Ilirjan Lluri: Kur Dituria lihej amanet dhe jo pasuria!

 

  • Tringëllimi i ziles të klasës së parë

Këtu nuk të lënë as të vdesësh – kështu më thoshte xha Metja sa herë e pyesja për shëndetin që s’po i ecte dhe aq mirë kohët e fundit. Miku im në moshë të thyer, prej kohësh jetonte në Kanada. Bisedat telefonike me të, kishin brenda jo vetëm “Rritin e ç’malljes” njerëzore, por edhe dëshirën e tij të kahershme për t’u njohur me ndryshimet që pësonte Gjirokastra, malli për të cilën, i mbetej ngaherë i pa shuar. Por ajo telefonatë e fund verës 2020, ishte e një natyre krejt tjetër. Me një zë emocional, që dukej se po i dilte nga thellësia e shpirtit, më bëri një kërkesë, që m’u duk disi e çuditshme. Kam dëshirë të shkruash ca radhë për një mësues – më tha. Quhet Qemal Hashorva.

NOA

Mbiemri “Hashorva”, përfaqëson një nga fiset e njohura gjirokastrite, me gjurmë të thella në historinë, kulturën dhe arsimin e saj. Xha Metja për të më orientuar shtoi se, Qemali, ishte babai i mësueses së njohur Pranvera Hashorva (Karagjozi), ish n/drejtoreshë e shkollës “29 Nëntori”, ku unë kisha mbaruar arsimin 8-vjeçar. Përmes Sokolit, djalit të saj, vura në dijeni znj. Pranvera, se më duheshin disa të dhëna për babanë e saj. Mbase edhe vetë “Mësuesja e Merituar”, do të jetë befasuar nga kjo kërkesë. Gjithsesi u ndjeva mirë që porosia e xha Metes, nisi të merrte rrugë kaq shpejt. Por vjeshta e dytë, Tetori i 2020, erdhi me një lajm të trishtë për familjen Ahmeti.  Xha Metja, pa pritur u nda nga jeta. Trishtimi i thellë që më pushtoi, u bë edhe më rëndonjës, kur solla ndërmend bisedën e fundit me të. Ai komunikim i zakonshëm mes miqsh, tashmë i ngjante më shumë, një amaneti.

  • Ishte mësuesi im i klasës së parë ! – më kishte pohuar xha Metja,

duke theksuar kështu rëndësinë që kishte ky fakt, për të. Ndjeva se pa pritur u pushtova nga tringëllimi i pa harrueshëm i ziles së klasës së parë, dhe zërit të ngrohtë të mësueses sime, Klementina Abazi. Sa e çuditshme ! Të gjithë mësuesit e klasës së parë, lënë një përshtypje krejt tjetër në sytë e nxënësve, krahasuar me mësuesit e tjerë. Në këtë përshtypje, respekti përzihet me dashurinë. Janë ende të “shkrira” kufijtë midis prindit dhe mësuesit. Ndodh që shumë emra mësuesish, koha na i largon nga kujtesa, por me mësuesin e klasës së parë, kjo nuk ndodh kurrë. Dhe kjo e ka spjegimin e vet. Në krah të tij, fëmija hedh dy hapat themelorë drejt dijes; shkrimin dhe këndimin e gjuhës amtare. Por unë ende nuk e dija se në fakt Qemal Hashorva, përfaqësonte edhe diçka tjetër, shumë më të rëndësishme se kjo.

Qemal Hashorva  

Qemal Hashorva lindi dhe u rrit në qytetin e Gjirokastrës. Ai ishte djalë i vetëm, në tre motra. Mësimet e para i mori në shkollën qytetëse, ndërsa arsimin e mesëm e vijoi në Turqi. Bukuria, urtësia, zgjuarsia dhe rezultatet e larta në mësime veç admirimit zgjuan edhe ndjenjën e xhelozisë. Për këtë shkak u godit me thikë në këmbë dhe në qafë nga një bashkëmoshatar. Megjithëse u kurua në Stamboll dhe në Janinë, mësuesit të ardhshëm që pas këtij momenti nuk ju nda bastuni nga dora. E filloi profesionin si mësues i gjuhës shqipe në shkollën fillore të lagjes “Meçite”, të Gjirokastrës. Ai u martua në moshën 15 vjeçare me një bashkëmoshatare, me të cilën ndante edhe kohën e argëtimit me lodrat e njohura të fëminisë, “kut e pingël” dhe “babot”. Mori për grua vajzën e patriotit të njohur, Sabri Kallajxhi.

