Prof. Dr. Lush Susaj: Korrupsioni po varfëron vendin, politikanët e këtyre viteve të kuptojnë se një ditë do kthejnë mallin dhe pronat e vjedhura

243
  • Ambasadorja e SHBA foli Troç: “Reagoni kundër korrupsionit dhe krimit”
Sigal

 SHBA dhe BE duhet të kuptojnë se ku shkojnë fondet e taksapaguesve të tyre.

Politikanët e këtyre viteve duhet të kuptojnë që një ditë do të kthejnë me patjetër mallin dhe pronat e vjedhura.

  • Korrupsioni po e varfëron dhe deshqiptarizon Shqipërinë.
  • Korrupsioni pandemik në të gjitha strukturat e arsimit po shkakton mbylljen e shkollave, përgjysmimin e numërit të maturantëve.
  • Është momenti historikë për të bërë drejtësi dhe për ta mbrojtur Shqipërinë nga korrupsioni, fiktiviteti, kriminaliteti dhe shpopullimi

 Ambasadorja e SHBA foli Troç “Reagoni kundër korrupsionit dhe krimit”.

Në një reagim publik të ambasadores së SHBA në Tiranë, përsëri dëgjuam dhe kuptuam nevojën për të reaguar me forcë dhe vendosmëri ndaj korrupsionit, fiktivitetit dhe sjelljes së dyzuar ndaj shtetit, shoqërisë dhe partneritetit strategjik me botën Euro-Atlantike. Fjalë për fjalë ambasadorja e SHBA tha: “Mendoj që njerëzit në një demokraci kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre… Kështu që respektoj pikëpamjet që shprehen… Unë nuk veproj mbi baza personale. E dini, nuk jam këtu me pushime. Unë përfaqësoj Presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe flas në emër të Shteteve të Bashkuara”. Ka ardhur koha që klasa jonë politike ta kuptojë se sa shumë e ka qelbur me uzurpimin dhe përçarjen kombëtare e krahinore; me korrupsionin dhe varfërinë në kufijtë e mizerjes; me papunësinë dhe me dëbimin e qëllimshëm të rinisë, profesionistëve dhe elitës më të mirë të vendit.

Politikanët e këtyre viteve duhet të kuptojnë që një ditë do të kthejnë me patjetër mallin dhe pronat e vjedhura e të grabitura përmes dhunës ligjore dhe ordinere. Unë jam i sigurtë që një ditë do të japin llogari për të gjitha poshtërsitë, që i kanë bërë shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Edhe nëse hajnat dhe të korruptuarit do të mund të arrijnë që të shantazhojnë, të demontojnë apo të bllokojnë punën e makinerisë së drejtësisë (që është një pamundësi absolute), krokodilat e kënetës orientale, me patjetër që do të përballen me drejtësinë ligjore dhe hyjnore të popullit dhe kombit shqiptarë.

Kjo specie e padëgjuar e politikës, me atë mendjen e tyre të vockël, duket që po kujton se ja arritur që të mashtrojë edhe SHBA dhe BE. Krokodilat e hajnisë dhe korrupsionit me projektet dhe investimet e kanë shumë gabim kur mendojnë se fondet e buxhetit të shtetit dhe ato të BE dhe SHBA, jepen për t’u vjedhur përmes dosjeve fiktive. Përkundrazi, janë projekte dhe investime për të rritur punësimin, mirëqënien dhe standartet e tregut, e jo sikurse po shërbejnë aktualisht duke e polarizuar edhe më shumë shoqërinë dhe rajonet e vendit, si dhe duke rritur papunësinë dhe shpopullimin, pikë së pari për shkak të korrupsionit me donacionet, projektet dhe investimet.

Hipokrizia dhe paburrëria e politikës orientale me BE dhe SHBA, shkon deri në atë pikë që si kurrë më parë po dëgjojmë presionin me shprehjen e njohur të këtyre viteve: “përndryshe do të ndryshojmë kurs”. Unë e di që duke filluar nga viti i largët 1355, e sidomos pas vitit 1479, janë me qindra antishqiptarë e pushtues, që kanë tentuar që të ndryshojnë kurs, e që kanë zgjedhur të ecin në rrugën e qafëthyerjes së tyre drejt orientit dhe modeleve Aziatike. Por që të gjithë kanë dështuar e do të dështojnë, pasi secili nga ne mund ta ndërtojë familjen dhe shtëpinë e tij ku të dojë e si të dojë. Ndërsa Shqipëria është një realitet dhe proces tjetër historik, gjeografik dhe politik, që nuk mund të ekzistojë jashtë kontekstit historik e politik të BE dhe të SHBA. Pavarësisht nga presionet dhe rezistenca antiligjore e klaneve politike (që njëkohësisht janë edhe klane të korrupsionit dhe hajdutërisë), të cilat shkaktojnë papunësinë, varfërinë dhe shpopullimin masiv të vendit. Është koha që strukturat e BE dhe SHBA, të ndërmarrin lëvizjen e duhur për të parë e kuptuar se ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve të tyre. Kjo pasi BE dhe SHBA janë partnerët strategjikë të përjetshëm të Shqipërisë, e kurrë nuk mund të bëhen pjesë e lojës së klaneve të korrupsionit dhe shpopullimit të Shqipërisë.

