Tatimet japin njoftimin e rëndësishëm: Ja dokumentat që ju duhen për rimbursim personave që janë gjobitur jashtë Shqipërisë për shkak të COVID-19

414
Sigal

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dhënë një njoftim të rëndësishëm për personat që janë gjobitur jashtë Shqipërisë për shkak të COVID-19, duke renditur dokumentat që duhen për të mafrrë rimbursimin.

DPT ka miratuar rimbursimin e gjobave të vendosura nga autoritetet e shteteve të huaja për shqiptarët gjatë periudhës 10 mars – 1 qershor 2020.

Këto janë dokumentet që duhet të dorëzojnë shqiptarët e gjobitur jashtë vendit për shkak të COVID-19:

– mandatin e arkëtimit që vërteton kryerjen e pagesës së gjobës, të përkthyer dhe noterizuar,

– formularin e vendosjes së gjobës nga policia kufitare;

– vetëdeklarim për pëlqimin e individit për verifikimin e hyrje-daljeve të tij kufitare nga sistemi TIMS, sipas formatit të përcaktuar (sipas formatit bashkëlidhur njoftimit);

– fotokopje të dokumentit të identifikimit të individit (pasaportë, kartë identiteti);

– të dhënat individuale të llogarisë bankare në Lekë (emër banke dhe IBAN);

– numër kontakti personal ose adresë email.

Këto dokumente duhen dërguar nëpërmjet shërbimit postar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve fton të gjithë individët e interesuar që, për të siguruar një rimbursim të shpejtë dhe brenda afatit, si dhe për të shmangur vonesat në këtë proces, të dorëzojnë dokumentacion të saktë sipas kërkesave të VKM nr.474, datë 15.06.2020.

Gjithashtu, për çdo pyetje apo paqartësi, mund të kontaktoni në numrin 0800 0002 (nga e Hëna në të Premte, orari: 08.30-17.00), si dhe mund të dërgoni email në adresën [email protected]”, thuhet në njoftimin e DPT.