Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 finalizuan operacionin e koduar “Golden Gun”, duke arrestuar një 19-vjeçar, i cili qarkullonte i armatosur në zonën e Kamzës.
Gjatë operacionit, i riu, identifikuar si A. T. nga Zall Mner, u lokalizua dhe tentoi të largohej me automjet, por pas një ndjekjeje të shkurtër, ai u kap dhe u vënë në pranga.
Gjatë kontrollit në automjet, u sekuestrua një pistoletë me municion, e cila do të shërbejë si provë materiale. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.
Njoftimi i plotë:
Qarkullonte i armatosur me pistoletë dhe tentoi të largohej me automjet, kur u lokalizua nga shërbimet e Policisë, kapet dhe vihet në pranga 19-vjeçari.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë me municion dhe automjeti.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur, organizuan dhe finalizuan operaconin policor të koduar “Golden Gun”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
A. T., 19 vjeç, banues në Zall Mner.
Gjatë operacionit, në Kamëz, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin qarkullonte shtetasi A. T. dhe i kanë bërë shenjë ndalimi. Ai nuk është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por si rezultat i veprimeve të shpejta policore është kapur dhe vënë në pranga.
Gjatë kontrollit në automjetin e 19-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.




















