Dështon atentati me armë ndaj gazetarit Artur Çani

418
Sigal

TIRANË- Gazetarit të News 24, Artur Çani i kanë bërë një atentat me armë, fatmirësisht i dështuar. Një person i maskuar dhe i pajisur me pistoletë me silenciator ka tentuar ta qëllojë. Mësohet se personi ende i paidentifikuar, i kishte zënë pritë drejtorit të emisionit ‘Kaktus’ në News 24, Artur Çanit, në hyrje të pallatit ku banon. Atentati ka ndodhur të hënën rreth orës 20:32 në rrugën ‘Faik Konica’, ndërsa zoti Çani ka shpëtuar mrekullisht, pasi siç deklaron ai, pistoleta me silenciator nuk shkrepi. Menjëherë për ngjarjen u njoftua edhe policia e kryeqytetit, ku vetë kreu i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa dhe shefi i Komisariatit nr 1 Artjon Duka shkuan në vendngjarje. “Ngjarjen e kam parë në kamera, nuk nuhata asgjë. Shkoja në shtëpi në orën 20 e 30, ishte errësirës. Roja me njoftoi ishin 3 veta, më thanë që ka ardhur një njeri që ka dashur të të vrasë. Një djalë i pallatit rreth të 20-tave e ka parë personin më armë kur ka dalë nga pallati. Pastaj kanë parë kamerat për të identifikuar kujt i kanë qëlluar. Unë hyra në ashensor tek dera dëgjova një zhurmë që si dhashë rëndësi. Kamerat kishin filmuar këtë personin me pistoletë në dorë që hynte pas meje. Ai më kishte drejtuar armën, është përpjekur të qëllojë por nuk i ka shkrepur, është ulur e ka mbushur sërish por unë hyra direkt në ashensor”-pohon Çani. Lidhur me ngjarjen ka reaguar dje dhe Partia Demokratike, duke shprehur indinjatën dhe duke vlerësuar punën e Çanit si një njeri që me kurajë zbulon dhe denoncon korrupsionin. Prokuroria dhe policia vazhdojnë hetimet ndërkohë që dyshohet për tre pista të mundshme, përkatësisht: Albpetroli, Vrasësit e Santos dhe ngjarja e Sarandës.