Ministrat në “Hava” , ja 7 zyrtarët që shpenzuan 700 milion lekë për fluturime

46
Sigal

Tenderat e biletave/ Me paratë e taksapaguesve, shtetarët shëtisin nëpër botë, ndërkohë që shqiptarët jetojnë në varfëri, pensionet janë qesharake dhe të rinjtë rrezikojnë jetën me gomone drejt Anglisë. Vetëm 7 ministra shpenzuan 700 mln lekë për fluturime dhe vetëm në 3 javë nga data 18 mars deri në 6 prill institucionet blenë 56 mijë euro bileta avioni

 

…me paratë e taksapaguesve, shtetarët shëtisin nëpër botë. Institucionet shtetërore kanë llogaritur miliona bileta avioni për luksin e tyre. Fluturimet janë fyerje për varfërinë, në të cilën ndodhen shqiptarët

 

Një administratë tejet e “fryrë”, që duhen miliona lekë në muaj për të paguar rrogat dhe taksat e këtyre nëpunësve. Kjo do të ishte gjysma e së keqes. Por me paratë e taksapaguesve, shtetarët shëtisin nëpër botë. Institucionet shtetërore kanë llogaritur miliona bileta avioni për luksin e tyre. Fluturimet janë fyerje për varfërinë, në të cilën ndodhen shqiptarët dhe me rritjen e çmimeve me të cilat po përballen. Ja si  fluturojnë taksat e shqiptarëve për një vit.

Sa shpenzojnë ministritë për udhëtime?

Nga një kontroll në tabelat e planifikimit të shpenzimeve nga institucionet qendrore, zbulohet se 70.5 milionë lekë (të reja) ishin caktuar për blerjen e biletave ajrore nga Këshilli i Ministrave dhe 7 ministri përgjatë vitit 2023.

Ministria e Arsimit ka publikuar vlerën e tenderëve që parashikonte të zhvillonte për bileta avioni që është 3 milionë lekë të reja.

Shpenzimet më të larta për udhëtime me avion bën Ministria e Mbrojtjes, me 25 milionë lekë, ndërsa pas saj vijnë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ajo e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me nga 12 milionë lekë. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, ajo e Brendshme dhe Këshilli i Ministrave parashikuan një fond limit prej 5 milionë lekë secili, ndërsa Ministria e Drejtësisë 3.5 milionë lekë.

Ndërkaq, ministritë, që nuk e kanë bërë publik parashikimin për këto shpenzime janë Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ajo e Turizmit dhe Mjedisit.

Gjithsesi, për ministrinë e Jashtme kemi një të dhënë të tërthortë, që vjen nga tenderi i zhvilluar në 3 mars 2023 për bileta avioni. Vlera e porositur është jo pak, por 170 milionë lekë. Sikur diplomacia jonë të ecte me hapat e shpenzimeve të Xhaçkës, tashmë do të ishin anëtarë të BE-së.

Kujtojmë se Xhaçka është e famshme për udhëtimet e saj ajrore. Në njërin që u diskutua gjatë, Xhaçka u shfaq duke zbritur nga helikopteri i Ministrisë së Mbrojtjes në Peshkopi, ku kishte një takim elektoral.

Theksojmë se, në shifrën prej 70.5 milionë lekë (të reja) përfshihen vetëm ministritë, dhe jo institucionet e varësisë, që gjithashtu planifikojnë miliona lekë shpenzime për udhëtime ajrore jashtë vendit. Po ashtu, në këtë vlerë nuk përfshihen bashkitë.

Dubai në gjeografinë e udhëtimeve të zyrtarëve

Edhe gjatë vitit 2022, institucionet shtetërore kishin të njëjtin trend me udhëtimet jashtë vendit.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike, nga data 18 mars deri të mërkurën e 6 prill 2022, institucionet blenë bileta avioni me destinacione të ndryshme që kapin vlerën e mbi 6.7 milionë lekëve ose e thënë ndryshe 55.5 mijë euro.

