Nesër nis mësimi në Universitetin e Durrësit, ceremoni nderimi për viktimat e tërmetit

534
Sigal

Pas dy javësh nga tërmeti që la pas 51 viktima dhe dëmtoi mijëra banesa në qarkun e Durrësit dhe të Tiranës, është vendosur që mësimi në qytetin e Durrësit të rinisi të hënën.

Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, pas inspektimit të godinave nga specialistë shqiptarë dhe italianë, mori vendimin që procesi mësimor të rinisi nesër më datë 9 dhjetor. Sipas njoftimit të UAMD, procesi mësimor rinis në kushte dhe mjedise tërësisht të sigurta.

Ndërkohë nesër në orën 10:00, në Kampusin e Spitallës, universiteti do të organizojnë një ceremoni nderimi ku do të marrin pjesë dhe 51 vullnetarë (në nderim të po aq viktimave të tërmetit). Rektorja Kseanela Sotirofski, do të mbajë një fjalë të shkurtër. Po ashtu disa vullnetarë.

Kujtojmë se edhe në Tiranë mësimi rifillon nesër. Ndërkohë Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Politeknikut kanë shtyrë procesin mësimor edhe për javën e ardhshme. Sipas njoftimeve zyrtare të të dy universiteteve procesi mësimor është pezulluar deri më datën 13 dhjetor.