Do ekstradohej në SHBA për evazion fiskal, vetëvritet në qeli themeluesi i antivirusit McAfee

206
Sigal

Themeluesi i antivirusit McAfee, John McAfee është gjetur i vdekur në një qeli të burgut të Barcelonës vetëm pak orë pasi një gjykatë spanjollë vendosi ekstradimin e tij për në SHBA për t’u përballur me akuzën e evazionit fiskal.

Autoritetet spanjolle thanë se mjekët e burgut u përpoqën që ta mbanin në jetë, por nuk ja dolën mbanë, ndërsa shtojnë se nga të dhënat e deritanishme dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje.

Një figurë e diskutueshme, kompania e z. McAfee lëshoi softuerin e parë komercial anti-virus. Ai ndihmoi të ndizet një industri miliarda dollarëshe në botën e kompjuterëve.

Në tetor 2020, ai u arrestua në Spanjë dhe u akuzua për mosregjistrimin e deklaratave tatimore për katër vjet, pavarësisht se fitoi miliona dollarë nga puna e këshillimit, duke folur për lidhjet, kripto-monedhat dhe duke shitur të drejtat për historinë e tij të jetës.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA akuzon McAfee se shmangu detyrimin tatimor duke i paguar të ardhurat e tij në llogaritë bankare dhe llogaritë e këmbimit të kriptomonedhave në emrat të tjerë.

Ai u akuzua gjithashtu për fshehje të pasurive, duke përfshirë një jaht dhe pronë të paluajtshme, në emra të personave të tretë.