Në këtë shifër nuk përfshihen dietat ushqimore dhe rezervimet në hotele. Sipas të dhënave janë realizuar në total 45 fluturime, 12 prej tyre me itinerar Tiranë-Gjermani.

Nga këto, gjysma janë zhvilluar nga punonjësit e Ministrisë së Bujqësisë dhe të tjerat nga Prokuroria e Posaçme.

Destinacioni i dytë më i preferuar nga autoritetet shtetërore është Italia, ku rezulton se janë kryer 8 fluturime kryesisht nga Ministria e Shëndetësisë dhe Universiteti Politeknik i Tiranës.

Zvicra është një tjetër destinacion i preferuar nga institucionet pasi vetëm bashkia e Tiranës ka blerë nëntë bileta me një kosto prej 526 mijë lekësh.

Udhëtimet e tjera të destinacioneve shtetërore gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar në Hungari, Poloni, Francë, Belgjikë dhe Austri. Por nuk mungojnë as fluturimet në Dubai drejt së cilit me 28 dhe 29 mars 2022, Korporata Elektroenergjetike ka blerë dy bileta me vlerë 350 mijë lekë.

Shpenzimet gjatë vitit 2022 për udhëtime jashtë vendit

  • Këshilli i Ministrave- 15,577,742 lekë
  • Ministria e Mbrojtjes- 27,747,589 lekë
  • Ministria e Mjedisit- 7,798,988 lekë
  • Ministria e Kulturës- 4,420,583 lekë
  • Ministria e Brendshme- 6,357,850 lekë
  • Ministria e Jashtme- 28,212,868 lekë
  • Ministria e Financave- 11,774,619 lekë
  • Ministria e Arsimit- 5,116,018 lekë
  • Ministria e Bujqësisë- 7,199,694 lekë
  • Ministria e Shëndetësisë- 3,171,777 lekë
  • Ministria e Drejtësisë- 4,379,445 lekë
  • Ministria e Transportit- 9,189,914 lekë
  • Totali- 130,947,087 lekë

Përllogaritja/ Rama harxhon karburant në 1 orë me avion sa një shqiptar në 3 vjet me makinë

Le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Le ta krahasojmë shpenzimin e karburantit të një ore fluturim me charter me karburantin, që shpenzon një familje shqiptare me makinë. Avioni “Ismaili”, që përdor kryeministri, një Airbus A319-115(CJ), TC-ANA, harxhon 2600 litra karburant, i llojit vajguri tip Jeta-1. (shih tabelën poshtë). Ky lloji vajguri në tregjet ndërkombëtare kap vlerën 1 euro për litër, ndërsa në aeroportin e Rinasit ofrohet për afro 1.5 euro për litër. Duke shumëzuar sasinë e karburantit prej 2600 litrash që charteri shpenzon për 1 orë, me 1.5 euro për litër, rezulton se Rama harxhon rreth 4 mijë euro për 1 orë fluturim. 4 mijë euro sot janë 2 mijë litra naftë, me çmimin prej 240 lekësh apo 2 eurosh për litër, me të cilin tregtohet nafta në vendin tonë. Për të konsumuar 2 mijë litra naftë, një makinë luksoze që shpenzon mesatarisht 10 litra për 100 kilometra, do të duhet të bëjë 20 mijë kilometra. Një familje shqiptare udhëton mesatarisht 10 deri në 15 mijë kilometra në vit. 15 mijë kilometra përkthehen në 3 mijë euro kaburant. Nëse autovetura do të jetë e konsumit mesatar, rreth 6 litra për kilometër, 4 mijë eurot që shpenzon “Ismaili” në 1 orë për karburant, një familje do t’i shpenzonte në 4 vjet me makinën e saj. Është llogari e thjeshtë. Të njëjtin krahasim mund ta bëjë çdo qytetar sipas konsumit të makinës që disponon ose të parave që nxjerr nga xhepi për të blerë karburant. Kryeministri sigurisht që nuk i nxjerr nga xhepi i tij, por ai nuk po tregon as se kush ia paguan këto shpenzime marramendëse.