Na jepni dorën, ju japim zemrën!…

    386
    Sigal

    Bisedë me Kryetaren e Shoqatës së të Verbërve të Qarkut të Fierit, Zhaneta Priftin

    Kur e pash nga larg që afrohej drejt meje, më krijoj përshtypjen e një gruaje të mbajtur dhe simpatike. Syzet miopike i feksnin që tej, por kjo nuk ishte një çudi se sot syze të tilla mbajnë të gjithë ata që kanë probleme me shikimin. -Zhaneta – ma prezantoi Vali, mikja jonë e përbashkët. I zgjata dorën, por shikimi im ishte gozhduar pikërisht në syzet e saja. Ca lente të veçanta, tepër të trasha, që nuk i kisha parë kurrë më parë në jetën time, fshihnin pas tyre dy pika të ujshme që ngjanin  si sy njeriu. Ajo e kuptoi hutimin tim dhe ndërhyri : – Po, minus 32, janë drita e pakët e imja, po t’i heq bëhet errësirë e plotë. I kam siguruar me shumë mundim këto lente që mund të kem pakëz, fare pakëz dritë.  -Quhem Zhaneta Prifti -vazhdoi ajo prezantimin, mbasi zumë vend në tavolinën e lokalit. -Zhani është kryetare e gruas së SHVSH-së për qarkun e Fierit – vazhdoi prezantimin Vali. -Nuk e kuptoj, ç’do të thotë SHVSH, i u drejtova Valentinës.  “Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë”, sqaroi ajo. Që prej dhjetorit të vitit 2009, Zhaneta është kryetare e këtij forumi. U bëra kurjoz të di se sa të verbër kishte ky qark, dhe Zhani më çuditi me përgjigjen e saj. -Rreth  950 të verbër dhe kryesisht mosha të reja. Vërtet u befasova dhe ndjeva një keqardhje për këta fatkeq. Zhani ma lexoi mendimin dhe nuk e vonoi fare reagimin e saj. Ne vërtet jemi fatkeq, por jo në sensin që kërkojnë të na pozicionojnë disa, mbase dhe ju. Ne vuajmë fatkeqësinë që na dha natyra, por jo atë që mund të na jap njeriu. Në qoftë se Perëndia na mori njërën shqisë, na mprehu shumë të tjera si mendjen dhe inteligjencën. Ne jemi si gjithë të tjerët, mund të integrohemi dhe të bëjmë shumë punë të dobishme. Ka shumë të rinj në rrethin tonë që bëjnë punë dhe vepra që të mahnisin. Kemi nxënës shkollash që mësojnë shumë mirë, të rinj që realizojnë vepra artistike shumë të pëlqyeshme, artizanë, punëtorë dhe amvisa të rregullta. Në politikat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë i kushtohet vëmendje  edhe kategorisë sonë, të njerëzve me aftësi të kufizuara fizike. Por këto politika duhen mbështetur me veprime konkrete. Ne këto politika i shikojmë të reflektuara edhe në shërbimin spitalor të qytetit tonë. Mënyra e shërbimit për ne të verbrit është e veçantë. Gatishmëria e personelit mjekësor dhe e atij drejtues, janë për t’u lavdëruar. Drejtoresha e spitalit të Fierit, znj. Donika Alushani reflekton mirësi dhe profesionalizëm në marrëdhënie me njerëzit me aftësi të kufizuar. Na gjendet pranë në çdo kohë. Ne nuk jemi vetëm të verbra, por edhe nëna të mira, amvisa, punëtore ne fusha te ndryshme të prodhimit dhe artiste. Shumë nga ne realizojnë punime interesante si në vepra arti ashtu dhe në punime artizanale. Do t’iu njoh ju me shumë gra që janë amvisa të mira dhe artizane të mira. Së shpejti do të hapim dhe një ekspozitë me punime të tyre. Më shumë vende pune duhen menduar për ne nga pushteti qendror dhe ai lokal, më shumë mbështetje dhe përkrahje… Ju jeni mosbesues, por ne jemi të aftë të bëjmë atë që bëjnë edhe njerëzit me dy sy. Ne kërkojmë që të na barazoni  me gjithë shoqërinë, ne kemi aftësinë dhe kurajën që të…-Zhaneta, e ndërpreva unë fluturimin e  saj emocional, kam dëgjuar se t’i shkruan poezi, është e vërtet? -Ajo u çel, i u shpërndanë rrudhat nga balli, sytë poshtë lenteve të tejtrasha i u ndezën si dy thëngjij që dolën nga hiri i ftohtë i verbërisë, buzëqeshi ëmbël dhe nxori nga çanta një libërth të vogël me poezitë e saja. E mora në dorë atë libërth me kopertinë gri dhe më trishtoj titulli i tij “Balada e të verbrit”. E shfletova ngadalë dhe pashë se të gjithë titujt e poezive silleshin rreth dritës, si flutura të vogla të bardha që në fund digjen prej saj…Lexoja ndonjë varg që më pëlqente dhe ja citoja Zhanit. Ajo buzëqeshte dhe më tregonte për të tjerë të verbër, shoqe dhe shok të saja që vërtet bënin punime që të befasonin. Koha rrodhi si pa u ndjerë, ne e lamë tavolinën e lokalit dhe dolëm në rrugët e qytetit. U ndava me Zhanin me premtimin se shkrimin tjetër do ta bëja për një djalë të klasës së 9-të, që kishte një talent të veçantë. Ajo nuk më tregoi se ç’bënte ky djalë i verbër, por më ftoi ta shikoja me sytë e mi punën e tij. I premtova se do vija. Unë i hipa makinës për t’u kthyer, Zhani u bashkua me turmën në bulevardin e madh të qytetit për të vazhduar rrugën e saj…