COVID-19, pezullohet monitorimi i koncesioneve të HEC-eve

463
Situata e krijuar në vend për shkak të koronavirusit dhe marrja e masave për të parandaluar përhapjen ka paralizuar aktivitetin e përditshëm edhe në institucionet publike.
Sigal

Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës njoftoi se aktualisht ka pezulluar planin e saj të monitorimit të koncesioneve të hidrocentraleve në vend, një plan që miratohet çdo fillimvit. Sipas AKBN, do të mbeten të pezulluara edhe shqyrtimet e raportimeve periodike.

“Në kuadër të masave parandaluese të marra nga Qeveria Shqiptare për parandalimin e përhapjes së COVID-19, AKBN – Drejtoria e Monitorimit të HEC-eve njofton të gjitha shoqëritë koncesionare të cilat janë subjekt monitorimi, se: Ka pezulluar planin e monitorimit për vitin 2020, deri në një njoftim tjetër; Ka pezulluar shqyrtimin e raportimeve tuaja periodike, si detyrim kontraktual, ka pezulluar shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesave të adresuara në AKBN.

Raportimet periodike sipas detyrimeve kontraktuale do të vijojnë të bëhen nga ana Juaj nëpërmjet faqes elektronike zyrtare të AKBN-së ose me postë. Të gjitha praktikat e dorëzuara nga ana Juaj gjatë kësaj periudhe do të shqyrtohen/trajtohen/marrin përgjigje në një kohë të dytë sipas njoftimeve përkatëse të autoriteteve për ndryshimin/lehtësimin e masave shtrënguese për parandalimin e COVID-19 në Shqipëri” thuhet në njoftimin e AKBN-së.

I njëjti institucion që ka si detyrim edhe monitorimin e sektorit minerar dhe hidrokarbur njoftoi se të paktën për pjesën minerare janë ndërprerë mbledhjet e Këshillit Teknik.

“Në kuadër të masave dhe luftës kundër përhapjes së koronavirusit (COVID-19), Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore njofton të gjitha Subjektet Minerare se ka ndërprerë mbledhjet e Këshillit Teknik dhe të Komisionit të Miratimeve të Planeve Vjetore të Punës.

Sqarojmë se, deklarimet tremujore dhe aplikimet për Planet Vjetore do të bëhen online në Programin RevZone ose me anë të postës në Adresën e AKBN-së. Kjo masë do të jetë në fuqi deri në një njoftim të dytë” thotë AKBN.