  • Korrupsioni po e varfëron dhe deshqiptarizon Shqipërinë.

Për shkak të hajnisë dhe korrupsionit të hapur e në çdo gjë, Shqipërisë duket sikur i ka ndalur ora e zhvillimit ekonomik, demokratik dhe demografik. Kjo sepse është bllokuar qarkullimi i parasë, është deformuar zbatimi i projekteve dhe ideve. Përditë po shohim dhe bisedojmë me mjekë, me agronomë, me inxhinierë, me studentë e me profesionistë të gjitha fushave, të cilët tregojnë se si kanë humbur shpresën dhe po bëjnë përpjekjet e fundit për t’u larguar jashtë vendit.

Në këtë situatë tepër të rënduar hajnie e korrupsioni, nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë vende pune e as paga dinjitoze. Nuk ka e nuk mund të ketë kurrë system vlerash dhe as respekt për rininë, as për studentët, as për elitën dhe as për profesionistët, që po ikin të tmerruar nga kjo diktaturë korrupsioni dhe fiktiviteti, që ka pllakosur Shqipërinë.

Qeveritë e vendeve të BE dhe të SHBA, duhet të ndërgjegjësohen e të kërkojnë llogari në lidhje me destinacionin dhe produktivitetin e parave të taksapaguesve të tyre, që ndonëse u adresuan tek arsimi dhe profesionet, përveç dosjeve fiktive dhe fotografive të facebookut, duket që nuk ka mbetur më asgjë. Universitetet duhet të bëhëshin burim debate, dijesh dhe sipërmarrjesh, e jo t’i bënin sehirë korrupsionit dhe degradimit të projekteve në dorën e patronazhistëve dhe të një grushti njerëzish, që universitetet po i përdorin thjesht për pasurimin e tyre. E gjithë propaganda e sistemit monist e kakistokratik, duket që ka krijuar një humnerë të thellë dhe një përkeqësim të skajshëm të standarteve dhe të cilësisë së arsimit. Përkundrejt nxënësve dhe studentëve të margjinalizuar, të mashtruar e të vjedhur në çdo gjë. Korrupsioni pandemik në të gjitha strukturat e arsimit po shkakton mbylljen e shkollave, përgjysmimin e numërit të maturantëve dhe të studentëve në universitete dhe emigrimin e profesorëve më të mirë e më të ndershëm që ka Shqipëria. Kjo situatë dëshpëruese po ju shërben vetëm një grushti njerëzish, që kanë mbështetje politike, dhe që u është lenë dorë e lirë në vjedhje dhe në korrupsion, përkundrejt rinisë së dhunuar e të dëbuar drejt kampeve të azilit. Vjedhja dhe korrupsioni i pronave, projekteve dhe investimeve, duhet të stopohet sa më parë, e kjo duke kërkuar llogari për produktin e pritur.

Vendet e BE dhe të SHBA duhet të ndalen e të kërkojnë llogari për fondet e adresuara drejt bujqësisë, por që kurrë nuk arritën tek bujku e as tek prodhimi bujqësorë. Është koha që të kuptohet që menjanimi i ekspertizës dhe oponencës më të mirë të vendit, është bërë vetëm për të vjedhur e për të shkaktuar këtë situatë dëshpëruese në bujqësi e blegtori. Në këtë mënyrë duhet të verifikohet e adresuara për mjedisin dhe hartat e pronave, por që degraduan mjedisin dhe pronat. Apo investimet në infrastrukturë, e ku çmimet fiktive e korruptive janë 5-6 herë më të larta se ato në vendet e BE dhe SHBA. Për ta përmbyllur, besojmë se vendet e BE dhe SHBA do të reagojnë e stopojnë vjedhjen e investimeve dhe të projekteve të dhëna prej tyre, e kështu do të kontribuojnë si kurrë më parë për demokracinë dhe normalizimin e jetës shoqërore e politike në Shqipëri. Është momenti historik për të bërë drejtësi dhe për ta mbrojtur Shqipërinë nga korrupsioni, fiktiviteti, kriminaliteti dhe shpopullimi. Në këtë drejtim, roli i BE dhe SHBA është vendimtar, dhe përjetësisht mirënjohës dhe i paharruar për Shqipërinë dhe shqiptarët.