Prof.Niko Pano/ Koha për shfrytëzimin hidro-ekonomik racional të Drinit të Zi

    502
    Sigal

    Ndërkohë që Maqedonia ka realizuar ndërtimin e tre HEC- eve, Shqipëria po vazhdon që të “zvarrisë” ndërtimin e HEC-it  Skavica

    Pavarësisht regjimit të komplikuar hidrologjik dhe karakterit ndërkombëtar të sipërfaqes së pellgut ujëmbledhës, potenciali i lartë hidrik i lumit Drin, filloi të shfrytëzohet për qëllime hidro-ekonomike që në fillimet e gjysmës së dytë të shekullit XX. Ky shfrytëzim konsistonte në projektimin dhe ndërtimin e veprave hidroteknike respektivisht: për qëllime hidro-energjetike, për sistemin dhe ujitjen e tokave bujqësore, për furnizimin me ujë të pijshëm të popullsisë dhe industrisë etj.. Në territorin shqiptar ndërtimet më të rëndësishme hidroenergjetike janë realizuar në akset kryesore të trungut të lumit Drin, si: HEC i Fierzës, HEC i Komanit, HEC Vau – Dejë dhe HEC Ashta, ndërsa në territorin maqedonas ato janë ndërtuar në Drinin e Zi dega kryesore e lumit Drin: HEC Glloboshica, HEC Spile dhe HEC Mavrova. Siç dihet, Drini i Zi bashkohej me lumin Drini i Bardhë në afërsi të qytetit të Kukësit, nga ku formohej lumi Drin. Që nga viti 1976, me ndërtimin e digës së HEC Fierzë, ujërat e Drinit të Zi bashkohen me ato të Drinit të Bardhë me derdhje të përbashkët në liqenin artificial të Fierzës. HEC i Fierzës ka fuqi të instaluar prej 500 Mw dhe prodhim vjetor prej 1,8 miliard kilovat. HEC. Koman filloi të ndërtohej në shtratin e lumit Drinnë vitin 1979. Ky hidrocentral ka fuqi të instaluar prej 600 Mw dhe me pesë agregate si dhe prodhim vjetor energjie prej 2 miliardë kilovat. HEC Vau – Dejë është vënë në shfrytëzim në vitin 1971. Ky hidrocentral ka një fuqi të instaluar prej 250 Mw me pesë agregate si dhe prodhim vjetor energjie 1,1 miliard kilovat. HEC i Ashtës është ndërtuar në pjesën e poshtme të lumit Drinpara se ujërat e këtij lumi të derdhen në shtratin e lumit Buna. Në territorin e Maqedonisë, HEC i Glloboshticës me fuqi të vendosur 66Mw dhe dy agregate është ndërtuar në vitet 1960-‘65, në shtratin e lumit Drin i Zi menjëherë sa ky lumë del nga liqeni i Ohrit – Strugë, ndërsa HEC i Spiles me fuqi të vendosur 99 Mw dhe me tre agregate është ndërtuar gjatë viteve 1963- ‘70, në shtratin e Drinit të Zi para se ky lum të futet në territorin shtetëror të Shqipërisë. Në lumin Radika, tributar kryesor i lumit Drini Zi është ndërtuar rezervuari i Mavrovës. Ky rezervuar me lartësi dige 54 m akumulon ujërat e një pellgu me një sip. 273 km2. Vepra hidroteknike e Mavrovës krahas prodhimit të energjisë elektrike, translokon ndërkohë edhe ujërat nga pellgu i lumit Drin i Zi në një pellg tjetër, në atë të lumitVardar, që derdhet në detin Egje. Ky translokim ose largim i ujërave, ndikon në reduktimin e potencialit hidrik të kaskadës hidroenergjetike të lumit Drin në vazhdimësi respektivisht në të katër HEC- et e kësaj kaskade. Krahas shfrytëzimit të potencialit hidrik të lumit Drin për qëllime hidroenergjetike, nëpërmjet ndërtimit të hidrocentraleve, ujërat e këtij rrjeti janë shfrytëzuar edhe për aspekte të tjera të rëndësishme si ujitja e tokave bujqësore, furnizimi i popullsisë me ujëra të pijshëm etj.. Kaskada hidroenergjetike e lumit Drin është një vepër madhore, frut i punës shumëvjeçare i punëtorëve dhe shkencëtarëve shqiptarë të cilët me sakrifica dhe përkushtim maksimal projektuan dhe ndërtuan vepra të tilla madhore hidroteknike dhe me një regjim të komplikuar energjetik.  Kjo kaskadë, krahas prodhimit të energjisë së bardhë – ekologjike, me rezervuarët e saj shërben gjithashtu ndërkohe edhe për “shuarjen” e plotave maksimale, gjatë periudhës së shirave intensive dhe përmbytjeve. Në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me shfrytëzimin racional të resurseve hidro-ekonomike, por edhe përpjekjen madhore të njeriut për transformimin e natyrës. Të gjitha këto bëjnë qe kaskada hidroenergjetike e lumit Drin për përmasat dhe për vlerat e saj të konsiderohet me plot të drejtë krenari kombëtare për popullin shqiptar.

