Ilmi S.Qazimi: Aspak, pak dhe S.P.A.K…

Dhe kur për dhjetë vite individët që u punësuan nëpër organet e drejtësisë u bënë super të pasur duke e degdisur drejtësinë në fund të këmbëve. Duke e njohur psikologjinë e popullsisë shqiptare, , duke anashkaluar traditat e mira ligjvënëse historike, duke ndëshkuar e ngallur përbuzjen ndaj traditës së  fuqishme që krijoi socializmi  për të ruajtur pastërtinë e  forcës edukuese,amerikanët dhe europianët sollën, mbollën, përhapën dhe ngritën norma të reja “ligjore”, konformë qëllimit të tyre.Krijuan Strukturën e Posaçme Antikorrupsion!?

Duke thënë aspak, pak dhe strukturë e posaçme antikorrupsion(SPAK), nuk dua që të bëjmë lojë fjalësh, apo të sajojmë  insinuata. Këtë detyrë e ka vetmarrë me guxim i përvëluari (dhe i dështuari) për t’u bërë përsëri kryetar qeverie, Sali Berisha duke shpifur e sajuar aqsa nuk paskan  limite  dhe emërtime. Nuk duam as të mbajmë fjalime me bufër kënete dhe meritat e padiskutueshme të partisë socialiste dhe kryetarit të saj Edi Rama,(po pse me gjithë mend beson ai se ne e besojmë që ka parti socialiste në Shqipëri dhe kryetar të saj?!).Vetëm dua të evidentoj se organet e drejtësinë këtu nuk i lënë të punojë, së pari politikanët tanë me maska, së dyti të huajtë e shumtë hundëfutës në punët tona dhe së treti hajvanët e panumurt ordinerë.

NOA

Dikur aspak i nevojshëm

Problemi i sistemit të drejtësisë ishte krejt ndryshe në rendin socialist, ku ”kishte ustai biçak” dhe tradhtarët, kriminelët, vjedhësit, sabotatorët, diversantët, mashtruesit, ata që kërkonin, apo merrnin ryshfet, imoralët, spiunët, dënoheshin për një kohë shumë të shkurtër me dënimin më të rëndë. Nuk kishte nevojë aspak për organizma e struktura  të posaçme antikorrupsion, gjykata, hetuesira e prokurorira të posaçme “!”,sepse, së pari korrupsioni nuk njihej si dukuri masive e së dyti ato organe ishin të ngritura. Ato që ishin caktuar, emëruar apo zgjedhur. Ishin realisht ajo pjesë e diktaturës së proletariatit që njihte dhe zbatonte  ligjin me rreptësi për këdo e në çdo kohë. Më pak keq e më shumë mirë e saktë, por ishin, në krye të detyrës; ato punonin me profesionalizëm, rreptësi, pastërti dhe atdhetari, në përputhje me kohën dhe nivelin e zhvillimit shoqëror.

Demokracia, apo ndryshe shteti ligjor, si një sistem i ri ekonomik-shoqëror  në Shqipërinë tonë të virgjër, në vitin e përmbysjes 1990 dhe sidomos pas vitit të zi  1997 erdhi gjithë bujë dhe me pritshmëri të paimagjinuar për shumicën e popullatës. Njëherazi erdhi me orekse të thekshme ujqërore për pasurim të menjëhershëm për ‘të instruktuarit’ dhe për  ata që ia morën dorën shpejt ‘gjendjes’. Kjo demokraci ( i thënçin) u shoqërua nga një grup i ngjeshur sëmundjesh të rrezikshme kolerike që socializmi i kishte goditur ashpër: Ishin shfaqje, sjelljet e rrymat e huaja, veset dhe akraballëqet, ryshfeti, vjedhja, mashtrimi, gënjeshtra, imoraliteti, tradhtia, etj. Sistemi i shtetit ligjor këto lloj udhësh i kishte bërë gati. U bë e kuptueshme edhe për më të plogshtin qytetar, sidomos për idiotët, injorantët, të eturit për pasurim brenda një nate, se “duhet me vjedh e gënjyer, me vra e me mashtrue” që të pasurohemi sa më shumë e sa më shpejt! “Mos ki frikë se na mbron ryshfeti”, ” kena me ia gjet rrfanën edhe atij gjykatësi”, se “ajo gjykatwsja atje paren dhe njat sendin e ka qejf…” Këto mendësi na shpunë në derexhenë që thuajse asnjë gjykatës, prokuror e hetues të mos mbetet pa u korruptuar. Arriti puna sa edhe zotnia matanë oqeanit, i cili na monitoron për gjatë tërë 24 orëshin, u habit:” sa shpejt u pasuruan këta gjykatës e prokurorë shqiptarë?!”

