U qëllua me plumb pas shpine, ndërron jetë në spital ish-kreu i komunës Velipojë

Ndërron jetë në spital ish-kreu i komunës së Velipojës Pashko Ujka.

64-vjeçari nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra, teksa ishte qëlluar me plumb në shpinë. Me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, Ujka ka ndërruar jetë pak minuta pas atentatit që iu bë pranë banesës së tij.

Sigal

Policia ndërkohë është vënë në kërkim të autorit dhe ka ngritur disa postblloqe për kapjen e tij. Po kështu janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes, megjithëse moti i keq vështirëson qartësinë e tyre.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:15 në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër. Janë ende të paqarta rrethanat e ngjarjes dhe grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e tyre.

Kjo isht hera e tretë që qëllohet me armë zjarri në drejtim të Pashko Ujkës, ku atentati rezultoi fatal për jetën e tij.

Kujtojmë që Pashko Ujka ka qenë kryetar komune në vitet 2011-2015, dhe nga dyshimet e para plagosja mund të lidhet me kohën kur ka ushtruar detyrën si kryetar komune.

Pashko Ujka ka shërbyer edhe si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka qenë pjesë e Partisë Aleanca Demokratike dhe Partisë Demokristiane të Nard Ndokës.

Njoftimi paraprak i Policisë së Shkodrës për ngjarjen:

Rreth orës 18:15, në  lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur  menjëherë shërbimet e Policisë  dhe vijon krehja e  zonës  me qëllim kapjen e autorit.

Grupi hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë po  vijon punën për  sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.