Dhimitër Stefo: Mehmet Shehu e Kadriu në gjah ndanin pjesë edhe për Enverin

    515
    Sigal

    Rrëfen Dhimitër Stefo, ish- i dënuar i “Grupit armiqësor të Naftës”: Ju tregoj takimet me Enverin, Mehmetin dhe Hysniun

     Doktori i shkencave gjeofizike, Dhimitër Stefo, një nga ish-të dënuarit e “Grupit të naftës”, teksa ka rrëfyer arsyet që çuan në dënimin e këtij grupi të quajtur armiqësor dhe sabotator në industrinë e naftës, grup që u ndëshkua me burgosje dhe pushkatime në vitin 1975, shton në vazhdim detaje interesante të jetës e aktivitetit të tij të gjatë në këtë sektor, sakrificat dhe kalvarin e dënimit. Ai tregon se ishin vitet e një bumi të prodhimit dhe zbulimit të prodhimeve të naftës në Shqipëri, por edhe koha kur në botë kishin filluar lëvizje liberalizuese si ajo e të rinjve francezë dhe e të drejtave të njeriut në SHBA etj., si dhe koha e prishjes së marrëdhënieve me superfuqinë e fundit, Kinën Popullore. Pra vendi po shkonte drejt vetizolimit dhe jeta politiko-shoqërore do të udhëhiqej nga slogani: “Të ndërtojmë socializmin me forcat tona”. Ky slogan ishte i mbështetur në tre shtylla kyç për atë kohë: 1-Mbrojtja e atdheut, detyrë mbi detyrat, 2-Bujqësia çështje e të gjithë popullit dhe 3-Nafta çan bllokadën. Këtyre, për ti shtuar si kolonë të katërt godinës vetë izoluese të partisë-shtet edhe “Ushtri e popullit ushtar”. Pra në këto kushte, nafta qe e vetmja që i garantonte pushtetin, i vetmi shkëlqim për pushtetin e diktaturës. Naftëtarët do të mbanin barrën më të rëndë të ekonomisë  në këto kushte vetë izoluese dhe frike për humbjen e pushtetit. Ndaj filloi goditja ndaj kupolës së drejtimit të naftës. Doktor Dhimitër Stefo, krahas kujtimeve të punës në sektorin e naftës dhe nga jeta në burgjet famëkeqe, sjell edhe kujtime dhe përshtypje nga takimet me të gjithë udhëheqësit e sistemit komunist.

    MEHMET SHEHU E KADRI PËR GJAH

    Dhimitër Stefo, Dok i shkencave gjeofizike gjatë rrëfimit të tij shton se i ka mbetur në mendje një takim me ish Kryeministrin Mehmet Shehu. Ai tregon se, ka qenë duke pirë kafe tek “Riviera”, lokal tradicional buzë detit në Sarandë me shokët e tij, kur e kanë thirrur urgjent. E kanë hipur në makinë dhe e kanë çuar në shtëpinë e pritjes në Sarandë. Qe koha menjëherë pas kongresit të gjashtë të PPSH-së dhe Mehmet Shehu kishte ardhur për të gjuajtur derra të egër në Ksamil së bashku me ish ministrin e brendshëm, Kadri Hazbiu, po ky për rosa të egra në lagunën e Butrintit. Eja shpejt,- më thanë. Me vete kisha dhe çantën e lëkurës me dokumente ku midis tyre edhe hartën gjeologjike të naftës. Qe dokument sekret dhe nuk e lëshoja nga dora. Me frikë të madhe vajta në shtëpinë e pritjes. Mehmet Shehu ishte ulur çakërrqejf, po hijerëndë, afër oxhakut. Dridhesha, aq më shumë kur e pashë në gjendje deliri. Nuk merrej vesh ai. Mu drejtua me zë të ashpër e autoritar, po aspak armiqësor, -Ulu! U ula. Aty qe edhe sekretari i parë i rrethit, Telo Mezini. Dukej se biseda mes tyre nuk kish shkuar mirë. Po Mehmeti nuk merrej shumë me sekretarët e parë. Rrinte strikt tek detyra e tij. Më kërkoi informacion të hollësishëm mbi gjendjen e naftës, po më shumë m’u duk se interesohej për rajonin e Epirit, apo gjirin Jonian. I dhashë informacion të plotë , duke i thënë: “Shoku Kryeministër mbase nuk do t’u kënaq, po gjendja e naftës në rajonin e jugut është relativisht e shkurtër”. Pas kësaj u ngrys në fytyrë. Gjatë kësaj bisede, Inxh. Dhimitër Stefo, kujton se brenda u fut Kadri Hazbiu i veshur me kominoshe uji deri në brez e me kostum gjahu. Filluan romuze e broçkulla me njëri-tjetrin. Më kujtohet-shton Stefo se, Mehmeti i tha Kadriut që mbete ujërave dhe moçaleve o njeri. Ndërsa Kadriu i a ktheu: “Jo si ti pas derrave gjithë jetën. Ashtu ka lezet ta vrasësh, kur fluturon e pastaj ta thashë”. Thanë dhe të tjera broçkulla. Mehmeti e pyeti se a i kishte çuar edhe atij gjë (nënkuptova Enverin) i cili ndodhej në Sarandë, por jo tek vila e pritjes, por tek shkolla e kursit të partisë. Po, po, i thotë Kadriu, i çuam pestrovë. Mora vesh se ata kishin dërguar një makinë në Bistricë dhe kishin marrë pestrova për Enverin.

