Erion Veliaj: Tirana e personaliteteve të shquar

107
Sigal

Bashkia e Tiranës ka nderuar dje me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, tre konsitucionalistët e njohur, Prof. Dr. Luan Omari, Prof. Dr. Ismet Elezi dhe juristin Niazi Jaho, në një ceremoni të veçantë, ku u nënvizua kontributi i tyre për shumë vite në këtë fushë.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh mirënjohës për kontributin e tyre të shquar. “Shumë faleminderit Niazi Jahos, Luan Omarit dhe Ismet Elezit për tre shekuj kontribut – janë thuajse 300 vite angazhim në shërbim të komunitetit dhe vendit tonë. Është bekim i madh që ju kemi mes nesh dhe një mundësi e jashtëzakonshme që, secili prej nesh t’jua shprehë në sy mirënjohjen dhe falenderimin. Tirana është një qytet ku mund të ketë kulla të larta, bulevarde të mira, mund të presë presidentë, mbretër e mbretëresha, por nëse ky qytet nuk kujton ata që kanë dhënë kontribut, që e kanë shkrirë jetën, pasionin, kohën, energjinë e tyre me të, atëherë ky qytet është një qytet gjysmak. Sot do të doja që ky qytet të ishte aq i lartë në formën e tij shpirtërore, sa edhe në kullat e tij, të jetë aq i gjerë në zemërgjerësinë dhe në mirënjohje, sa edhe bulevardet e sheshet e reja”, tha Veliaj.

Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, ish ministër i Drejtësisë, vlerësoi lart kontributin e tre personaliteteve dhe u shpreh se ata, me veprën e tyre, i kanë shërbyer brezave, drejtësisë dhe vendit.