Dërrasa e vogël e shkrimit

Qemali e ushtroi një pjesë të detyrës së mësuesit, kur fletoret e shkrimit mungonin. Nxënësit shkruanin në “dërrasën e tyre” të vogël, të gurtë, në ngjyrë të zezë, e cila në njerën anë kishte vija dhe në tjetrën katrorë. Pra shërbente për mësimin e shkronjave dhe të numrave. Pllaka ishte e rrethuar me një kornizë druri në qoshen e së cilës lidheshin dy fije peri të forta; në njerën prej të cilave ishte lapsi prej plumbi, e tek fija tjetër varej një fshirëse e vogël prej pambuku ose robe.

Viti i fundit si mësues

Viti i fundit që punoi si mësues ishte koha kur atë e transferuan në Salari, ku edhe u sëmur me Bronko-pneumoni. Doktor Vasil Laboviti, i cili sapo kishte mbaruar studimet në Vjenë, i qëndroi shumë afër mësuesit të ri, duke e kuruar me kininë. Por pavarësisht kujdesit të veçantë, shëndeti i tij u përkeqësua dhe u nda nga jeta në moshë të re.

Amaneti

Ishte dhe ka mbetur traditë në Jug, që në rastet e një vdekjeje të paralajmëruar, “Rriti i amanetit” merr një rëndësi të veçantë. Ceremoniali shpesh nis disa orë më parë, kur të afërmit fillojnë e bëjnë vizitën e lamtumirës. Por ajo që mbizotëronte dikur pas një morti në qytet, ishte pyetja se; Ç’farë amaneti kishte lënë njeriu i ndarë nga jeta. Më së shumti ai lidhej me trashëgiminë, pasurinë. Amaneti në një farë mënyre përcaktonte dhe vendoste ekulibra të reja në një familje. Përcaktonte sjelljen e nesërme të pasardhësve. Edhe mësuesi Qemal Hashorva, pati kohë të linte amanetin tek gruaja e tij.

  • Mos ler pa shkollë asnjë nga fëmijtë, se nuk do të më tresë dheu !

Në se ka ndonjë rast kur një grua e zbaton deri në fund amanetin e burrit të saj, është pikërisht ky. Por në se ka ndonjë rast, kur Amaneti kthehet në një mision, ky pa dyshim mbetet unik. Fëmijët; Makbule, Lale, Hysen, Ferhat, Liri dhe Pranvera, ndoqën profesionin e babait të tyre, Qemalit. Të gjashtë fëmijët u bënë mësues. Mësues të gjuhës edhe të matematikës, duke i “përfaqësuar” të dy anët e pllakës së gurtë të shkrimit, me të cilën babai i tyre mësonte në fillesë të profesionit nxënësit e tij.

Vatra e arsimit “Hashorva”

Pa dyshim ky mbetet një nga rastet e rralla të kohës, jo vetëm për Gjirokastrën, por edhe për Shqipërinë, kur vetëm nga gjiri i një familjeje shqiptare me tetë antarë, 7 prej tyre ushtruan profesionin e mësuesit. Duke pasur parasysh luftën e rilindasve për mbrojtjen dhe përhapjen e  gjuhës shqipe, dhe kontributin e kësaj familjeje për arsimin shqiptar në përgjithësi, e për atë gjirokastrit në veçanti, kuptohet vetvetiu, që “Vatra Hashorva”, ishte dhe mbetet në fakt një “Vatër e Arsimit Kombëtar”. Koha kur z. Qemal e ushtroi profesionin e mësuesit sot duket e largët. Edhe më e largët bëhet ajo, kur mëson se vajza e tij, “Mësuesja e Merituar” Pranvera Karagjozi, u nda nga jeta, prej “Covid 19” vetëm pak ditë më parë, në moshën 94 vjeçare. Por pavarësisht kufirit kohor që përcakton pyetja “Kur”, profesioni i mësuesit, ka mbetur po aq i shenjtë, ashtu si dikur. Dhe sa herë që bëjmë fjalë për të, përpara pyetjes “Kur”, duhet bërë pyetja “Si”. Sepse vetëm përgjigja e saj, na njeh me “modelin” që duam t’ju afrojmë të gjithë atyre të rinjve që duan të ndjekin këtë profesion të nderuar. Mësues Qemali e ushtroi profesionin, në ato çaste të historisë sonë, kur jo rrallë i qëllonte të kishte nxënës në të njëjtën kohë, fëmijët dhe prindërit. Në mëngjes ju mësonte të shkruanin dhe lexonin shqip fëmijëve, e në mbrëmje, në kuadër të luftës kundër analfabetizmit, prindërve të tyre.

