Rrezikohen afatet nga shtyrja e gjyqeve për dosjen 184

160
Sigal

Pas zhvillimit të disa seancave normale në dy proceset për “Dosjen 184” dhe leximit të pretencës në njërin prej tyre, gjyqet u janë rikthyer shtyrjeve. Në dy seanca radhazi, që ishin planifikuar të martën, gjykimi u shty për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës Gentjan Rumano dhe ndërrimit të avokatit në njërin prej proceseve.

Në procesin me të pandehur Drini Gjecin, ish-drejtor i zyrës së arsimit dhe Nuri Medën, ish-administrator i njësisë lokale gjatë seancës u mësua se të pandehurit kishin ndërruar avokat. Avokati i ri Gentjan Sadiku kërkoi kohë nga gjykata që të njihej me aktet dhe me kërkesën e Prokurorisë- kërkesë e cila u pranua.

Tre seanca më parë prokurori i Dibrës, Urim Buci ka kërkuar dënimin me nga 3 vite burg për të dy të pandehurit, ndërsa tha se në zbatim të gjykimit të shkurtuar për të dy të akuzuarit ky dënim ulej në 2 vjet. Prokurori kishte kërkuar pezullim të dënimit, meqenëse të pandehurit nuk paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore – të vendoseshin në provë për një periudhë kohe prej tre vitesh dhe ndalimi për të kryer detyra dhe marrë funskione publike, po për dy vjet. Seanca e radhës edhe për këtë çështje është vendosur për në datën 1 qershor 2022.

Në seancën paralele mungonte i pandehuri Robert Aga, ish drejtues i komisariatit të Policisë së Dibrës, gjithashtu edhe avokati mbrojtës, Gentjan Rumano. Avokati nuk kishte paraqitur para gjykatës arsyet e mungesës. I pranishëm ishte i pandehuri tjetër, Hasan Hotit ish-administrator i Lurës.

Në këtë proces të dytë ka përfundur dëgjimi i dëshmitarëve thirrur nga të pandehurit. Gjyqtarja Nertila Kape vendosi që në mungesë të Agës dhe avokatit mbrojtës, të përsëritet edhe një herë njoftimi, duke vendosur shtyrjen e seancës për në datën 1 qershor.

E çuar për gjykim në dhjetor të vitit 2020, për këtë çështje janë zhvilluar afro 40 seanca gjyqësore. Në gjysmën e seancave shkak për shtyrjen e seancave është bërë mungesa e avokatëve.

Procesi i filluar pas përgjimeve të vitit 2016 në të cilën të pandehurit angazhohen të ndihmojnë kandidatin e Partisë Socialiste duke përdorur postin që mbanin. Pas zvarritjes për vite me rradhë të hetimit, për mbi një vit çështja zvarritet në gjykatë.