Nis hipotekimi i pasurive të paluajtshme për zonën e Medresesë

    402
    Sigal

    Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale Nr. 8360, do të vazhdojë 45 ditë

    Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP) njofton se ka filluar Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme për Zonën Kadastrale Nr. 8360, të qytetit të Tiranës. Ky afishim bëhet respektivisht në territorin e Zonës Kadastrale Nr. 8360, saktësisht në adresën, Rruga “Bardhok Biba”, Pallati nr. 73, Kati I, Tiranë. Periudha e Afishimit Publik do të vazhdojë 45 ditë kalendarike. Të gjitha subjektet private dhe shtetërore që kanë të drejta pronësie, ose të drejta të tjera reale mbi pasuritë e paluajtshme në Zonën Kadastrale Nr. 8360, janë të ftuar të verifikojnë Regjistrimin Fillestar të pasurive të tyre. Në këtë fazë të këtij procesi, është e rëndësishme bashkëpunimi i ngushtë i të gjithë personave, që kanë të drejtë mbi pasurinë, me ekspertët, duke verifikuar të dhënat në listat e afishuara. Në rast se gjatë kësaj faze konstatohen mangësi në informacionin e afishuar, atëherë pronari, si dhe personat që kanë interesa të tjera mbi pasurinë, duhet të bëjë plotësimet e nevojshme dhe t’i paraqesë vetë ato, brenda afatit të afishimit publik, në ambientin e afishimit, pranë specialistëve të ngarkuar me këtë detyrë te Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë. Të gjitha pretendimet do të shqyrtohen dhe do të paraqiten në listat e afishuara brenda periudhës së Afishimit Publik. Procesi i Regjistrimit Fillestar është falas për të gjithë pronarët dhe personat që kanë të drejta mbi pasuritë e paluajtshme. Afishimi Publik i Regjistrimit Fillestar të Pasurive të Paluajtshme mund të shihet edhe në faqen zyrtare të Internetit të ZRPP-së: www.zrpp.gov.al