AMF: Shoqëritë e Sigurimit dhe Fondeve të marrin masa shtesë për të përballuar situatën nga Covid-19

349
Sigal

AMF u kërkon shoqërive të sigurimit dhe fondeve të marrin masa shtesë për të përballuar situatën e krijuar nga Covid-19

Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare njofton se po monitoron në vazhdimësi tregjet nën mbikëqyrje dhe, në linjë me rekomandimet e rregullatorëve të tjerë homologë, ka kërkuar marrjen e masave nga shoqëritë dhe kujdes të shtuar.

Për këtë qëllim, Bordi i Autoritetit i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar më 29 korrik 2020, udhëzimin “Mbi pritshmëritë rregullatore ndaj subjekteve nën mbikëqyrje, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19”.

Bordi ka kërkuar nga subjektet nën mbikëqyrje, marrjen e masave dhe kujdes të shtuar.

Për shoqëritë e sigurimeve, udhëzimet janë si më poshtë:

Të marrin masat për të siguruar vazhdimësinë e biznesit duke përfshirë rreziqet që shkakton situata pandemike si dhe të depozitojnë në Autoritet planet e rishikuara për vijimin e veprimtarisë dhe përballimin e krizave.

Të mbajnë nivelin e përshtatshëm të likuiditetit, si dhe të marrin masa të tjera të nevojshme për të ruajtuar pozicionin e treguesve si dhe të informojnë menjëherë Autoritetin në rast të shkeljes së këtyre treguesve.

Të shikojnë mundësinë e ndryshimit të marrëveshjeve të risigurimit, për të kufizuar ekspozimin ndaj COVID-19, duke marrë në konsideratë një nivel mbajtjeje agregate, për të gjitha ngjarjet që mund të ndodhin brenda vitit si pasojë e COVID-19.

Të garantojnë që informacioni që i komunikohet personit të siguruar mbi të drejtat kontraktuale të jetë i qartë, i mjaftueshëm dhe në kohë, duke orientuar edhe ndërmjetësit që veprojnë për llogari të tyre lidhur me këtë detyrim.

Të marrin masa për të përditësuar faqet zyrtare të internetit, me seksione të dedikuara lidhur me ndikimin e pandemisë shkaktuar nga COVID-19, duke pasqyruar dhe masat e marra nga vetë shoqëria e sigurimit.

Të rishikojnë kushtet e kontratave të sigurimit, për të reflektuar çdo ndryshim të ekspozimit të risqeve gjatë periudhës së pandemisë. Për produktet që lidhen me mbulimin nga pandemitë, të qartësohen mbulimet e tyre në raste të ndodhjes së ngjarjeve të siguruara.

Të kryejnë një vlerësim të produkteve të cilat mund të ndikohen nga pandemia duke informuar personat e siguruar.

Të përditësojnë udhëzimet/procedurat e marrjes në sigurim në vijim të ngjarjes së COVID – 19.

Shoqëritë administruese duhet:

Të rishikojnë planet e vazhdimësisë së veprimtarisë në drejtim të adresimit të të gjitha rreziqeve që vijnë si rrjedhojë e situatës pandemike, duke hartuar shtojca të dedikuara në lidhje me situatën e COVID-19. Të gjitha planet e vazhdimësisë së biznesit të ridepozitohen në Autoritet.

Të bëjnë transparente sa më parë të jetë e mundur çdo informacion të rëndësishëm që lidhet me COVID-19, duke përditësuar faqet zyrtare të internetit, me seksione të dedikuara lidhur me ndikimin e pandemisë shkaktuar nga COVID-19, duke pasqyruar dhe masat e marra nga vetë shoqëria administruese.

Të rivlerësojnë treguesin sintetik të përfitimit dhe rrezikut në drejtim të përditësimit të dokumentit me informacionin kyç për investitorin.

Të kenë një vëmendje të shtuar ndaj administrimit të rrezikut, si dhe të monitorojnë vazhdimisht plotësimin e parametrave ligjorë dhe rregullatorë, si dhe të informojnë menjëherë autoritetin në rast të shkeljes së këtyre parametrave.

Më herët, me vendimin nr. 56, datë 10.04.2020, Autoriteti ka ndaluar shpërndarjen e fitimit në formën e dividendëve ose të dividendëve të ndërmjetëm ose në formën e pagesave të bazuara në pjesëmarrjen në fitim të anëtarëve të këshillit të administrimit/mbikëqyrës të shoqërisë apo punonjësve të tjerë;

Autoriteti u ka kërkuar të gjithë operatorëve të tregjeve nën mbikëqyrje, që të përditësojnë dhe të kenë funksionale plane të vazhdimësisë së veprimtarisë dhe planet e përballimit të krizave, ku të detajohen të gjithë elementët teknikë, logjistikë, njerëzorë dhe financiarë për përballimin e efekteve të mundshme.