    INTERESIMI PËR NAFTËN

    Po gjatë bisedës, më kujtohet se i parashtrova idenë që më kishte lindur prej kohësh për një fabrikë çimentoje në Bistricë, meqenëse kishim edhe lëndën e parë natyrale dhe kursenim edhe shpenzimet për transport nga Elbasani ku merrej çimentoja për ndërtimin e veprave të ndryshme në jug. Qe koha kur Shqipëria qe kthyer në kantier ndërtimi. Më tha që t’i them ministrit për këtë. Më pas ia shtrova Abdyl Këllezit, i cili nuk e pranoi idenë, me përgjigjen se tani për tani kemi interes në malësi për këto fabrika. Dhe kjo ide nuk u realizua kurrë. Dhimitër Stefo shton gjithashtu edhe një detaj, që më shumë zbulon të vërtetën, apo qëllimin e ish kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu, në këtë informacion të kërkuar nga inxhinieri Stefo. Ai u interesua për pusin e naftës që në atë kohë qe shpuar në Filat të Greqisë, shumë afër kufirit me Sarandën. I thashë, kujton inxhinier Stefo, se po nga shpim–kërkimi në Filat është zbuluar naftë, po nuk është vënë në shfrytëzim për efekt të shpenzimeve të larta. Por ish- Kryeministri më pyeti se nga i dija gjithë këto të dhëna, ndërsa i dhashë përgjigjen se i kisha nga instituti 5 i Parisit. Në këtë kohë ndëhynë Kadri Hazbiu duke qeshur dhe tha se këto materiale shkencore ju siguroj dhe ju a sjell unë, madje tepër të sakta. Po nuk i sollën kurrë. Kështu përfundoi dhe ky takim  me Kryeministrin Mehmet Shehu.

    DËNIMET NË SEKTORIN E NAFTËS

    ndërsa inxhi. Dhimitër Stefo shton se mes kësaj trysnie psikologjike rrodhën ngjarjet deri në plenumin e famshëm të Patosit në Mars 1975 drejtuar nga Haki Toska e Adil Çarçani, ku u vulos njëherë e mirë fati i inteligjencës së naftës shqiptare, duke përfunduar me kujtimin nostalgjik se kishin një shoqëri dhe vështirësitë i kalonin me humor.

    Me Enverin jam takuar për herën e fundit (herët e tjera në mbledhje) në inaugurimin e hekurudhës Rrogozhinë- Fier. Ne u ankuam dhe i kërkuam mjete transporti për sondat për shpejtësi punimesh dhe kursime ekonomike. Na premtoi dhe iku. Pas ca ditësh erdhi ministri ynë, Koço Theodhosi, dhe na tha me ironi se nuk lamë njeri pa ja thënë problemet. Me sa duket Enveri na kish dhënë neve të drejtë dhe ja kish hequr veshin ministrit. Po kuptova dhe një gjë që ata nuk ja thoshin të gjitha problemet Enverit, i mbanin të fshehta dhe ai kur e merrte vesh bëhej i pafalshëm. Doktor Dhimitër Stefo ka qejf të tregojë edhe për fontanat, ku ka qenë prezent në të gjitha, përveç fontanës së Marinzës, kohë në të cilën ka qenë student. Por edhe këtu ka një kujtim që ja vlen për lexuesin. Qe viti 1957, dhe qenë student në Bukuresht. Për Marinzën u bë një reportazh dhe u shfaq në Universitetin e Bukureshtit. Dhimitri përkthente dhe thotë se pati shumë vështirësi në termat shkencor gjatë përkthimit. Ishte edhe kryeinxhinieri Rexhep Reka, ku gjatë përpjekjeve për të shuar shpërthimin e pakontrolluar (fontanën) e Marinzës qe djegur në fytyrë Ai qe edhe përfaqësuesi i Shqipërisë në KNER. Fontana ka patur pothuajse në të gjitha puset e naftës si në Divjakë, Ballsh, Visokë, G-2 i cili u mbyll pa zjarr dhe ndodhej në majë të kodrës. Gjatë kësaj fontane, Dhimitri kujton edhe një episod , se gjatë punës për mbylljen e rrjedhjeve të naftës, ikën dhe shkuan në sport, në Fier. Aty gjejnë edhe drejtorin, kjo i shpëtoi nga burgu i sigurt, por vetëm në këtë rast, se më pas nuk shpëtuan dot. Doktor Dhimitër Stefo sjell edhe një kujtim me Hysni Kapon. Ky takim ndodhi në urën e Delvinës ku kishim një pus struktural (struktural do të thotë që ky pus nëpërmjet sondës bënte gjeometrinë e strukturës së zonës për naftë mbajtje). Hysniu kish ardhur për punë tjetër, por përpara i del kryegjeologu Napolon Martikaj, një militant i thekur politik, dhe e kish njoftuar Hysniun se kishin zbuluar gjurmë nafte. Hysniu qe përgjigjur se me këto lajme e gëzoni partinë. Qe koha kur pusi kish arritur në 900 metra thellësi shpimi. Shkova tek pusi dhe pashë direkt kampionët. Hundët mi çau era e keqe që kundërmonte si vezë e prishur. Kjo qe shenjë që kundërshtonte mundësinë e të pasurit naftë. Hysniu erdhi dhe e takova. Ata i raportuan edhe për konkluzionet e mia. Pas kësaj, i mërzitur në fytyrë, më pyeti për shkollën dhe punën. Iu përgjigja duke e argumentuar konkluzionin tim shkencërisht se ato gjurmë nuk janë veçse përmbajtje mbeturinash squfurore etj, argumente shkencore. Ai më tha se partia gëzohet veç me lajme të mira. I them përsëri se fjala e vërtetë është që vetëm naftë nuk ka këtu, dhe partinë e gëzon vetëm e vërteta. Dhe kjo është e vërteta. U pre akoma më shumë në fytyrë, më dha dorën dhe iku. Por shton se hakmarrja e Napolonit nuk mbaroi këtu. Kur u arrestuan caktuan një ekspert për të vërtetuar sabotimet e naftës nga grupi armiqësor e sabotator. E quanin Tomi Kristo. Qe pedagog, por pas ekspertizave, kur pa që nuk kish sabotime, për të mos firmosur atë që nuk ekzistonte, kreu vetëvrasje si zgjidhje të vetme për të mbrojtur të vërtetën. Pas këtij, ekspert u caktua Napoloni…dhe dihet fati ynë.

