Elona Gjebrea: Na votoni të vazhdojmë të vetëm reformat

474
Alma Çuka
“Pas tre muajve fushate në terren, presim fitoren. Vlerësoj mbështetjen e Saimir Tahirit, i cili ka qenë një shtysë në rrugën time politike. Do të vazhdojmë programin e 2013-s” 
Ish-zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea në një intervistë për gazetën “Telegraf” në ditën e fundit të fushatës elektorale, u ka bërë apel shqiptarëve, që në 25 qershor të votojnë Partinë Socialiste. Gjebrea vjen nga Ministria e Brendshme ku u angazhua për 3 vite e gjysmë, ndërkohë që ajo ka një kontribut akademik. Me profesion biologe gjenetiste. Ka përfunduar doktoraturën në Angli, ndërsa njihet si një prej aktivisteve të shoqërisë civile. Nëna e dy vajzave binjake, të cilat votojnë për herë të parë në këto zgjedhje, Gjebrea, pranon se në mandatin e parë qeveria e Ramës nuk arriti të mbajë të gjitha premtimet, kjo për faktin se projektet janë afatgjata. Një tjetër shkak, sipas saj, është edhe bashkëqeverisja me parti të tjera. Për këtë qëllim, Gjebrea u bën thirrje qytetarëve, që të gjithë në 25 qershor të votojnë Partinë Socialiste, me qëllim që ajo të drejtojë e vetme reformat. Një meritë për rrugën e saj politike, thotë se e ka edhe ish-ministri Saimir Tahiri. 
E para në listën e kandidatëve për qarkun e Tiranës. Një vend i sigurt. Çdo të thotë për ju?
Një fushatë intensive. Tre muaj në terren me një angazhim të madh. Kam zhvilluar lëvizje në të gjithë Njësinë Administrative numër 1 dhe tashmë jemi të gatshëm për fitoren e 25 qershorit. Angazhim i madh dhe përgjegjësi e madhe duke qenë se jam në krye të listës. Uroj që gjithë këtë përpjekje ta përkthej me një rezultat shumë të mirë tek njësia. Shpresoj që rezultati i këtij viti të jetë më i mirë se ai i vitit 2013-të.
Një katapultim nga zv/ministre e brendshme në deputete. A ju ndihmoi pozicioni që keni mbajtur prej 2013-ës?
Nuk do e quaj një katapultim por një rrjedhë logjike e gjithë karrierës sime në 44 muaj. Sigurisht, është një angazhim shumë i madh, të jesh deputete në Kuvendin e Shqipërisë. Është një sfidë për mua, me qëllim për të luftuar dhe kontribuuar më shumë për të ardhmen e vendit..
Po ish-ministri ka pasur ndikim në qasjen tuaj të re në politikë?
Po. Kam punuar ngushtë me ish-ministrin Tahiri gjatë tre vite e gjysmë. Kemi përballuar sfida dhe disfata nga më të ndryshmet. Tahiri ishte i ri, por gjithsesi unë kam mësuar shumë prej tij. Siguria e tij politike më ka ndihmuar në këtë rrugë. Duke qenë në të njëjtin drejtim, mes nesh është lehtësuar komunikimi. Kjo edhe për faktin se, ai është kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën. Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi një komunikim të mirë. E them me bindje, se me mbështetjen e tij, Tahiri me ka ndihmuar në rrugëtimin tim politik. Kemi diskutuar probleme nga më të ndryshmet dhe për mua është një avantazh. Bashkëpunimi dhe puna në grup ka qenë çelësi i suksesit tonë të përbashkët. 
Përtej suksesit, çfarë nuk keni mundur të realizoni? 
Sigurisht që u nisën reforma të shumta në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme. Kur je nga jashtë politikës i gjykon gjërat më thjeshtë, por kur je brenda dhe ke përgjegjësi e kupton se, në një kohë të shkurtër nuk mund të arrish t’i realizosh të gjitha. Kemi nisur shumë reforma njëherësh, por ato tashmë duhet të vazhdojnë me qëllim që të përfundojnë. Është e vërtetë që, ne nuk arritëm të përfundonim shumë gjëra. Dhe një nga këto është; lufta kundër kanabisit. E filluam duke mbyllur një nga pikat më të errëta të kultivimit të kanabisit në Lazarat. Patjetër që një gjë e tillë kishte nevojë për strategji gjithëpërfshirëse. Fakti që bëmë këtë strategji do të na bënte të ishim rezultativë në një kohë të shkurtër. Me Kryeministrin Rama do të vazhdojmë rrugën e nisur. Ne kemi strategji afatgjatë dhe këto nuk mund të bëhen në një kohë të shkurtër. 
Çfarë do t’u thotë Elona Gjebrea zgjedhësve të saj në terren?
Zgjedhësve të mi u them, të votojnë PS-në, për të ardhmen e vendit. Kemi treguar që në katër vite kemi bërë reforma, të cilat do ta na garantojnë mirëqenie dhe forcim të ekonomisë. Kemi një kryebashkiak të suksesshëm që ka treguar se, është një model që mbështet punën dhe një bashkëpunim i mirë me qeverinë do të bëjë të mundur vazhdimësinë e këtyre punëve të nisura tashmë në të gjithë kryeqytetin. Ne kemi nisur reforma shumë të mira, kemi kryer studime afatgjata, sipas parametrave në ekonomi. Kemi një model suksesi në pushtetin lokal që duhet mbështetur dhe më tej për të vazhduar reformat. Kemi dhe një kryeministër, i cili kërkon një mazhoritar ta pastër për të qeverisur i vetëm. Pra ne kërkojmë të marrim 71 mandate. Shqiptarët janë të zgjuar dhe do bëjnë zgjedhjen e tyre. Si grua u bëj thirrje grave dhe vajzave të mbështetin reformat e Partisë Socialiste. 
