Banka Credins bëhet aksioneri maxhoritar në Regjistrin Shqiptar të Titujve pas blerjes së 5% të aksioneve shtesë

613
Sigal

Banka Credins është tashmë aksioneri kryesor në Regjistrin Shqiptar të Titujve ALREG duke zotëruar 52.7 për qind të aksioneve pas një transaksioni të pak kohëve më parë. Më herët në ALREG rezultonin tre aksionerë kryesorë ku dy prej tyre ishin banka dhe një individ me 5 për qind të aksioneve.

Banka Credins dhe Banka Amerikane e Invesitmeve ndanin respektivisht nga 47.5 për qind të aksioneve. Tashmë transaksioni është njoftuar nga ana e Bankës Credins edhe praNë Autoritetit të Konkurrencës i cili ka bërë një analizë të palëve të përfshira në të si dhe nëse plotësohen kushtet duke njoftuar se palët e interesuara mund të shprehin opinion pranë këtij insitucioni brenda pesë ditësh.

“Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të Ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros” thuhet në njoftimin e Konkurrencës.

I njëjti njoftim nënvizon se shoqëria target e transaksionit regjistri Shqiptar i Titujve Alreg SHA, është një shoqëri e organizuar në përputhje me legjislacionin shqiptar, me objekt veprimtarie; Kryerja e veprimtarisë së regjistrarit të titujve për të gjithë titujt e lejuar sipas ligjit për titujt dhe në përputhje me licencën e dhënë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Shoqëria do të mbaje regjistrat e titujve, do të organizojë dhe administrojë të dhënat mbi të gjitha llojet e titujve,sipas përcaktimeve dhe kufizimeve të Ligjit për titujt dhe të licencës përkatëse, si dhe do të kryejë emërtimin dhe kodifikimin e titujve sipas praktikave më të mira kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Shoqëria do të ofrojë shërbimin e regjistrimit të titujve duke bëre të mundur që të sigurohen në çdo kohë të dhëna të plota për pronësinë mbi titujt e regjistruar, si dhe kufizime të të drejtave të pronësisë mbi to. Shoqëria do të kryejë të gjitha veprimtaritë e regjistrarit të titujve të parashikuara nga Ligji për Titujt dhe aktet nënligjore në zbatim.

Shoqëria do të ushtrojë veprimtarinë e klerimit dhe shlyerjes së titujve si operator i sistemit të shlyerjes se titujve, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ në fuqi” thuhet në vendim.