Korrupsioni me punësimet në Arsim në Dibër, gjykata lë në burg dy të arrestuarit

175
Sigal

Fitim Farruku dhe Halit Shehu të arrestuar pak ditë më parë pas një operacioni të SPAK në Dibër janë lënë në burg nga gjykata. Togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për dy të arrestuarit.

Nga aksioni i finalizuar nga SPAK në Dibër u ndaluan Fitim Farruku, shef finance në Këshillin e Qarkut, Lulzim Dani polic bashkiak në Bashkinë Dibër, bashkëshorti i Drejtoreshës së Zyrës Vendore të Arsimit si dhe Halit Shehu, specialist pyjesh.

Si nisi hetimi

Prokuroria e Posaçme njoftoi se hetimet nisën pasi Halit Shehu tentoi të fillojë punë si mësues. Për këtë arsye ai ka kontaktuar Fitim Farrukun, të cilit i dha 100 mijë lekë. Ky i fundit i ka premtuar kundrejt shpërblimit që t’i sigurojë ndikim te drejtuesit e Zyrës Arsimore që të punësohet si mësues.

Pas marrjes së zarfit me lekë Fitim Farruku takoi burrin e drejtoreshës së Arsimit, Lulzim Dani. Ndërkohë, burimet thonë për abcneës.al se ka dyshime që operacioni u dekonspirua pasi, Lulzim Dani nuk i mori zarfin me lekë Fitim Farrukut.

Sakaq, Halit Shehu dhe Shefi i Financës së Këshillit të Qarkut, Fitim Farruku u arrestuan 2 ditë më parë. Burri i Brikena Danit, Dr. e Arsimit Dibër, Lulzim Dani u shoqërua dhe u la i lirë. SPAK përgjoi telefonat dhe përgjim ambiental, nuk arriti të provonte korrupsionin nga Lulzim Dani.