Mesditën e së hënës Saranda është përfshirë nga erëra të forta dhe rreshje të dëborës dhe breshërit, sidomos në rrethinat e saj në bashkinë e Konispolit. Burime për gazetën “Telegraf “ bëjnë me dije se rreshjet e dëborës kanë qenë prezente në malin e Milesë ku janë dislokuar antenat trasmentuese të kanaleve televizive shqiptare, ndërsa rreshjet e breshërit kanë qenë prezente në bashkinë e Konispolit, sidomos në njësinë administrative të Xarrës, sipërfaqja e tokës bujqësore e së cilës është e populluar nga pemtaria si agrume, ullinj, vreshtari dhe drufrutorë të ndryshëm. Siç dihet ato janë në fazën e pjekjes dhe breshëri i ditës së së hënës ka dëmtuar rëndë prodhimin në performancën cilësore të tyre. Fermerët, rreth mbi 300 të tillë që kanë plantacionet e pemtarisë, shprehin shqetësimin e dëmtimeve të sotme nga breshëri. Më tepër shqetsimi ngrihet tek dëmtimi që i është shkaktuar prodhimit të mandarinës, prodhim sipas të cilëve këtë vit pritej të qe i mbarë, por papritur moti ua rrëzon këtë shpresë. Breshëri godet kokrrën e mandarinës duke i lënur vula mbi lëkurë dhe kjo ul cilësinë e eksportit, shpresa e fermerëve dhe, sidomos me kontrata të paralidhura tregëtare me tregun e eksportit. Një dëm i madh ky ekonomik për fermerët e kësaj zone. Por shqetësimi qëndron në faktin e vlerësimit, çmimit dhe shpërblimit të dëmit ,gjë për të cilën fermerët nuk kanë asnjë shpresë nga shteti dhe pushteti lokal. Kjo, sipas tyre, sepse edhe vite të kaluara ka ndodhur ky fenomen atmosferik me dëmtime kolosale ekonomike nga prodhimi i shkatërruar, por asnjë ndihmë dhe sunvecion fermerët e të gjitha ngjyrave politike nuk kanë pasur nga askush, por i kanë qarë vet me shpenzimet e tyre kolosale, duke llogaritur këtu edhe çmimet marramendëse të pesticideve, infrastrukturës dhe krahut të punës. Ndaj ata me lot në sy, të pashpresl tek shteti, shprehen:- Ç’na bëre o Perëndi!





