Katër vjetët i qeverisjes së Edi Ramës nuk kaluan pa probleme. Një nga këto probleme madhore është kultivimi i drogës në gjithë Shqipërinë. Me gjithë përpjekjen e Ministrisë së Brendshme dhe policisë, ky fenomen u “ndërkombëtarizua”. A mendon se do të ndikojë në këto zgjedhje?
Qeveria Rama e ka pasur prioritet luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë dhe atë të trafikut të drogës. Çrrënjosëm Lazaratin, e hoqën nga njolla e zezë për sa i përket kanabisit dhe përmirësuam atë reputacion në sy të partnereve. Sigurisht, lufta kundër kanabisit kërkon një strategji gjithëpërfshirëse, pasi në momentin që mbyllëm një zonë që ishte e pakontrolluar nga qeveria e mëparshme, që të gjithë e kultivonin me mbrojtjen e qeverisë, ne na u desh të fillojmë një strategji të re kundër kanabisit në të gjithë vendin. Lufta kundër kanabisit kërkon një qasje të gjerë dhe ne si e tillë e kemi konsideruar për sa kohë ne propozuam dhe hartuam strategjinë kombëtare kundër kanabisit. Kjo do të thotë që në këtë luftë duhet të kontribuojmë të gjithë, që nga mësuesi, që nga prindi, që nga polici, i cili kontrollon pyjet, që nga punonjësi social apo inspektori i punës. 
Po për retorikën politike të përdorur nga liderët kryesorë në këtë fushatë çdo të thoshit?
Në fakt, retorika politike më duket jo aq problematike dhe agresive. Një fushatë e butë pavarësisht se ditët e fundit është shumë e ndezur lufta midis liderëve politikë të partive të ndryshme. Mendoj se shqiptarët e kanë më të lehtë që të gjykojnë se cila parti është në gjendje të bëjë reforma dhe të kontribuojë për rritjen e mirëqenies së tyre . 
Edi Rama kërkon votën e popullit për të qeverisur i vetëm. Nëse nuk e merr të gjithë tepsinë, më kë do të jetë PS në koalicion?
Unë do doja që këtë ta diskutojmë pas zgjedhjeve. Ne synojmë 71 mandate, por nëse nuk do e arrijmë, do e diskutojmë pas 25 qershorit.
Si mendon për gjuhën e ashpër që kryeministri ka përdorur ditët e fundit kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim?
Është pak e vështirë. Ka një retorikë politike të agravuar, por sigurisht që Rama e ka bërë të qartë që shpejtësia e reformave do të jetë e dukshme, nëse ai do të jetë i vetëm. Dhe bashkëqeverisja sipas modelit të përdorur deri tani nuk ka pasur atë shpejtësi reformash që ai do të donte, për të realizuar e për të mbajtur premtimet. Janë këto premtimet që ne i japim sërish shqiptarëve për katër vitet e ardhshme. 
Po për marrëdhëniet me Ramës e Bashës pas firmosjes së marrëveshjes çdo të thoshit?
Për ne PD është kundërshtare politike me qasje të ndryshme. Dhe si të tillë jemi futur në këtë fushatë. Është një gjë pozitive që Basha doli nga çadra dhe u bë pjesë e zgjedhjeve dhe besoj se kjo është perceptuar pozitivisht nga qytetarët. Programi i Partisë Demokratike në këndvështrimin tonë është pa vizion dhe i pa justifikueshëm, duke parë realitetin shqiptar. Ne kemi pasur sukses me taksën progresive ku shumica e shqiptarëve kanë përfituar. Kemi një model të bazuar në indikatorë ekonomikë. Programi që ne u japim qytetarëve katër vitet e ardhshme është realist, i bazuar në atë çfarë bëmë dhe çfarë nuk mund të bënim që do e realizojmë në katër vitet e ardhshme. Programet e tyre janë rrezik për të kthyer atë që është bërë deri tani. PS është parti liberale që ka politika ekonomike në dobi të qytetarëve. Ne do vazhdojmë programin e katër viteve të kaluara. Pra reformat do vazhdojnë. Çdo Bashki do ketë shkollë profesionale. Do vazhdojë rritja e pagave në një vend si Shqipëria, një vend modest. Të kemi një rritje të pagave dhe pensioneve. Rroga minimale do rritet me 30 mijë lekë të reja. 
Në fushatë ju i jeni drejtuar më së shumti gruas si forcë e madhe. Mendoni se gratë e kanë pasur vëmendjen e politikës gjatë qeverisjes suaj?
Për mua 25 qershori është një ditë e shënuar për mua. Një moment unikal në jetën time. Kam shumë emocion dhe deri diku ankth, por jam shumë e bindur tek vota e socialistëve dhe e të gjithë qytetarëve pa dallim që do të na ndihmojë ne për një mandat tjetër. Kam takuar të majtë e të djathtë gjatë kësaj fushate dhe na kanë premtuar mbështetjen. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm, kur të gjithë shqiptarët pa dallim ngjyrimi politik mbështesin të ardhmen evropiane. 
Sigal