Mungojnë 30 miliardë lekë nga pazaret e kompanive koncesionare me drejtoritë e METE-s

435
Sigal

KLSH/ Mungojnë dokumentet  mbi përcaktimin dhe pagesën e rentës minerare për elementët shoqërues të bakrit e kromit, si ari, argjendi etj

Dje gazeta “Telegraf” ka publikuar detaje dhe fakte skandaloze që inspektorët e KLSH-së kanë konstatuar  gjatë kontrollit të tyre në AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) dhe  ATRAKO (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve) të dyja këto drejtori që varen nga METE ,por që sipas raportit të KLSH-së e kanë shpërfillur dhe anashkaluar me ndërgjegje Ministrinë. Është rasti më unikal në botë që drejtoritë dhe drejtuesit e tyre nuk pyesin ministrin që është përgjegjësi dhe i votëbesuari i sovranit. Madje, u përmendën fakte skandaloze   duke filluar nga moskryerja e procedurës së negocimit të kontratave sipas ligjit, mosnënshkrimi i dokumenteve nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe deri në veprime fiktive dhe formale nga Njësia e Hartimit të Dokumenteve. Sot do të vazhdojmë të zbardhim faktet skandaloze  dhe marifetet që këto drejtori përdorin për tu krijuar mundësi kompanive që tu shpëtojnë detyrimeve shtetërore. Dy janë arsyet ose janë bërë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe për këtë prokuroria urgjentisht duhet të zbardhë të vërtetën dhe të arrestojë fajtorët ose këta drejtues janë të paaftë dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për shpërdorim detyre  duke i shkaktuar shtetit dëme kolosale në buxhetin e saj. Edhe në këtë rast ata duhet të përballen me drejtësinë në mënyrë që shtetit t’i kthehen në arkën e vetë miliardat  e humbura. Fakti më tronditës është se dokumentet teknike dhe ekonomike nuk janë nënshkruar nga mbikëqyrësit e punimeve, si personi direkt përgjegjës ligjërisht për zbatimin e kushteve teknike në ndërtimin e HEC-ve, çka ka sjellë mosvlerësimin në shumë raste të vlerës së investimit të kryer, për rrjedhojë, pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga ana e shtetit (METE-s). Por le të ndjekim më poshtë se çfarë ka ndodhur në këto drejtori sipas fakteve të mbledhura nga specialistët e Kontrollit të Shtetit që nuk preferojnë të bëhen publik për analizën pasi faktet janë dorëzuar nga KLSH zyrtarisht METE-s dhe drejtorive përkatëse të saj.

Sipas ekspertëve të KLSH-së në auditimin e kryer për pagesën e “Fee (tarifë) koncesionare” për energjinë e prodhuar, u konstatua se: 6 koncesionarë për të cilët janë llogaritur fee koncesionare nuk kanë paguar vlerën 11,780,652 lekë, ndërkohë që për 13 koncesionarë të tjerë të cilët ndonëse kanë mbi 2 vjet që kanë filluar nga prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike, nuk disponohej asnjë e dhënë për këtë pagesë në masën 2-5 për qind të energjisë së prodhuar në favor të METE.

Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i pasqyrave financiare të kompanive koncesionare të dorëzuara pranë AKBN, rezulton se disa prej tyre nuk kanë kryer asnjë investim (nuk i kanë të paraqitura në bilance vlerat e investuara si për investime dhe makineri e pajisje), në një kohë që realiteti është ndryshe. Në këto raste, të gjitha punimet dhe investimet e kryera janë pa dokumentacion të rregullt ligjor si situacione, fatura tatimore dhe për pajisjet faturat e zhdoganimeve, pra mosadministrimi i dokumentacionit ekonomiko-financiar dhe teknik nga koncesionari, ka sjellë si pasojë mos dokumentimin dhe mos llogaritjen e saktë të investimeve të kryera në fakt dhe raportimin e zbatimit të kushteve të kontratës.

Për më keq, të gjithë koncesionarët, nuk kanë paraqitur informacion mbi realizimin e investimeve në vlerë, bazuar me situacione, fatura tatimore dhe doganore, po kështu nuk kanë paraqitur procesverbalet e fillimit të punimeve, dokumentet teknike dhe ekonomike nuk janë nënshkruar nga mbikëqyrësit e punimeve, si personi direkt përgjegjës ligjërisht për zbatimin e kushteve teknike në ndërtimin e HEC-ve, çka ka sjellë mosvlerësimin në shumë raste të vlerës së investimit të kryer, për rrjedhojë, pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga METE si Autoriteti Kontraktor për moszbatimin e marrëveshjes koncesionare.

Theksojmë se, për 30 HEC-e në METE nuk disponohet asnjë lloj dokumentacioni ekonomik, megjithëse disa prej tyre janë në faza të ndryshme punimesh, duke vepruar kështu në kundërshtim me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar dhe me kontratat e nënshkruara ndërmjet shoqërive private fituese në konkurrim dhe AK.

 Lidhur me kërkesën e koncesionarëve për shtyrjen e afatit të përfundimit të ndërtimit të HEC-eve, ka rezultuar se është bërë me miratim me shkresë nga titullari, por pa kontratë shtesë, në kundërshtim me ligjin nr. 9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet”, i ndryshuar, neni 28, paragrafi 2 dhe me VKM nr. 448, datë 16.06.2010 “Për disa shtesa në VKM nr. 27, datë 19.01.2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”,  i ndryshuar, pika 1, paragrafi 5. Ndonëse, duhet të cilësohet se në mjaft raste, shkresat e miratimit nga Ministri për shtyrjen e afatit të ndërtimit të HEC-eve, kanë mbetur miratime në letër, pa marrë fuqi ligjore, madje dhe në përballjen në organet e drejtësisë ose me institucionet bankare për financim, pasi bien në kundërshtim me nenet e kontratës dhe me kërkesat ligjore të përcaktuara.

Por është e patolerueshme dhe superskandal që përfitimet nga shfrytëzimi i mineraleve, ku bashkë me to nxirren edhe  metaleve të çmuara dhe me vlerë  nuk figurojnë në asnjë pjesë kontrate dhe janë anashkaluar me ndërgjegje. Sipas raportit të kontrollit thuhet se : “Nga auditimi i ushtruar mbi llogaritjen dhe pagesën e detyrimeve që rrjedhin nga përfitimi i metaleve si ar, argjend e ndonjë tjetër, është konstatuar  mungesë e plotë e dokumentacionit mbi përcaktimin dhe pagesën e rentës minerare për elementët shoqërues të bakrit në koncentrat dhe të kromit, siç janë ari, argjendi, bakri, seleni dhe teluri, gjë që ka ardhur kryesisht nga mosfunksionimi i grupit ndërdikasterial të ngritur me ligj”. Si pasojë e mangësive, parregullsive dhe shkeljeve të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi të sipërcituara.