Mirënjohja, që zgjati sa jeta

… M’u kujtua përsëri  telefonata e xha Metes e veçanërisht momenti kur më pyeti; – Ilir, a je kurioz ta dish se ç’farë më mësoi mësuesi im i klasës së parë ? Dhe pa më lënë kohë të përgjigjesha vijoi; – Dashurinë për gjuhën, për shkollën, për arsimin. Koha dhe rrethanat politike nuk më lanë që unë ta përmbushja tek vetja  këtë dëshirë. Por, dashuria që ai mbolli tek unë për shkollën, më shtyu të këmbëngul e sakrifikoj shumë për të arsimuar fëmijët e mi, të cilët e gjetën veten me plot dinjitet profesional edhe këtu në emigrim. Për këtë, i jam mirënjohës gjithë jetën time atij njeriu.

Në ato çaste as më shkonte nëpër mënd se atij, i kishte mbetur ende fare pak kohë për ta shprehur mirënjohjen e tij; ashtu si nuk mund të besoja kurrë se kjo, do të ishte telefonata jonë e fundit. Por gjatë shkrimit të këtyre radhëve, u binda se ndryshe nga unë, ai e kishte parandjerë gjithçka. Po ndieja nga momenti në moment se “Amaneti i tij telefonik”, i ngjante gjithmonë e më shumë, Amanetit të dikurshëm të mësuesit të tij. Përmes kësaj telefonate në dukje të thjeshtë, ai besoi tek unë përcjelljen e një mesazhi të madh për bashkëqytetarët e tij; vlerësimin e figurës së thjeshtë e të dashur të mësuesit në ç’do kohë e nga ç’do kush, deri sa të kemi frymë. Rasti unikal i Vatrës Kombëtare të Arsimit me emrin “Hashorva”, e kapërcente dukshëm në sytë e mi, respektin individual të xha Metes, për mësuesin e tij. Është kjo arsyeja përse ky fakt, i artikuluar nga ky burrë i mençur, nxiti Unionin e Gazetarëve Gjirokastër t’i drejtojë Këshillit Bashkiak kërkesën; që në kuadër të festës së 7 Marsit dhe 125 vjetorit të lindjes, t’i akordojë mësuesit Qemal Hashorva  titullin “Qytetar Nderi”( pas vdekjes) me motivacionin;

“Për dashurinë dhe profesionalizmin e treguar në ushtrimin e detyrës së mësuesit; për ndjenjën e sakrificës dhe përkushtimit; për këmbënguljen, urtësinë dhe metodikën e ndjekur në përgatitjen e brezit të ri; për përgjegjësinë, cilësitë dhe vyrtytet e rralla në edukimin e fëmijëve të tij, duke e kthyer familjen në një “vatër” misionarësh të arsimit shqiptar, duke mbetur në kujtesën e komunitetit gjirokastrit si modeli më përfaqësues i një prindi dhe mësuesi të shkëlqyer”.

Dihet që në zbatimin e një amaneti mungon vetëm ai që e ka lënë atë. Amaneti i mësuesit Qemal Hashorva mbetet ndër më të veçantët në qytetin tim. Ai i ngjan amaneteve të rilindasve tanë në mbrojtje të gjuhës shqipe. Ky mësues i rrallë la amanet jo pasurinë, por diturinë. Shumë vite më vonë nxënësi i tij, do të linte “amanet mirënjohjen për të, duke na shtyrë të pasurojmë me një tjetër dosje të rëndësishme historinë e arsimit tonë.

Shpresoj që përmes këtij shkrimi të kem plotësuar sado pak dëshirën e mikut tim të mirë, momentet e fundit të jetës së të cilit, i shoqëroi tringëllimi i bukur dhe i ëmbël i “Ziles së klasës së parë” dhe virtyti (gjer në fund të jetës) i mirënjohjes, për mësuesin e tij.

– Këtu s’të lënë as të vdesësh… më thoshte shpesh xha Metja duke qeshur.

Isha i bindur se veç sistemit të përparuar të kujdesit shëndetësor në vendin e largët, xha Metja këtë gjë ja dedikonte edhe dashurisë dhe përkushtimit të fëmijve të tij, që i arsimoi përmes sakrificave të shumta prindërore, e në veçanti vajzave, me të cilat jetonte në vendin e largët.

Ilirjan Lluri

Unioni i Gazetarëve Gjirokastër