Një sasi alarmante prej më shumë se 4 ton fileto derri të infektuar me salmonelë ka hyrë në Shqipëri dhe sipas të gjitha gjasave, po konsumohet dhe shitet ende në treg për qytetarët.
Skandali lidhet me subjektin importues “Frigo ALBA”, me administrator Luan Jazexhiun dhe Ledio Kokën, të cilët janë përgjegjës për futjen e këtij mishi në vend.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), institucioni që duhet të garantojë sigurinë ushqimore të qytetarëve, kishte premtuar se mishi i kontaminuar do të asgjësohej menjëherë pas zbulimit të problemit. Megjithatë, tre muaj pas njoftimit zyrtar, procesi i asgjësimit rezulton ende i pazhvilluar të paktën sipas dokumentacionit kontradiktor që vetë institucioni ka dorëzuar.
Në datën 29 prill, AKU deklaronte publikisht se “Frigo ALBA” kishte njoftuar DRAKU-n (Drejtoria Rajonale e AKU-së) në Tiranë për nisjen e procesit të asgjësimit, dhe se po pritej përfundimi i procedurës. Por në një përgjigje të mëvonshme, AKU pretendon se mishi është asgjësuar më 23 prill pra, gjashtë ditë para deklaratës së parë. Këto dy qëndrime të kundërta hedhin dyshime të rënda mbi vërtetësinë e informacionit që u ofrohet qytetarëve.
Në një investigim të imtësishëm është zbuluar se AKU po përpiqet të fshehë destinacionin final të mishit me salmonelë. Institucioni refuzon të vërë në dispozicion të publikut apo medias prova fotografike apo pamje filmike nga procesi i asgjësimit, siç kërkohet ligjërisht në raste të tilla.
Situata bëhet edhe më alarmante kur Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) deklaron se nuk ka marrë asnjë kërkesë nga “Frigo ALBA” për kryerjen e procedurës së asgjësimit. Sipas ligjit, inspektorë të mjedisit duhet të jenë të pranishëm gjatë groposjes së produkteve të rrezikshme për të garantuar ndjekjen e protokolleve dhe transparencën e procesit por në këtë rast, ata nuk kanë asnjë informacion për groposjen e sasisë prej 4,516.75 kg mish derri të infektuar.