Koha e patriotëve dhe jo e tradhtarëve

465
Nga Dr. Bledar Kurti
“Një komb mund t’i mbijetojë budallenjve të tij, madje edhe ambiciozëve. Por nuk mund t’i mbijetojë tradhtisë që vjen nga brenda. Një armik në portat e qytetit është më pak i frikshëm, sepse ai dallohet qartë si armik. Por tradhtari lëviz lirisht mes atyre që janë brenda portave të qytetit, me pëshpëritjet e tij tinëzare në të gjitha qoshet, që dëgjohen edhe në vetë sallat e qeverisë. Tradhtari nuk shfaqet kurrë si tradhtar; ai flet me gjuhën e viktimave të tij, dhe ai vesh fytyrën e tyre dhe rrobat e tyre. Ai e kalb shpirtin e një kombi; ai punon fshehurazi gjatë natës për të minuar shtyllat e një qyteti; ai infekton trupin politik në mënyrë që ta shkatërrojë. Tradhtari është murtaja.” – Marcus Tullius Cicero, nga një fjalim mbajtur në Senatin Romak, rreth vitit 42 para Krishtit.
Ky fjalim i më shumë se dymijë viteve më parë i Ciceronit është më aktual se kurrë sot në Shqipërinë tonë, fatet e të cilës po kontrollohen nga tradhtarët dhe jo patriotët. Nga ata që po e kalbin shpirtin dhe shpresën e këtij kombi.
Atdheu ynë sot vuan më shumë se kurrë dhe për këtë fajtorë janë tradhtarët. Ata janë murtaja.
Kjo murtajë ka varfëruar shqiptarët me 41% të tyre në nivelin e 5.5 dollarëve në ditë; me 400 mijë shqiptarë të larguar, ndër të cilët 2/3 janë të rinj; me nivelin më të lartë të azilkërkuesve në BE; me nivelin më të lartë të korrupsionit dhe trafiqeve në kontinent, me borxhin publik prej 81.3% më të lartin në 30 vitet e fundit.
Kjo murtajë ka minuar demokracinë, rendin kushtetues, trupin politik, e madje tallet dhe përdhos vetë historinë e Shqipërisë dhe heronjtë tanë të cilët dhanë jetën për Atdheun dhe shqiptarët.
Nuk ka tradhëti më të madhe se të vrasësh shpresën dhe ëndrrat e popullit tënd. Të çosh në varfëri familjet e thjeshta e të ngopësh me pasuri një numër të vogël oligarkësh.
Sot jemi një vend në kufirin e mbijetesës dhe i shpopulluar për shkak të tradhtarëve të atdheut, murtajës që ka syrgjynosur shqiptarët, të atyre që kanë shitur pasuritë natyrore dhe historike të vendit, dhe ka nxjerrë në ankand kufijtë e Shqipërisë dhe të Kosovës, tenton të destabilizojë Ballkanin dhe pengon rrugëtimin e integrimit evropian.
Kjo murtajë ka minuar shtyllat e shtetit duke prishur “trias politica”, ndarjen dhe balancat e pushtetit, me një ekzekutiv diktatorial që vepron mbi dhe në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet, marrëveshjet dhe aderimet ndërkombëtare. Që godet e dhunon familjet shqiptare me bullizëm dhe pa asnjë ndjesi dashamirësie apo kujdesi për popullin e vet. Me një legjislativ anti-kushtetues marionetash që nuk përfaqëson ajkën por bajgën e shoqërisë, që dëgjon e i bindet urdhrave të sektit të tradhtarëve dhe jo zërit dhe nevojave të qytetarëve.
Tradhtarët kanë frikë nga drejtësia ndaj edhe për të shpëtuar nga mega-skandalet e tyre të shumta tentojnë ta kapin atë apo ta lenë jashtë veprimi siç ka ndodhur me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, ku presin 35 mijë dosje të qytetarëve të thjeshtë që kërkojnë 30 vite të shqyrtohen.
Tradhtarët kanë zhvatur pronën, indoktrinojnë përmes një arsimi eksperimental fëmijët dhe rininë tonë me teza të rrezikshme për traditën shqiptare; kanë ndërhyrë në kodin e familjes me mutacione të rrezikshme me ligje për adaptime fëmijësh edhe nga të pamartuarit, me qëllimin për ta zhbërë institucionin e familjes, shtylla më kryesore e shoqërisë shqiptare që nga gjeneza e kombit tonë.
Zgjidhja e vetme është t’ia kthejmë Shqipërinë patriotëve. Dhe patriotët e vërtetë janë vetë shqiptarët. Shqiptarët janë sovrani në këtë tokë. Kanë qenë, janë e do të mbeten patriotë dhe liberatorë.
Tradhtia ndaj atdheut është mëkati më i madh. Dante Alighieri në veprën e tij “Komedia Hyjnore” tek Ferri, ai rezervon për tradhtarët Rrethin e Nëntë – “më të ultin, më të zezin dhe më të largëtin nga Parajsa.” Mëkatarët më të këqij, në botën e tij të poshtme, ishin tradhtarët – ata që tradhtuan të dashurit e tyre, vendin e tyre dhe Zotin e tyre.
Rrethi i Nëntë i ferrit për tradhtarët e Shqipërisë do jetë 25 prilli. Sekti i tradhtarëve pa fe, pa familje dhe pa atdhe, që po e kalbin kombin në çdo frymëmarrje do e marrë ndëshkimin e merituar.
Vota kundër tradhtarëve është akti më patriotik i një kombi. Atë ditë shqiptarët, me një akt patriotik, me votën e tyre, do e largojnë këtë murtajë.
Sigal