Është koha kur mësuesit së bashku me prindërit duhet të zgjedhin 1 nga 3 tekstet e propozuara sipas ligjit për nxënësit e klasës së I dhe të VI. Megjithëse ky proces ka filluar që më 31 korrik dhe ka edhe dy ditë afat, periudha e papërshtatshme ka sjellë braktisjen e procesit nga prindërit. Ndërsa në katalogun me tekste të propozuara nga shtëpitë botuese vihet re një rritje e çmimeve.
Ekspertët e arsimit deklarojnë se realisht ka një tekst fitues, por konkurrohet me disa shtëpi botuese që e përkthejnë atë, çka sjell edhe rritjen e çmimit të teksteve. Por ndryshe nga sa u anatemua teksti i historisë si i papërshtatshëm dhe me gabime konceptuale, sërish nxënësit do të mësojnë po me atë tekst pasi ai as nuk u korrigjua, por as nuk u tjetërsua. Mësuesit kanë afat deri më 7 gusht të përzgjedhin tekstet me të cilët do duhet të punojnë në vitet në vijim me vogëlushët që fillojnë shkollën për herë të parë dhe ata të klasës së gjashtë.