Blushi: Rilindja vetëm me të pasurit, 90 % janë të varfër

493
Deputetët e Partisë Socialiste, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi, kanë vijuar dje turin e takimeve me socialistët e “zhgënjyer” të qytetit të Dibrës, duke prezantuar platformën e tyre “Shqipëria mbi partinë”. Gjatë takimit pjesë e bisedave me banorët e këtij qarku ishte ideja për krijimin e një partie të re, por që mësohet se Ben Blushi është shprehur se ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për këtë lëvizje politike. Por gjatë takimit me përkrahësit e tij, ai është shprehur se: “Çdo veprim do ta bëjmë të matur dhe në kontakt me qytetarët”.
Në fjalën e tij Blushi ka thënë se Rilindja po qeveris mjaft keq vendin dhe këtu nuk ka shpresë për të jetuar. “Në qoftë se dhunojnë kolegët brenda partisë, në qoftë se grabisin votat brenda partisë, a ka shpresë për njerëz normalë?”, ka theksuar Blushi. Duke folur për gjendjen ekonomike në vend, deputeti i majtë tha se çdo fëmijë që lind në maternitetin e Peshkopisë ka një borxh prej 2500 eurosh.
“A ka shkuar ky borxh për Rrugën e Arbrit? Po të kishte marrë Rama borxhe për Rrugën e Arbrit, do t’i jepnim të drejtë të gjithë. A e dini çfarë kanë bërë? Rilindja numëron pishinat në Durrës, palmat në Aeroportin e Rinasit, stadiumet që lyen, shatërvanët. Harxhon para për luks, jo për rrugë. Kjo është arsyeja që Rruga e Arbrit nuk do të bëhet. Nuk kam besim se Rilindja do ta bëjë Rrugën e Arbitrit, por Rruga Arbrit mund të jetë një nga dy apo tre investimet strategjike të Shqipërisë”, u shpreh ai.
Sigal