazhdimësinë e saj?

Dinamo ishte me fat, sepse shorti e përkëdheli, por duket në këto përgatitje si më e konsoliduar. Ka pak lëvizje dhe më pak hyrje e dalje, ndërsa Egnatia po punon mirë në këtë periudhë, duket më dinjitoze për Europë dhe kampionat.

Do të kenë rëndësi takimet e para kryesisht në fushën tonë, dhe ato në transfertë?

Normalisht rezultatet kur janë pozitive, janë bonus për skuadrat. Kështu e nisi Dinamo që kishte një dekadë mungesë në Europë. Më shumë rëndësi ka që të studiohen mirë kundërshtarët, jo në rastësi. Ndeshjet e para kanë rëndësi të madhe.

Cilat nga skuadrat tona ju i mendoni se e kalojnë turin e parë eliminator?

Të them të drejtën, skuadrat kundërshtare i njohim në nivel shteti, jo realisht. Por ndeshjet e para janë të vështira se ekipet kanë mobilizim më të lartë. Vllaznia dhe Egnatia janë më të favorizuara, ndërsa Partizani ka ndryshime në strukturë dhe kjo të bën më skeptik në parashikim.

Ndeshjet në Europë, do jenë një bazë e mirë për financat dhe organizim për sezonin e ri për skuadrat tona?

Patjetër që po, sepse UEFA ka shpërblime për çdo tur. Nga sa po shoh, ekipet tona elitare si Egnatia, Vllaznia, Dinamo e Partizani, nuk kanë probleme me financat. Kanë buxhet të mirë dhe kjo i bën më garantë edhe në Europë.

Skuadrat e Superiores kanë hyrë në hapësirën përgatitore dhe në merkato, si i përshkruani këto lëvizje?

Është normale që ekipet të kenë vështirësi në organizim, sepse ndryshojnë nivelet e menaxhimit, organizimit dhe të zhvillimit. Të gjitha skuadrat duhet të jenë shumë organizativë për atë që do të bëjnë në këtë sezon, të jenë mbi baza të forta financiare dhe organizative. Duhet një cikël me projekte afatgjata.

Edhe ky sezoni i ri do jetë me skemën “Final 4”, e mendoni se do jetë më rival nga i kaluari?

Është lënë në dorën e presidentët e klubeve për ta vendosur vazhdimësinë e kësaj formule. Ka patur anë pozitive, dhe negative. Kur me këtë skemë dihen skuadrat, atëhere gara zbehet dhe ulet ngarkesa. Element negativ, duhet parë me vëmendje.

Në këndvështrimin e specialistit të futbollit, në këtë periudhë përgatitore çfarë u sugjeroni skuadrave të Superiores?

Duhet që të nisin përgatitjet, sepse skuadra nuk ndërtohet e formatohet kur nis faza përgatitore. Struktura e një skuadre duhet të ketë 25 futbollistë, që do të thotë se do jetë një “kantier” ku asnjë element nuk duhet ti mungojë. 70-80% duhet të jetë e formatuar.

Bankina bosh në 40% skuadrave të Superiores!

Egnatia: Edlir Tetova/ Vllaznia: Edi Martini/ Dinamo: Ilir Daja/ Partizani: Skënder Gega/ Elbasani: Ivan Gvozdenoviç/ Teuta: ?/ Bylis:?/ Tirana: ?/ Vora: Arjan Bellai/ Flamurtari😕

Liga e Kampioneve

Ndeshja e parë

Datë 8 korrik 2025

Egnatia-Breidablik                  19:00

Ndeshja e kthimit

Datë 15 korrik 2025

Breidablik-Egnatia                  19:00

Liga e Konferencës

Ndeshjet e para

Datë 10 korrik 2025

Kalju-Partizani                        18:45

Vllaznia-Daugavpils               20:00

Ndeshjet e kthimit

Datë 17 korrik 2025

Daugavpils-Vllaznia               17:00

Partizani-Kalju                        19:00

 

Pa stadium, pa president dhe pa trajner!

Teuta do t’i nisë përgatitjet më 1 korrik!

Në klubin durrsak, dje kanë konfirmuar se këtë javë të bëhet zyrtarizimi i presidentit të ri dhe më pas të vendoset për skuadrën e re që do të përfaqësojë durrsakët në sezonin e ri 2025-2026. Momentalisht, nga skuadra kanë konfirmuar largimin Mingos, Peposhi, Tafas, Kruja, ndërsa është thënë jo zyrtarisht se pritet të afrohen disa futbollistë të rinj. Gjithashtu, Teuta është në kërkim të disa lojtarëve në role të ndryshme. Është menduar që faza e parë e përgatitjeve të zhvillohet në Durrës nga data 1 korrik deri nga mesi i muajit, dhe më pas do të udhëtojnë diku tjetër ku kushtet atmosferike janë më të freskëta. Në kushte të tilla blerjet nuk do të mungojnë, pasi duhen zëvendësuar të larguarit, pasi synimi është forcimi i ekipit në këtë merkato. Tashmë durrsakët janë në pritje të emrave drejtues që do ta drejtojnë teutën, të paktën në këtë sezon të ri. Ende nuk ka të dhëna të tjera edhe për stolin, ndërkohë që pas një Vendimi të Këshillit të Ministrave, ka ndryshuar pronësia e stadiumit durrsak, i cili do t’i nënshtrohet rijetëzimi.

Vllaznia nxjerr në shitje biletat,  me Daugavpils në “Elbasan Arena”

Skuadra e Vllaznisë nuk do ta luajë në Shkodër ndeshjen e parë të Ligës së Konferencës kundër Daugavpils të Letonisë, pas mosmarrëveshjeve, që patën me Bashkinë e Shkodrës. Kjo është ndeshja e parë e turit të parë, dhe Vllaznia nuk ka vonuar, pasi ka nxjerrë në shitje biletat për këtë ndeshje, e cila do të luhet në “Elbasan Arena” në datën 10 korrik, ora 20:00. Çmimet variojnë nga 500 deri në 2000 lekë të reja. Kategoritë ku mund të blihen bileta, që shiten aktualisht shiten vetëm “online”, janë me 500, 1000 dhe 2000 lekë të reja. Biletat fizike do të jenë në shitje në Shkodër, Tiranë dhe Elbasan duke filluar nga data 5 Korrik.