Xhevat Mustafa: Agresiviteti i “Rilindjes”, shprehje e panikut nga humbja e sigurtë

364
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Rasti më i freskët i arrogancës dhe prepotencës qeveritare ishte incidenti i dt. 12 mars, kur një grup policësh bashkiakë të Tiranës, natyrisht jo me kokën e tyre, guxojnë t’i kundërvihen publikisht Presidentit të Republikës, në një veprimtari publike dhe nën shumë kamera mediash. Ky akt përbën një çmenduri të re shqiptare apo haxhiqamilizëm ashiqare. Ky është kulmi i arrogancës dhe prepotencës qeveritare apo absolutiste dhe neodiktaturiale.

Si qytetar e analist politik, edhe mezi e pres, edhe më tremb periudha pas 25 prillit 2021. Jam i bindur se do të fitojë kjo lloj e djathtë që kemi, sepse “Rilindja” ka dështuar plotësisht, është djegur dhe vetëdiskredituar tejet rëndë. Lista e kandidatëve me plot individë të inkriminuar e të padenjë në vend të disa figurave elitare, kohë gjatë kontribuese dhe përfaqësuese të PS-së së parë, e ideuar, firmosur dhe vulosur nga Edi Rama, me mendt dhe duart e veta, do ta  bëjë humbjen e “rilindjes” edhe më të thellë. Jo vetëm për mua, subjektivisht, por për shumicën e opinioneve, më 25 prill, Ramën nuk e shpëton nga humbja e rëndë as vjedhja dhe blerja e votave; as mafia shqiptare dhe Ndragjeta; as Soros, as Serbia, Greqia, Turqia. Prandaj, Rama, është bërë edhe më i trullosur dhe agresiv, duke sulmuar SHBA dhe BE, si Berisha më 1997. Kjo shpreh se humbja e tij do të jetë e pashmangshme dhe e thellë, si e Berishës, më 23 qershor 2013! Si qytetar, nga kontaktet e përditshme të drejtpërdrejta, nga bisedat në rrugë e lokale, kam vënë re se është masivizuar edhe zhgënjimi dhe pendesa ndaj qeversjes Rama edhe nga ushtria e elektoratit gri, edhe nga vetë masa e socialistëve të thjeshtë. Në fund të fundit, këta kanë me bollëk arësye të pyesin veten dhe njeri-tjetrin: Cilëve t’ua japm votat për mandat të tretë? Edi Ramës me tufën e tij, që ka më se  7 vjet që e kanë katandisur Shqipërinë në kriza ekonomike dhe politike të rënda, në vendin me nivelin më të ulët në Evropë për paga, pensione e mirëqenie dhe të parin për korrupsion, emigracion, kriminalitet, kanabizim?

Më konkretisht, shumica e qyetarëve kanë arësye e të drejtë të jenë të zhgënjyer e të pakënaqur gjatë këtyre 7.5 viteve të qeverisjes Rama-Rilindja, duke analizuar përkeqësimin e jetesës së tyre të përditshme.  Shifra e familjeve që jetojnë nën nivelin minimal të varfërisë, apo në mjerim të tejskajshëm, me rreth 7.500 lekë të reja në muaj mbështjetje sociale, me paga në rreth 25.000-30.000 lekë dhe pensione në rreth 15.000-25.000 lekë, është rreth 300.000, nga rreth 675 mijë familje, që ka aktualisht tek ne! Koston e jetesës dhe varfërinë tek ne këto vitet e fundit po i ngre edhe rritja e çmendur e çmimeve të shumicës së artikujve kryesorë të ushqimit jetik të përditshëm. Jo për politizim, duke i llogaritur në krahasim me 2013, këto çmime janë rritur në rreth 50- 100%, bile edhe po kaq në krahasim edhe me Gjermaninë. Le të kujtojmë sa i blinim  më 2013 dhe sa i blemë sot, më 13 mars 2021,  1 kg mish, peshk, djathë të bardhë e kaçkavall, gjalp, vaj, mjaltë, biskota, makarona, oriz, birrë, verë. Edhe pse jemi vendi që notojmë mbi ujë të pijshëm, edhe 1 shishe 1.5- 2 litra ujë, e blejmë 50 lekë, kur në Gjermani blihet me 15- 20 cent ose 25 lekë…Mund të vazhdoja me referime të tjera, por besoj se edhe këto janë shprehëse. Në vijim, shumë qytetarë mund të vazhdojnë të pyesin: Si mund t’ia japim votat më 25 prill kësaj partie dhe qeverisjeje, që i ka bllokuar vendit hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE? Që ka detyruar rreth 350-400 mijë shqiptarë, kryesisht mosha të reja dhe me diploma universitetesh, të ikin për emigrim dhe punësim në vende të Perëndimit…? Që vjedh e ble ditën me diell vota e mandate? Që e ka bërë Shqipërinë parajsë për të pastruar miliardat e pista e të përgjakshme: Ndraghetat? Që do t’i dhurojë rreth 200 milionë euro Becchettit, si gjoba nga Strasburgu? Që firmosi Minishengenin Ballkanik, duke i mundësuar Serbisë ëndrrën shekullore të daljes në Adriatik? Që nëpërmjet 12 miljeve kufi detar, mund  t’i mundësojë Greqisë të gllabërojë një copë deti Shqipërie të pasur me naftë e gaz? Por, nga sa po kuptohet nga veprime dhe deklarime të tij të deritanishme, Rama dhe ekipi i tij ka ndërmend apo ka filluar strategjinë e destabilizimit të vendit, për të mos pranuar humbjen dhe mos dorëzuar qetësisht dhe demokratiksht pushtetin. Nga shumë veprime të tij dhe disa bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, lihet të kuptohet se për këtë strategji ai ka kohë që mendon dhe po përgatitet. Në këtë kuadër mund të llogaritet edhe nxjerrja nga burgjet e plot bosëve të bisneseve antiligjore e të krimit të organizuar, të vrasësve, trafikantëve shumëformësh, mitmarrësve në institucione, gjykata, spitale…Si avantazhe për këtë strategji mund të vlerësohen kushtet apo gjendja në të cilat është katandisur vendi nga keqqeverisja afro 8 vjeçare e Edi Ramës me shokë e shoqe. Prej rreth 7 vitesh vendi është i përmbytur nga kriza ekonomike, nga borxhet miliardëshe, kanabizimi, oligarkia, kriminaliteti; teatro dhe gjelbërim-shembje për kullëzim dhe betonizim masiv…Krahas këtyre, kjo strategji ndihmohet edhe nga katandisja e PS- Rilindjes  në një forcë politike destruktive dhe agresive, në ortakllëk me bosët e krimit e të mafias, të multimilonizuar nga PPP-të dhe hanllëku i ministrive, drejtorive të përgjithshme, doganave…Planet dhe llogaritë e klanit apo bandës Rama, pa apo me dashje, përftojnë edhe nga  mbështetja jo e pakët edhe nga disa ambasadorë të huaj edhe në Tiranë. Kjo strategji destabilizuese ndihmohet apo lehtësohet edhe  nga pasja e një populli masivisht të paemancipuar, sidomos në fshat, nga aspekti arsimor, kulturor, demokratik, që i pret mrekullitë brenda 4 muajve e jo 4 vjetëve, kur merret me mend se sikur të vinte më 26 prill një qeveri me kryeministrat e 15-20 vendeve të BE-së, do ta kishte të  pamundur të kryente ndryshim pozitiv të madh e të shpejtë. Nga ana tjetër, llumi i së majtës në të tre nivelet e piramidës së saj, bandat e krimit, të drogës, mafias shumëformëshe e shumëflamurëshe, korrupsionit, tufa e oligarkëve të majtë të armatosur deri në dhëmbë e për 1.000 vjet, me soj e sorrollop, me miliarda PPP-shë, me nxitjen dhe drejtimin nga figura dhe struktura politike të “rilindjes”, ka shumë gjasa që të bashkohen për trazira dhe destabilitet të vazhdueshëm, deri për 97 tjetër dhe për protesta të dhunshme, për 21 janar 2011 të ri.