    UDHËHEQËSIT E TJERË KOMUNISTË

    Dhimitër Stefo nuk anashkalon edhe kujtimet e takimeve me Adil Çarçanin. Ai thotë se, ky vinte shpesh në naftë, se qe edhe ministër edhe zv/kryeministër. Qe njeri i urtë e babaxhan. Po qe dorë e bindur e Enver Hoxhës. Me të luaja letra tërë natën. Por na çudiste fakti që sa herë vinte dhe takonte Sherif Toptanin, të cilit i fliste inxhinier, zhyteshin në bisedë vetëm italisht. Me të bënim shumë shaka. Po e keqja qe se vinin shumë të pa aftë në punë. Nga të gjithë që nuk merrnin vesh fare qe Pilo Peristeri dhe Rita Marko. Stefo kujton edhe një detaj gjatë studimeve në Bukuresht. Qe viti 1957. Kish ardhur delegacioni i PPSH-së në mbledhjen e njohur të Bukureshtit. Atë ditë gazeta qendrore e KQ të PK Rumune kishte botuar një editorial. Në mesnatë mua dhe Nikolla Kiçon na thërresin në ambasadë. Nikolla qe edhe sekretar i komitetit të rinisë së studentëve në Bukuresht, ndërsa unë zëvendës i tij. Na dhanë artikullin për ta përkthyer dhe pas përkthimit ju dorëzua Hysni Kapos si kryetar i delegacionit, pasi këtej pritej të konfirmohej qëndrimi zyrtar i partisë dhe shtetit Shqiptar për turbullirat politike të asaj kohe në kampin socialist. Mes të tjerave Dhimitër Stefo kujton për mediokritetin e shumë udhëheqsave të kohës dhe shton si për mbyllje atë që mund ta vinim në fillim se kanë qenë nxënësit e parë të teknikumit të naftës në Shqipëri. U hap me ta dhe këta ishin maturantët e parë të këtij profili. Kujton se në përfundim të maturës erdhi në shkollë Shefqet Peçi, në atë kohë ministër i Industrisë, së bashku me Bedri Spahiun si ministër i arsimit. Shefqeti qe i ashpër, po jo arrogant. E kam takuar edhe më pas disa herë kur qe tek kontrolli i shtetit. Po i kishte mbetur ashpërsia e ushtarakut. Thashë nuk të qepej këmba-këmbës për të të bërë keq për hakmarrje. Por, Dhimitri thotë plotë kujtime me udhëheqësit komunist, duke përfunduar se vetëm Ramiz Alinë nuk ka takuar, dhe situata më e vështirë në sektorin e naftës qe pas prishjes me rusët se mungonte lënda e parë dhe pjesët e këmbimit. Përfundon i bindur se në ujërat e detit Jon ka naftë, dhe nuk përbën rrezik ambientalist shpim–kërkimi, me teknologjinë moderne të kohës së sotme.