Ekzekutimi i ‘mbretit shqiptar’ të drogës, arrestohet një i dyshuar, çfarë shkruajnë mediat britanike

444
Sigal

Një 22-vjeçar u arrestua dje në Danimarkë për vrasjen brutale të ndodhur gjatë Krishtlindjes ndaj “mbretit” shqiptar të drogës Flamur Beqiri, në sy të gruas së tij dhe djalit të mitur.

22-vjeçari i dyshuar u mbajt nën një urdhër arrestimi Evropian në Aeroportin e Kopenhaenit me kërkesë të Scotland Yard pasi mbërriti atje me një fluturim nga Tajlanda.

I riu i arrestuar dje, Anis Hassimi, është nga qyteti suedez Malmo, ku Beqiri u arratis në vitin 2016 pasi mori kërcënime me vdekje.

Detektivët britanikë të skuadrave të vrasjeve kanë qenë në lidhje me kolegët suedezë dhe besojnë se Beqiri, me origjinë shqiptare, ishte përfshirë në një luftë bandash me kriminelët e Afrikës së Veriut.

Një person besohet të ketë mbajtur Beqirin nën vëzhgim përpara se ta qëllonte, ndërsa ishte kthyer në shtëpi me gruan Debora dhe djalin e tyre në mbrëmjen e 24 dhjetorit.
Policia beson se Beqiri ishte pjesë e kontrabandës së drogës, e cila financonte dhe stilin e jetës ekstravagante të tij dhe dasmën luksoze të mbajtur në liqenin e Comos në Itali, në tetor 2018.

Burri i arrestuar për vrasjen e Beqirit thuhet se është me origjinë tuniziane. Ai mohon çdo përfshirje në vrasje dhe është zotuar të luftojë për të mos u ekstraduar në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia tha: “Një 22-vjeçar u arrestua në Aeroportin e Kopenhagës, Danimarkë, më 20 janar me një Urdhër Arrestimi Evropian me dyshimin për vrasjen e Flamur Beqirit. Ai mbetet në paraburgim në Danimarkë në pritje të procedurave të ekstradimit në Mbretërinë e Bashkuar.”