Bie një shi i beftë dhe tinëzar;
është verë dhe të zë në befasi,
si dikush që prej kohësh s’e ke parë,
nga distancat në dashuri bie shi.
Bie shi që të lag e të bezdis.
Si ndodhi, a dashuri e gabuar,
si zbokthi që të bie mbi kurriz,
si përroi kur mbi varre ka vërshuar…
Tash pas darkës dhe ëmbëlsirës me kanellë,
m’u kujtua vështrimi yt në këtë shi,
ku nëpër avuj nga diku vjen era gjellë
dikush pret të hajë se ka uri.
Aty ku je a bie shi? Në ç’masë të lag?!
Shoh neonet që derdhin dritën nëpër shi;
se masë e dritës e kupton sa shumë je larg,
por asnjë s’më sheh si ty edhe pa prani!






