    Maqedonia ka realizuar ndërtimin e tre HEC- eve

    Ndërkohë që, Maqedonia ka realizuar ndërtimin e tre HEC- eve të mundshme në territorin e saj, Shqipëria po vazhdon që të “zvarrisë” pa arsye objektive ndërtimin e HEC Skavica në rrjedhjen e poshtme të këtij lumi. Duke patur në konsiderate faktin e rëndësishëm se HEC Skavica do të ketë një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e situatës shqetësuese energjetike në Shqipëri, e cila u analizua me shumë seriozitet para disa kohësh nga Ministri i Industrisë dhe Energjetikës z.Damjan Gjiknuri në një emision televiziv, por ndërkohe ndërtimi i këtij hidrocentrali krahas energjisë do të ketë një impakt të ndjeshëm dhe përcaktues në reduktim – mënjanimin e përmbytjeve në Shkodër dhe territorin përreth duke patur parasysh që jo vetëm prodhimi i energjisë por edhe alternativa e vetme për rregullimin  e ekosistemit të komplikuar të Shkodrës është shfrytëzimi hidro-ekonomik racional i lumit Drin i Zi për ndërtimin e HEC Skavice rezulton që tashme duhet punuar më me përkushtim për të fituar si të thuash kohën e humbur. Kjo edhe për faktin e rëndësishëm se për ndërtimin e HEC Skavicës ka përfunduar edhe projekti përkatës. Përveç kësaj duhet theksuar gjithashtu edhe fakti se pjesë përbërëse e këtij projekti është edhe paraqitja e një modeli të posaçëm matematik për evidentimin analitik të shkallës së ndikimit që do të ketë ndërtimi i këtij hidrocentrali në reduktimin – mënjanimin e përmbytjeve në hapësirat e tërësisë hidrografike të Shkodrës dhe në zonat përreth. Plotat maksimale të lumit nuk mund të rregullohen në zonën e ulët bregdetare të Shkodrës ku edhe shkarkohen dhe përmbytin, por në pellgun ujëmbledhës të lumit Drini i Zi – Skavicë, ku ato formohen. Kontribut të rëndësishëm në drejtim të studimit të pellgut ujëmbledhës të rrjetit hidrografik të lumit Drin si dhe rritje së shkallës së bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet shteteve kufitare të këtij pellgu kanë edhe realizimin në vitet e fundit të dy aktiviteteve të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, respektivisht Konferenca Ndërkombëtare Shkencore për Sistemin hidrografik “Liqeni i Shkodrës – Lumi Drin – Lumi Buna” organizuar nga ana a Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asaj të Malit të Zi të organizuar në Shkodër – Podgoricë në vitin 2011 dhe Konferenca Ndërkombëtare Shkencore për sistemin hidrografik “Liqenet e Prespës – liqeni i Ohrit” organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Maqedonisë në Strugë – Pogradec në vitin 2013. Në këto dy veprimtari shkencore një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe Universiteti Politeknik i Tiranës. Studimet e kryera gjatë dhjetëvjeçarit të fundit shtrojnë si detyrë parësore, nevojën e një bashkërendimi më të mirë dhe m e plotë të veprimtarive ndër – dikasteriale që lidhen me ruajtjen e shfrytëzimit të resurseve hidrike në shkallë kombëtare. Ndërkohë në kuadër të kësaj veprimtarie del nevoja e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me institucionet shkencore kryesore të vendit.