 “Sipas kokës edhe festën”

Dhe kur për dhjetë vite individët që u punësuan nëpër organet e drejtësisë u bënë super të pasur duke e degdisur drejtësinë në fund të këmbëve, ‘miqtë tanë’ amerikanë dhe europianë u hodhën në sulm për të krijuar një drejtësi të re të plotë dhe funksionale, përmbi atë që ishte. U sajuan bukur mirë dy marifete bashkëkohore: të kalonin të gjithë punonjësit e tërë organeve të drejtësisë në veting. Kjo  qe një fjalë e re tmerruese në fillim, por përkëdhelwse dhe e paefektshme më pas. Dhe një ditë erdhi urdhëri nga ‘ustai’ që të kalohen tërë  gjykatësit e prokurorët në veting, (si delet në shtrungë,-do të thoshte një çoban nga Tepelena)! Dhe na u reklamua me tam-tame se bukuria e kësaj fjale vret! U gëzuam ne të shkretët që na kishin rrjepur gjykatësit. Mirëpo, ja që askush nuk u dënua prej atyre, por vetëm u ‘përjashtuan’ nga organet ligjore!!Për më tepër dhe më keq akoma: shumica dërrmuese e tyre, dolën nga dera dhe hynë nga dritarja, ngase u punësuan  si noterë, sekserë, avokatë, ndihmës dhe ekspertë ligjorë!? Por ama vendet bosh të tyre, bosi sundues imperialist i la bosh. Dhe tërë kjo punë për gati disa vite,na la krejt pa gjykata, ca se nuk donte e majta,ca se nuk e pëlqente e djathta,ca se vonohej …aranxhata! Ndërkohë  horrat me kollare, bosët e dollarit, të infiltruarit në krime të rastit dhe të organizuar, livadhisën; drejtësinë e vidhisën, plagët u maisën… Në këtë ‘epokë’ disavjeçare livadhisën edhe politikanët tanë  rrufjanë të djathtë e të majtë, me dy kryetarët e dukshëm të  tyre  tani të frikësuar si lepujt,duke u majmur me pastrim parash, me akraballëqe që nuk thuhen por dihen, me  fjalime  pompoze për drejtësi e autorësi,  me thirrje e ngjirrje për vota e emërime,sulme e ndëshkime. Është  kriminale kjo që ndodhi  në ato vite: të lihet  i lirw një vrasës, bos droge apo hajdut i sofistikuar e me post administrativ, dhe të dënohet  disa vjet burg një hallexhi që paska ‘vjedhur’ korent nga shtylla për të ndriçuar varfërinë e shtëpisë së tij!Duke e njohur psikologjinë e popullsisë shqiptare, doket, zakonet, duke anashkaluar traditat e mira ligjvënëse dhe ligjzbatuese historike, duke ndëshkuar e ngallur përbuzjen ndaj traditës së  fuqishme që krijoi socializmi  për të ruajtur pastërtinë e  forcës edukuese dhe imponuese të ligjit,amerikanët dhe europianët sollën, mbollën, përhapën dhe ngritën norma të reja “ligjore”, konformë qëllimit të tyre.Krijuan Strukturën e Posaçme Antikorrupsion!?

SPAK, sajesë amerikane me stilin demokratik:”Bëni si  themi ne!”

Erdhi, më në fund, S.P.A.K-u.Shpresat tona, si qytetarë u rigjallëruan drejt kulmit.Epo shyqyr, thamë ne, tani do të vihet drejtësia edhe këtu në truallin e bukur shqiptar!Pa shihni sa struktura të fuqishme: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe Njësia e Pavarur Hetimore ndryshe quajtur Byroja Kombëtare e Hetimit,  me jetëgjatësi funksionale 9 vjeçare  me pagë  mujore 6000 euro(!!??).Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (PPKKO) është një nga dy njësitë përbërëse të SPAK-ut. Ajo ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit shqiptar para Gjykatave të posaçme Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë , Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (Shkalla e Parë dhe Apeli), merr masa dhe mbikqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj, me jetëgjatësi funksionale 5 vjeçare me po aq euro muaji. Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm që kanë kaluar vetingun, e të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Pranë saj janë edhe ata të Policisë Gjyqësore emërohen për një periudhë 5-vjeçare. Bukur! Shumë bukur! Po kush ishin ata që u emëruan në këto poste? Përgjigja më e shkurtër: ca nga ata të së djathtës e ca nga ata të së majtës. Dhe kush të dalë më i fortë le të bëjë si të dojë me kundërshtarin opozitar. Por, amerikanët afërsisht thanë: “ ne jemi këtu. Ne jemi këtu me ju! Mos kini frikë. Dënoni me guxim! Vendosni drejtësi me guxim e profesionalizëm. Ne do t’u ndihmojmë e mbështesim pa kursim, me dollar, mend dhe organizim!”Ata financuan, udhëzuan, materializuan idetë dhe veprimet, bënë edhe vlerësimet. Duan të thonë se Trump-i do të heqë fondet!? Mos e besoni kurrë! Paçka se drejtuesi i djathtë i yni atë që thotë në mëngjes e harron në mbrëmje dhe drejtuesi orator i majtë që i është bërë mendja vetëm turizëm, blogon me vizatime e fjalime për meritat  e tij dhe partisë së tij në adresë të SPAK-ut. Ku është partia socialiste në këtë  mes?

