Skema IPARD/ Çuçi te kantina e verës në Përmet: Politikat tona mbështetëse për bujqësinë po japin rezultat (FOTO )

270
Sigal

Fermerët shqiptarë dhe sipërmarrësit e agrobiznesit vijojnë të përfitojnë mbështetje me fonde nga skema e IPARD. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, vizitoi një kantinë vere në Përmet, e cila sapo kishte nënshkruar kontratën si përfituese e rreth 8.5 milionë lekëve nga skema IPARD për blerje të makinerive dhe pajisjeve.

“Një rast tipik ku sipërmarrja rritet nga viti në vit, me punën e vet dhe me ndihmën e qeverisë. Në harkun kohor të 7-8 viteve kjo kantinë e ka dyfishuar sasinë e prodhimit dhe ka zgjeruar tregjet e shitjes. Ka përfituar dy herë nga fondet e qeverisë përmes Skemës Kombëtare dhe skemës IAPRD. Ju sot sapo keni firmosur kontratën si përfitues i një mbështetje tjetër nga IPARD, për të blerë pajisje dhe makineri për të rritur kapacitetin dhe cilësinë e verës”, tha ministri Çuçi duke theksuar gjithashtu se politikat mbështetëse për bujqësinë po japin rezultat dhe po ndikojnë direkt në rritjen e prodhimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të këtij sektori.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon për përgatitjen e një ligji të ri për vreshtarinë dhe verën, si dhe ndërtimin e Kadastrës së Vreshtave. Në këtë mënyrë synohet që të krijohet një baze ligjore për kultivimin e vreshtave për prodhim vere, si dhe për etiketimin dhe kontrollin e produkteve të verës në Shqipëri, sipas kërkesave dhe standardeve të tregut ndërkombëtar.

Në vendin tonë ushtrojnë aktivitet 45 kantina të prodhimit të verës. Prodhimi vjetor i vreshtarisë në Shqipëri, përfshi edhe pjergullat, është rreth 190 mijë ton rrush.