Qëllimi kryesor apo final është i lehtëkuptueshëm: për t’ia shkurtuar jetën qeverisë së ardhshme dhe për rikthimin sa më të shpejtë në pushtet të partisë dhe kryetarit të tyre të zemrës, me shumicën e po këtyre ministrave dhe ministreshave, me të cilët janë marrë vesh mb 7 vjet për çdo lloj pazari dhe fature. Këmbanat e alarmit po gjëmojnë edhe këto ditët e fundit, me acarimin nga ana e pozitës qeverisëse në fjalor dhe veprime të fushatës parazgjedhore, duke sulmuar jashtë etikës dhe edukatës koalicionin dhe kandidatët kundërshtarë, sidomos disa prej kontigjentit femëror, siç është rasti me kandidaten e PD-së, znj. Grida Duma. Agresiviteti  i Edi Ramës me shokë e shoqe, përfshrë edhe kryebashkiakun e Tiranës, Eron Veliaj, filloi me fushatën e sulmeve dhe të kritikave ndaj programit elektoral të PD,- së. Çdo njeri normal mund t’i bënte pyetjen vetes: more, cilët e kritikojnë programin e opozitës?  Edi Rama, me tufën e ministrave dhe ministreshave të tij, që për më shumë se 7 vjet e gjysëm, u shiti shqiptarëve premtimet për realizime,varfërimin për pasurim; rritjen e kateve të “kullave të kanabisit” si rritje të shkallëve të mirëqenies; “diploma- blerësit” për profesorë djerse; të inkriminuarit e të dënuarit si engjëj…,mosintegrimin në BE si padrejtësi prej saj dhe jo për faje e përgjegjësi të tij personale e qeveritare. Rasti më i freskët i arrogancës dhe prepotencës qeveritare ishte incidenti i dt. 12 mars, kur një grup policësh bashkiakë të Tiranës, natyrisht jo me kokën e tyre, guxojnë t’i kundërvihen publikisht Presidentit të Republikës në një veprimtari publike dhe nën shumë kamera mediash. Ky akt përbën një çmenduri të re shqiptare apo haxhiqamilizëm ashiqare. Presidenti i Republikës, simboli i shtetit, sfidohet publikisht nga një tufë policësh bashkiakë?! Ky është kulmi i arrogancës dhe prepotencës qeveritare apo absolutiste dhe neodiktaturiale! Një kryetar bashkie, i trimëruar nga mbështetja e kryeministrit, i kundërvihet publikisht Presidentit të Republikës?! Vetëm në një vend si ky i yni mund të ndodhë ky skandal ligjor dhe institucional. Në të kundërt me fushatën e pozitës qeverisëse, nga sa shikohet dhe dëgjohet drejtpërdrejt apo nëpërmjet mediave, fushata elektorale e PD dhe opozitës si koalicion, është tejet më e kulturuar, e qytetëruar, e emancipuar, edhe pse ajo ka më bollëk fakte për t’i lakuriqësuar dhe turpëruar shumicën e kandidatëve të ekipit “Rilindas”.