Tallje dhe fyerje për ata që kërkojnë drejtësi!

Kur nisi punën SPAK-u ne përsëri, së paku, u qetësuam se do të bëhet ajo që dëshirojmë: të kemi sadopak drejtësi. Ditët po kalojnë dhe sytë po na shohin çudira, veshët po na shurdhohen nga llafollogjia. Po bëhen arrestime të bujshme dhe me sasira të mëdha personash fajtorë sot, ndërsa nesër lirohen se ata që “paskan qenë të paimplikuar në ngjarje”, ku duken haptazi se janë pikërisht bosat e gënjeshtrës, mashtrimeve dhe vjedhjeve me peshë kombëtare. Dhe mbahen në burg ca të tjerë, më pak, shumë më pak të rrezikshëm. Megjithatë për bujë, e për ‘shfaqje estrade’arrestohen edhe individë me poste të larta, se gjoja ata kanë bërë namin në këtë truall!? Dënimi më spektakular, humoristik dhe fyes për vetë Saliun dhe për shqiptarët është ai që SPAK-u i bëri S.Berishës kur e la në shtëpi, demek në ‘arrest’, por ama që të flasë nga ballkoni. Të lejohet madje deri edhe të lobojë i pari e i vetmi për kryetar qeverie shqiptare, duke pasur organizator fushate një burrë të marrë me qira nga klani i Trumpit, sherifit të ri të atij shteti konglomerat treqind e tridhjete pesë milionë banorë.

Pra, ne të varfërit durimshumë e shpresëgjatë, paskemi harruar dy gjëra elementare të jetuara.E para, sistemi ekonomiko-shoqëror kapitalist korrupsionin e ka pjesë organike të jetës së tij që buron nga etja për fitim pasurie, me themel pronën private. Nëpër vite e shtete, ndryshojnë vetëm metodat, format, mjetet, por qëllimi mbetet po ai. A nuk e shohim  ashiqare se tashmë po ndiqet metoda aq shumë e dënuar nga historia dhe urtësia popullore: “ duhet që të burgosim një të pafajshëm dhe kështu e kemi më të lehtë që të lëmë të lirë pa telashe dhjetë vrasës”?! Sjellim vetëm dy shembuj: për vrasjet e 21 janarit akoma nuk gjenden dot kush janë vrasësit që urdhëruan atë vrasje, ata që e morën dhe e zbatuan atë urdhër vrasjeje, as ata që e mbuluan, manipuluan dhe tjetërsuan faktet plumbshpuese të asaj vrasjeje. Kjo ndodh kur, për gjithë këto vite, janë gjallë e të lirë, Sali Berisha, Lulzim Basha po ashtu edhe Ndrea Prendi Komandanti i Gardës së Republikës së asaj date. (Kjo fjala ‘Gardë’ më ngacmon shumë se Edi Rama, ky antikombëtar dhe antishtet, ndërtesën e saj e ktheu në Muzeum Trashëgimie?!-duke mbyllur e tjetërsuar për katër vjet (?!) Muzeun Historik Kombëtar! A e shihni apo jo se çfarë po bëhet!?) Po ashtu, ushtarët xy që shkrepën armët, janë gjallë, të lirë! Madje dy nga ata drejtuesit e politikës po punojnë me mish e shpirt, pa asnjë limit, për të marrë postet më të larta: kryetar qeverije!

E dyta, vetëm diktatura e proletariatit u vinte hakut të gjithë atyre që ishin kundër popullit; atyre që vidhnin e që gënjenin, atyre që shisnin veten, familjen dhe atdheun. Në një farë mënyre ai shtet, me atë parti të vetme, me atë pushtet, vinte në zbatim shumë nga traditat shqiptare të drejtësisë, paçka se tani, ish-të burgosurit nuk lënë gjë pathënë e sharë deri edhe sajime  të paqena.Vallë ky SPAK-u do të bëjë diçka që të afrohemi tek drejtësia normale e kapitalizmit, apo do të na lerë akoma në llucën e supervjedhjeve dhe në udhëkryqet e krimeve mesjetare!? Duke marrë lejë  nga autori do të perifrazoja fjalët e tij si analist tejet objektiv, “se e keqja SPAK-ut duket se do t’i vijë nga vetvetja, nga maskat që kanë depërtuar në të jashtë kritereve profesionale, si militantë partiakë, të së majtës e posaçërisht të së djathtës mafioze të Sali Berishës. Po nuk u vetpastrua nga hakmarrwsit, të paaftët, të maskuarit, nuk do ketë suksesin e pritshëm”. Gjithsesi, shpresat se një farë drejtësie mund të vendoset, nuk humbet kurrë edhe pse jemi larguar shumë nga  shoqëria e mirëkuptimit dhe drejtpeshimit. Një i moshuar, po nga Tepelena thoshte, se, poqe se do kërkosh drejtësinë  duke thirrur “po ku je moj e drejtë?”, ajo do të të përgjigjet “plaç të preftë!” Është sa aforizmike, aq edhe filozofike kjo thënie e moçme dhe njëherazi e re.